Ndërlidhjet

Vdekjet e të rinjve nga COVID-19 rrisin alarmin e kujdesit nga qytetarët maqedonas


Një ambulancë me një pacient të infektuar me koronavirus arrin në Klinikën Infektive në Shkup më 17 gusht 2021.

Vdekja nga COVID-19 e një 15-vjeçarjeje ka ngritur alarmin e mjekëve mbi nevojën e kujdesit të shtuar të qytetarëve, të cilët, siç thotë epidemiologu Nikolla Panovski, ende nuk janë ndërgjegjësuar mbi pasojat fatale që shkakton varianti Delta i koronavirusit.

Vajza 15-vjeçare nga fshati Sellcë i Tetovës, siç ka bërë të ditur Klinika Infektive në Shkup, ishte pranuar në spital në gjendje të rëndë shëndetësore, pasi të paktën 10 ditë kishte qëndruar në shtëpi pa trajtim mjekësor, ndërsa të njëjtës paraprakisht i kishte vdekur edhe nëna, po nga COVID-19.

Raste të vdekjes së të rinjve janë regjistruar edhe në 10 ditë e fundit. Në Shkupin kanë ndërruar jetë dy persona të moshës 21 dhe 22 vjeç, ndërsa në Kumanovë një person i moshës 23-vjeçare. Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, janë regjistruar të paktën tri vdekje të moshës mbi 30 vjeç, përfshirë edhe një ushtarak nga Shkupi i moshës 30-vjeçare.

Epidemiologu Nikolla Panovski, thotë se edhe një vit e gjysmë nga paraqitja e COVID-19, ka shumë qytetarë që nuk i marrin seriozisht apelet e mjekëve, andaj edhe ndodh që rreth 44 për qind e atyre që shtrihen në spitale, nuk arrijnë t’i mbijetojnë koronavirusit.

“Tani, nëse kemi 1 mijë të shtruar në spital, 440 nuk do të kthehen në shtëpi. Kjo është një përqindje e madhe dhe duhet të shohim se cila është arsyeja. Së dyti, nëse e dinë që shkalla e vdekshmërisë është e lartë, qytetarët dhe qeveria duhet të sillen me më shumë përgjegjësi me masat, sepse është një gjë është të sëmuresh në një vend tjetër dhe tjetër gjë në Maqedoni, pasi kur këtu shkon në spital, jeni me një këmbë në varr. Këtë duhet ta dinë qytetarët në mënyrë që të mbrohen sa më shumë që të jetë e mundur dhe të vaksinohen”, ka deklaruar infektologu, Nikolla Panovski.

Ministri i Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut, Venko Filipçe thotë se shumica e atyre që kanë ndërruar jetë kanë pasur edhe probleme tjera shëndetësore.

“Ajo që mund të vërejmë është se këta persona për një kohë të gjatë janë trajtuar jashtë klinikave shëndetësore dhe te mjekët paraqiten shumë vonë, me parametra shumë të rënduar, në gjendje të përkeqësuar shëndetësore. Mjekët bëjnë gjithçka, por në shumë raste janë të pafuqishëm që këtyre personave t’ua shpëtojnë jetën”, ka deklaruar Filipçe, duke i bërë thirrje qytetarëve që të paraqiten në mjekun amë apo edhe në spitale dhe klinika menjëherë pasi të vërejnë ndonjë përkeqësim të gjendjes së tyre shëndetësore.

Ndërkohë, mjeku Liridon Disha për gjendjen e krijuar dhe rritjen e numri të vdekjeve fajëson edhe një pjesë të personelit mjekësor, të cilët, siç thotë ai, kanë tejkaluar të gjitha limitet etike dhe profesionale sa i përket trajtimit të pacientëve.

“Shumica e të vdekurve, nëpër spitale janë pranuar në gjendje të rëndë shëndetësore dhe shumica prej tyre kanë deklaruar se janë trajtuar së paku një javë në kushte shtëpiake me terapi apo medikamente intravenoze. Kjo dukuri duhet të ndërpritet menjëherë nga Inspektorati i Shëndetësisë, në mënyrë që pacientët të trajtohen në mënyrë adekuate, sipas protokolleve bashkëkohore për COVID-19. I apeloj të gjithë pacientëve që vuajnë nga COVID-19 t’u përmbahen rekomandimeve tona dhe në asnjë mënyrë të mos pranojnë të trajtohen me alternativa tjera apo me infuzione në hapësirat jashtë institucioneve shtetërore shëndetësore”, ka deklaruar mjeku Liridon Disha.

Të dhënat nga Instituti i Shëndetit Publik tregojnë se nga 23 deri më 29 gusht, 199 njerëz vdiqën nga efektet e shkaktuara nga COVID-19.

Që nga fillimi i pandemisë, me 2,850 vdekje të regjistruara nga koronavirusi për një milion banorë, Maqedonia e Veriut është në vendin e pestë në botë. Vetëm Peruja, Hungaria, Bosnjë e Hercegovina dhe Gjibraltari, kanë regjistruar vdekshmëri më të lartë. Numri i të vdekurve me COVID-19, ka arritur në afër 6,000 persona.

Zyrtarët shëndetësorë, përsërisin se vaksinimi është mjeti i vetëm në luftën kundër koronavirusit, pasi të dhënat tregojnë se numri i personave të infektuar dhe të vdekur, që nuk janë vaksinuar, është shumë më i lartë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG