Ndërlidhjet

Suedia ashpërson masat pas rritjes së numrit të të infektuarve me COVID-19


Të gjithë ata që duan të hyjnë në Suedi duhet të posedojnë certifikatën e vaksinimit. Fotografi nga arkivi.
Të gjithë ata që duan të hyjnë në Suedi duhet të posedojnë certifikatën e vaksinimit. Fotografi nga arkivi.

Suedia do të kërkojë edhe nga vizitorët e shteteve nordike të kenë certifikatën e vaksinimit në mënyrë që të kalojnë kufirin.

Suedia gradualisht është duke ashpërsuar masat derisa shënoi rritje të rasteve të të infektuarve pas variantit të ri të koronavirusit, Omicron, njoftoi qeveria.

“Shohim se e gjithë Evropa po ballafaqohet me rritje të numrit të të infektuarve por, edhe fqinjët tanë”, deklaroi kryeministrja, Magdalena Andersson.

“Për vizitorët nga secili shtet me përjashtim të atyre fqinje kemi kërkesën e certifikatës për vaksinimin. Nga sot megjithatë do të merret vendimi që rregulla të njëjta të vlejnë edhe për shtetet nordike”, tha ajo.

Rregullat e reja hyjnë në fuqi nga 21 dhjetori, raportojnë mediat suedeze.

Suedia kohëve të fundit është ballafaquar me rritje të shpejtë të numrit të të infektuarve. Shteti prezantoi një numër të limituar të masave derisa paralajmëroi se do të ndërmerrte edhe hapa të tjerë nëse numri i të infektuarve vazhdon të rritet.

Më herët gjatë kësaj jave edhe Norvegjia e Danimarka ashpërsuan masat kundër pandemisë.

XS
SM
MD
LG