Ndërlidhjet

Kryeministri i Luksemburgut shtrohet në spital pasi doli pozitiv me koronavirus


Kryeministri i Luksemburgut, Xavier Bettel.
Kryeministri i Luksemburgut, Xavier Bettel.

Kryeministri i Luksemburgut, Xavier Bettel, është shtruar në spital të dielën, disa ditë pasi është diagnostikuar me koronavirus, raportuan mediat lokale.

Bettel është duke bërë teste shtesë dhe do të qëndrojë nën vëzhgim për 24 orë - si masë paraprake - njoftoi transmetuesi RTL, duke cituar Ministrinë e Shtetit të Luksemburgut.

Bettel, 48 vjeç, ka njoftuar se është diagnostikuar me koronavirus më 27 qershor, pasi ka marrë pjesë në një samit të Bashkimit Evropian.

Organizatorët e samitit të BE-së kanë thënë se të gjitha masat e parandalimit të koronavirusit janë respektuar në mënyrë rigoroze, gjatë takimit dyditor.

Deri më tani, asnjë udhëheqës tjetër i BE-së nuk ka njoftuar se është pozitiv me koronavirus.

Bettel ka marrë dozën e parë të vaksinës AstraZeneca kundër koronavirusit, në fillim të majit.

Dozën e dytë do ta merrte më 1 korrik.

“Është për keqardhje që ai ka dalë pozitiv vetëm pak kohë përpara”, tha një zyrtar i Qeverisë së Luksemburgut, raporton AP.

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, Luksemburgu - vend me rreth 613,000 banorë - ka regjistruar mbi 71,000 raste me koronavirus dhe 818 viktima.

XS
SM
MD
LG