Ndërlidhjet

Maqedonia e Veriut regjistron edhe 18 viktima nga koronavirusi


Një ambulancë për trajtimin e pacientëve me koronavirus në Shkup.
Një ambulancë për trajtimin e pacientëve me koronavirus në Shkup.

Maqedonia e Veriut regjistroi të hënën 18 viktima nga koronavirusi dhe 111 raste të reja të të infektuarve.

Rastet e reja pozitive rezultuan pas testimit të 1,529 mostrave.

Numri më i madh i viktimave u regjistrua në Shkup - gjithsej pesë, ndërsa nga dy në Kërçovë, Dibër dhe Kavadar dhe nga një në Gostivar, Veles, Strumicë, Berovë, Kriva Pallankë, Koçan dhe Gjevgjeli.

Numri i përgjithshëm i viktimave nga koronavirusi në Maqedoninë e Veriut ka arritur në 6,849, ndërsa raste aktive aktualisht janë 6,957.

Ministria e Shëndetësisë e këtij vendi bëri thirrje për vaksinim, pasi, kohëve të fundit, është vërejtur ulje e interesimit të qytetarëve për marrjen e vaksinës.

Për krahasim, një muaj më parë, numri i të vaksinuarve në ditë sillej në 10,000-15,000, ndërsa tani ky numër nuk është më i lartë se 5,000.

“Vaksinimi është mënyra e vetme për përballje me pandeminë dhe për kthimin në normalitet të shtetit, për rimëkëmbjen e ekonomisë dhe për lirinë e lëvizjes”, thanë nga Ministria e Shëndetësisë, e cila më herët ka parashikuar se deri nga mesi i tetorit do të vaksinohen deri në një milion persona, por kjo shifër është ende larg.

Deri të dielën, sipas të dhënave zyrtare në nivel të shtetit, janë dhënë rreth 790,000 doza të vaksinave. Rreth 38% e qytetarëve janë vaksinuar plotësisht.

XS
SM
MD
LG