Ndërlidhjet

Rrëzohet një helikopter në Ukrainë: Disa zyrtarë dhe një fëmijë në mesin e viktimave


Vendi ku u përplas helikopteri në qytetin Brovari, në periferi të Kievit, 18 janar 2023.
Vendi ku u përplas helikopteri në qytetin Brovari, në periferi të Kievit, 18 janar 2023.

Të paktën 14 persona kanë humbur jetën, përfshirë ministrin e Brendshëm të Ukrainës dhe një fëmijë, pas përplasjes së një helikopteri pranë një kopshti të fëmijëve në periferi të Kievit, të mërkurën. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e ka cilësuar këtë incident si një "tragjedi të tmerrshme".

Fillimisht ishte raportuar se 18 persona kishin vdekur, por Shërbimi Shtetëror i Emergjencave më pas tha se numri i viktimave është ulur, teksa tha se paraprakisht ishte raportuar për tre fëmijë të vdekur.

Sipas njoftimit të ri, 25 persona janë lënduar, përfshirë 11 fëmijë, pas rrëzimit të helikopterit në Brovari, rreth 20 kilometra në verilindje të kryeqytetit ukrainas, Kiev.

Sipas Ihor Klymenkos, shef i Policisë Kombëtare të Ukrainës, nëntë nga viktimat ishin në bordin e helikopterit.

Ekipet e shpëtimit para vendit ku u rrëzua helikopteri. 18 janar 2023.
Ekipet e shpëtimit para vendit ku u rrëzua helikopteri. 18 janar 2023.

Shkaku i incidentit nuk dihet ende, teksa autoritetet kanë nisur hetimin e kësaj ngjarjeje.

Nuk ka pasur ndonjë deklaratë nga Moska apo zyrtarët ukrainas në referencë të ndonjë sulmi rus në zonën ku u rrëzua helikopteri.

Por, Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës, tha se hetuesit janë përqendruar në tre shkaktarë të mundshëm të rrëzimit: shkelja e rregullave të fluturimit, problemet teknike në helikopter apo veprime të qëllimshme për shkatërrimin e fluturakes.

Rrëzimi i helikopterit ndodhi në kohën kur forcat ruse vazhdojnë përpjekjet e tyre sulmuese në qytetin e Bahmutit, në rajonin lindor të Donjeckut.

Një zëdhënës i forcave ajrore ukrainase, Yuriy Ihnat, tha se helikopteri ishte Super Puma, që Ukraina kishte marrë nga Franca.

Një zyrtar i mbrojtjes në Francë, tha për AP-në se helikopteri i ishte shitur Ukrainës më 2019, dhe nuk është pjesë e ndihmës që Parisi i ka thënë Kievit pas nisjes së pushtimit.

Kievi, ndërkohë, u kërkoi përsëri aleatëve të tij perëndimorë që të përshpejtojnë miratimin e dërgimit të armatimit më të avancuar, duke përfshirë tanke moderne.

Ministri i Brendshëm ukrainas, Denys Monastyrsky.
Ministri i Brendshëm ukrainas, Denys Monastyrsky.

Ministri i Brendshëm ukrainas, Denys Monastyrsky, ishte një nga personat në bord të helikopterit. Zëvendësi i tij, Yevgeniy Yenin, dhe sekretari i shtetit, Yurii Lubkovych, gjithashtu humbën jetën në incident.

"Sot ka ndodhur një tragjedi e tmerrshme në Brovari, në rajonin e Kievit. Një helikopter i emergjencave është rrëzuar, më pas shpërtheu zjarr në vendngjarje. Dhimbja është e papërshkrueshme", shkroi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, në llogarinë e tij në Facebook.

Presidenti i Këshillit të Evropës, Charles Michel, reagoi pas rrëzimit të helikopterit, duke e quajtur Monastyrskiyn "një mik të mirë të Bashkimit Evropian".

"Ne i bashkohemi Ukrainës në pikëllim pas këtij aksidenti tragjik", shkroi ai në Twitter.

Ndërkaq, Gjermania i ka ofruar ndihmë Kievit ndihmë në hetimin e rrëzimit të helikopterit. Ministrja e Brendshme gjermane, Nancy Faeser, tha përmes një deklarate se i ka dërguar telegram ngushëllimi Qeverisë ukrainase dhe i ka ofruar “mbështetjen e Gjermanisë për të identifikuar shkakun e rrëzimit të helikopterit”.

Po ashtu, kancelari gjerman, Olaf Scholz, tha se ky aksident tregoi “çmimin e lartë” që Ukraina po paguan “në këtë luftë”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG