Ndërlidhjet

Vazhdojnë protestat e studentëve shqiptarë në Tetovë


Protestat e studentëve në Maqedoni

Për tri ditë me radhë në Tetovë janë duke protestuar studentët e universiteteve me mësim në gjuhën shqipe.

Të enjten ka dështuar takimi ndërmjet studentëve dhe prorektorit të Universitetit të Tetovës, siç ishte paralajmëruar për shkak se studentët kanë refuzuar kërkesën e prorektorit të UT-së, Arbër Çeliku, të takohet vetëm me nga një përfaqësues të fakulteteve.

Studentët kanë këmbëngulë të gjithë të jenë të pranishëm në amfiteatrin e universitetit, ashtu siç u ishte premtuar gjatë ditës së mërkurë.

Prorektori i Universitetit të Tetovës, Arbër Çeliku, gjithashtu ka kërkuar që në këtë takim mos jenë të pranishme mediat, gjë të cilën nuk e kanë pranuar studentët.

Studentët shqiptarë i kanë dorëzuar Ministrisë së Arsimit dhe rektorëve të universiteteve shqiptare ultimatum prej shtatë ditësh për realizmin e kërkesave të tyre, siç është: ngritja e cilësisë së arsimit të lartë, çlirimi i universiteteve nga influenca e politikës, luftën kundër korrupsionit uljen e taksave për pagesa etj. duke theksuar se nuk do të ndalen protestat derisa të realizohen kërkesat e tyre.

Ndërkohë, nga Ministria e Arsimit të Maqedonisë për mediat kanë njoftuar se ky dikaster punon me përkushtim për të avancuar cilësinë e sistemit arsimor.

“Njoftojmë opinionin publik se me vëmendje i ndjekim kërkesat e studentëve që i paraqitën, në protestën e organizuar në Tetovë , edhe pse paraprakisht në rrugë zyrtare nuk jemi njoftuar për të njëjtat”, theksohet në komunikatën me shkrim të Ministrisë së Arsimit të Maqedonisë.

Edhe gjatë protestave të së enjtes studentët thonë se cilësia e arsimit të lartë ka rënë nën çdo nivel dhe se universitetet nuk arrijnë t’i përgatisin për të qenë konkurrues në tregun e punës, por i pajisin me diploma që s’u hapin asnjë perspektivë pos largimit nga vendi.

Festim Rexhepi, sekretar i përgjithshëm i Platformës Rinore Shqiptare, ka kërkuar që protestave t’u bashkohen edhe studentët maqedonas dhe të gjithë ata profesorë, siç është shprehur, të cilët me dinjitet e kryejnë punën e tyre.

“Nga të gjithë studentët, pa varësisht përkatësisë etnike, qofshin shqiptarë apo maqedonas, presim të na bashkëngjiten. Njëherësh, krahas kërkesave që i kemi parashtruar, u bëj apel edhe profesorëve që të bëjnë me dinjitet punën e tyre të dalin të na mbështesin, ta mbështesin këtë rini, sepse kjo rini këtu është e ardhmja e këtij shteti”, thotë për Radion Evropa e Lirë Festim Rexhepi nga platforma e Rinisë Shqiptare në Maqedoni, e cila në fokus ka ngritjen e vlerave demokratike dhe atyre arsimore në mesin e të rinjve.

Edhe Sefer Selimi, aktivist për të drejtat e të rinjve, thotë se protestat duhet të zgjerohen edhe në qytetet e tjera, ngase siç thekson, problemet që kanë fokusuar si kërkesa studentët shqiptarë, janë probleme, me të cilat ballafaqohen të gjithë studentët.

“Problemet e studentëve në të gjitha universitet shtetërore të Maqedonisë janë të njëjta. Prandaj, mendoj se studentët e tjerë nuk do t’i lënë të vetmuar kolegët e tyre shqiptarë, sepse është koha e fundit që arsimi i lartë në Maqedoni të aplikojë standardet që vlejnë në vendet e zhvilluara evropiane”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Sefer Selimi.

Ndërkaq, Dona Kosturanova nga Forumi i Rinorë për Arsim në Maqedoni, thotë se edhe pas miratimit të ligjit të arsimit të lartë në arsim në tetor të këtij viti, problem më vete paraqet politizimi i skajshëm i parlamenteve studentore që në fakt rol kryesor kanë prezantimin e interesave të studentëve.

“Ligji i ri tanimë ka hyrë në fuqi, por universitetet akoma nuk kanë marrë statusin e ri në përputhje me ndryshimet ligjore dhe për këtë arsye nuk mund të realizohen zgjedhjet për parlamentet e reja studentore”.

“Kështu që, studentët nuk ka se kush t’i prezantojë në formë legale dhe legjitime. Studentët nuk kanë se kujt t’i drejtohen për t’i zgjidhur problemet e tyre dhe do të thosha mungon institucioni bazë ku do të mund të diskutoheshin problemet në kuadër të instancave akademike”, thekson Kosturanova.

XS
SM
MD
LG