Ndërlidhjet

Steinmeier: Pamje shokuese në Hamburg

  • RFE /RL

Frank-Walter Steinmeier

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, e ka mbrojtur vendimin e saj që samiti i grupit G20 të mbahet në Hamburg, që është një qytet i banuar me popullatë të dendur.

Zonja Merkel, mbrëmë gjatë konferencës për gazetarë pas përfundimit të samitit G20, tha se nga pikëpamja logjistike, ky tubim masiv është dashur të mbahet në një qytet të madh, siç është Hamburgu, për shkak të “kapaciteteve të hoteleve” dhe për statusin simbolik të tij tregtar si porti më i madh i Gjermanisë.

Ajo, po ashtu, ka premtuar kompensim qeveritar për dëmet e pësuara nga trazirat dhe vjedhjet gjatë protestave të aktivistëve antiglobalizim dhe përleshjeve të tyre me policinë.

“E dënoj me fjalët më të ashpra dhunën e shfrenuar dhe brutalitetin e papërmbajtur, me të cilën është ballafaquar policia gjatë samitit G20”, u tha Merkel gazetarëve dhe ka shtuar se “qartazi ka njerëz që nuk janë të interesuar në këto çështje dhe angazhohen në mënyrë të tërbuar në shkatërrim në fqinjësinë e vet, kështu që masat e ashpra policore ishin e vetmja përgjigje ndaj kësaj”.

Autoritetet gjermane thanë se së paku 213 policë janë lënduar në ditën e fundit të samitit. Numri i protestuesve të lënduar gjatë dy ditëve të samitit të liderëve të vendeve udhëheqëse industriale në botë, nuk është ende i njohur.

Dhuna kishte vazhduar edhe për të tretën natë me radhë, megjithëqë liderët e grupit G20 ishin larguar nga Hamburgu.

Policia tha se 144 vetë janë arrestuar dhe më se 140 të tjerë janë paraburgosur përkohësisht, pasi forcat e sigurisë përdorën topa uji kundër protestuesve të dhunshëm, të cilët e sulmuan policinë me shufra metalike dhe gurë.

Gjatë demonstratave, grupe të protestuesve i kishin plaçkitur supermarketet dhe dyqanet, i kishin ndezur barrikadat dhe i kishin sulmuar makinat e policisë.

Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, e ka vizituar qytetin e Hamburgut për t’i parë dëmet pas tri ditëve të protestave, që herë-herë ishin tejet të dhunshme, gjatë samitit të grupit G20.

“Pamjet që i pashë janë shokuese, ato më goditën dhe më kanë lënë pa fjalë. Por, të gjitha këto janë arsye më tepër për të qenë këtu dhe për t’i falënderuar ata që i dolën para kësaj dhune”, tha presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier.

Ai më herët u takua me pjesëtarët e policisë.

Ministri i jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel i tha gazetës, Bild Am Sontag, se “reputacioni i Gjermanisë është prekur rëndë ndërkombëtarisht nga zhvillimet në Hamburg”.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG