Ndërlidhjet

Të paktën gjashtë të vrarë gjatë sulmeve ruse në Ukrainë

Autobusi i sulmuar në Sumi nga Rusia më 11 korrik.
Autobusi i sulmuar në Sumi nga Rusia më 11 korrik.

Rusia ka kryer sulme me raketa dhe dronë ndaj Ukrainës të shtunën, duke të vrarë të paktën gjashtë persona dhe duke plagosur dhjetëra të tjerë, thanë zyrtarët.

Katër persona u vranë dhe 17 të tjerë u plagosën pasi dy bomba rrëshqitëse goditën një zonë të frekuentuar në rajonin verior të Sumit, thanë autoritetet. Një bombë goditi një stacion autobusi, teksa fotografitë e publikuara nga vendngjarja shfaqën një autobus të dëmtuar nga sulmet.

Dy të tjerë u vranë gjatë sulmeve me raketa në qytetin-port të Odesës, ndërkaq një dron goditi një ndërmarrje në Harkiv, duke plagosur shtatë njerëz.

Në Kiev, kryeqytetin ukrainas, 11 persona u plagosën në sulmet gjatë natës, kur sipas autoriteteve, Rusia përdori raketa balistike, raketa lundruese dhe dronë.

“Infrastruktura civile u godit edhe para se të lëshohej alarmi për sulme ajrore”, tha presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, duke iu referuar sulmeve ndaj Kievit. “Mbrojtësit tanë arritën t’i rrëzojnë shumicën e objektivave, por jo raketat balistike”.

Ai përsëriti thirrjen drejtuar aleatëve të Ukrainës që të dërgojnë sa më shpejt paketat e ndihmës me sisteme të mbrojtjes ajrore, për të cilat u ra dakord në samitin e NATO-s të mbajtur këtë javë në Ankara të Turqisë.

Forcat ruse lëshuan gjashtë raketa balistike, gjashtë raketa lundruese dhe 121 dronë gjatë sulmeve të kryera natës, përfshirë ndaj Kievit, thanë Forcat Ajrore të Ukrainës. Njoftimi u lëshua në mëngjes para se të ndodhnin sulmet ndaj Odesës, Harkivit dhe Sumit.

Forcat Ajrore ukrainase thanë se kanë rrëzuar të paktën dy raketa lundruese dhe 111 dronë.

Rusia i ka intensifikuar sulmet ndaj kryeqytetit ukrainas javët e fundit. Deri më tani gjatë këtij muaji, sulmet ndaj Kievit dhe rajonit përreth kanë vrarë më shumë se 60 persona.

Nga ana tjetër, Kievi ka shtuar presionin ndaj logjistikës ushtarake ruse në jugun e Ukrainës së okupuar, duke synuar t’i privojë forcat ruse nga karburanti dhe municioni përmes sulmeve ndaj kamionëve dhe mjeteve lundruese thellë pas vijës së frontit.

Video: Njësiti ukrainas shënjestron logjistikën ruse prapa vijave të frontit

Brenda qendrës komanduese ukrainase të sulmeve me dronë ndaj Rusisë
Ju lutem prisni

Materiali aktualisht nuk është në dispozicion.

0:00 0:03:25 0:00

Shefi i forcave të dronëve të Ukrainës, Robert Brovdi, tha se njësitet e tij goditën gjatë natës 21 cisterna karburanti në Detin Azov, si dhe shtatë anije të tjera transporti, duke e çuar në 76 numrin e përgjithshëm të mjeteve lundruese të goditura gjatë kësaj jave.

Zelensky ka thënë se qëllimi i sulmeve me dronë është ta detyrojë Rusinë të ulet në tryezën e negociatave, megjithëse presidenti rus, Vladimir Putin, ende nuk ka shfaqur publikisht gatishmëri për ta zbutur qëndrimin e tij.

Video: Sulmet ukrainase nxisin krizë me karburante në Rusi

Përleshje fizike në pompat e derivateve në Rusi mes krizës me karburante Përleshje fizike në pompat e derivateve në Rusi mes krizës me karburante
Ju lutem prisni

Materiali aktualisht nuk është në dispozicion.

0:00 0:01:12 0:00

Një person u vra në një sulm me dronë që kishin për cak katër anije, përfshirë një cisternë që transportonte metanol, në Gjirin e Taganrogut në Detin Azov, njoftuan autoritetet ruse më 11 korrik.

Ndërkaq, Ministria ruse e Mbrojtjes tha se mbrojtja ajrore rrëzoi gjithsej 178 dronë ukrainas mbi rajone të ndryshme të Rusisë gjatë natës.

XS
SM
MD
LG