Ndërlidhjet

Sveçla: Kemi qenë të përgatitur edhe fizikisht që të largojmë barrikadat në veri


Ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla.

Ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla, ka thënë të martën në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, se situata në veri të Kosovës - pas situatës së krijuar në muajin shtator për shkak të masës së reciprocitetit në targat e makinave të regjistruara në Serbi – është menaxhuar me sukses.

Sveçla i ka thënë Komisionit se veprimet e autoriteteve të Kosovës kanë qenë të koordinuara dhe se aleatët e Kosovës kanë qenë të informuar mbi vendimet e Qeverisë dhe mbi masat e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe agjencive të saj, të cilat janë marrë me qëllim të zbatimit të këtij vendimi.

“Ne kemi qenë të përgatitur në aspektin logjistik që edhe fizikisht të largojmë barrikdat e vendosura në pikat kufitare”, ka thënë ai, duke iu referuar bllokadave të krijuara nga serbët lokalë në pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, si shenjë pakënaqësie për masën e reciprocitetit.

Mbledhja e së martës fillimisht është ndërprerë, pasi kryetari i këtij Komisioni, Bekë Berisha, ka kërkuar që Sveçla dhe drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, të raportonin ndaras para Komisionit.

Mbledhja më vonë është kryesuar nga Enver Dugolli, anëtar i Komisionit nga Lëvizja Vetëvendosje.

Përgjatë raportimit, ministri Sveçla i ka konsideruar të dështuara përpjekjet e Serbisë për të penguar zbatimin e masës së reciprocitetit.

“Përderisa Republika e Kosovës dëshmoi se ka institucione demokratike dhe profesionale, të afta për të mbrojtur dhe zbatuar vendimet e saj, në anën tjetër, përgjatë 13 ditëve sa ishte vendimi në fuqi, Serbia përdori të gjitha mjetet, përfshirë edhe veprimtarinë e vet kriminale përmes bllokimit të rrugëve, kërcënimeve për serbët lokalë, shantazhit dhe sulmeve terroriste në institucione publike për ta penguar zbatimin e vendimit”.

Më 20 shtator, Qeveria e Kosovës pati marrë vendim që shoferët nga Serbia, me të hyrë në Kosovë, t’i ndërrojnë ose mbulojnë targat e tyre dhe të marrin regjistrim të përkohshëm të Kosovës.

Me këtë vendim, Qeveria e Kosovës ka thënë se ka vendosur masën e reciprocitetit për targat e Serbisë, pasi një gjë të ngjashme Serbia e ka aplikuar për veturat nga Kosova për më shumë se dhjetë vjet.

Jarinja dhe Bërnjaku, dy vendkalimet kufitare në veri të Kosovës - ku popullsia është shumicë serbe – kanë qenë të bllokuara nga banorët lokalë që e kundërshtonin vendimin për reciprocitet.

Atje më pas ishin vendosur njësitë speciale të Policisë së Kosovës.

Por, përmes një marrëveshjeje të arritur mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian më 30 shtator, palët janë pajtuar për shtensionim të situatës në veri dhe heqje të barrikadave të serbëve lokalë, ashtu si edhe të njësiteve speciale.

Palët po ashtu janë pajtuar që përkohësisht të vendosin letra ngjitëse në targat e makinave kur kalojnë në shtetin tjetër, derisa një grup punues të arrijë te një zgjidhje e përhershme.

Sveçla ka bërë të ditur se deri më tani, autoritetet e Kosovës kanë lëshuar 17,000 mijë letra ngjitëse për makinat e regjistruara në Serbi.

Mehmeti: Veriu, udhëkryq për shumë aktivitete ilegale

Drejtori i Policisë së Kosovës, Sabedin Mehmeti ka thënë para Komisionit se aktualisht situata në komunat veriore është e qetë.

Ai e ka konsideruar këtë rajon si udhëkryq të shumë aktiviteteve ilegale, tregtive të ndryshme apo kontrabandave.

Sipas tij grupet kriminale në veri janë të lidhura ngusht edhe me kompani të ndërtimit, dhe ndikimi i tyre është vërejtur në bllokadën e muajit shtator.

XS
SM
MD
LG