Ndërlidhjet

Ahmeti pas takimit me Ramën: Pa shqiptarë s’ka Maqedoni të Veriut


Pamje nga takimi i kryeministrit shqiptar, Edi Rama, me krerë të të partive politike shqiptare nga Maqedonia e Veriut, më 10 janar 2023.
Pamje nga takimi i kryeministrit shqiptar, Edi Rama, me krerë të të partive politike shqiptare nga Maqedonia e Veriut, më 10 janar 2023.

Integrimi i Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në Bashkimin Evropian, kanë qenë tema kryesore të takimit të së martës në Tiranë ndërmjet kryeministrit Edi Rama me kryetarët e partive politike shqiptare të Maqedonisë së Veriut.

Pas takimit, kreu i Qeverisë shqiptare nuk e ka komentuar takimin, por ai ka postuar një fotografi në rrjetin social, Facebook, ku shkroi "Qoftë një vit i mbarë për të gjithë shqiptarët kudo që janë".

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, tha pas takimit se përpjekjet e të dyja vendeve për të përshpejtuar integrimin në BE mbeten sfida kryesore e angazhimit të tyre në të ardhmen.

Ahmeti foli edhe për ndryshimet kushtetuese që duhet të bëjë Maqedonia e Veriut që të mund të vazhdojë bisedimet me BE-në, e që kanë të bëjnë me përfshirjen e pakicës bullgare në Kushtetutën maqedonase, si popull shtet-formues.

Kreu i BDI-së tha se ndryshimet duhet të miratohen dhe se shqiptarët do ta mbështesin në tërësi identitetin maqedonas, pasi, siç tha, “pa shqiptarë s’ka Maqedoni”.

“Mendoj se alternativë të vetme Maqedonia e Veriut e ka Bashkimin Evropian. Alternativë të vetme ka ndryshimet kushtetuese dhe fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE. Ndryshimet kushtetuese nuk e dëmtojnë identitetin maqedonas. Identiteti maqedonas forcohet duke hapur Kushtetutën, duke futur në të edhe bashkësi tjera etnike si bullgarët, kroatët e të tjerët".

"Neve, shqiptarëve, na kanë pasur si mbështetje për identitetin e tyre, për kulturën e tyre dhe do të na kenë. Pa shqiptarë s’ka Maqedoni”, deklaroi Ahmeti duke theksuar se në takimin me kryeministrin Rama “ vëmendja u përqendrua te zhvillimet e përbashkëta që kanë bërë Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut drejt hapjes së negociatave për anëtarësim në BE.

“Pati një ligjërim nga kryeministri Edi Rama për sfidat, për përpjekjet e përbashkëta që kanë bërë dy vendet tona. Folëm edhe për përpjekjet që duhet të bëjmë tani pas përfundimit të skriningut me qëllim hapjen e kapitullit të bisedimeve me Bashkimin Evropian”, tha Ahmeti.

Në takim morën pjesë edhe kryetari i Aleancës për Shqiptarët (ASH), Arben Taravari, kryetari i Alternativës, Afrim Gashi, dhe kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi.

Në takim nuk mori pjesë kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, pasi, siç u shpreh, nuk pranon, të ulet në një tavolinë me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti, të cilin ai e akuzon për krim të organizuar, korrupsion, largimin e shqiptarëve nga Maqedonia e Veriut dhe dështime tjera.

Në një prononcim për mediat në Tiranë, Kasami ka thënë se takimi është në “shërbim” të BDI-së dhe jo të çështjeve të tjera.

“Kësaj radhe nuk të shpëton dot askush nga humbja e zgjedhjeve të ardhshme”, kështu ka reaguar kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, ndaj deklaratës së kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, i cili nga Tirana tha se Lëvizja nuk ka fuqi që të ftojë tryezë të partive politike.

"Ne vlerësojmë se takimi është thirrur shkaku i turbulencave të fuqishme brenda këtij subjekti politik(BDI), ku funksionarë të lartë të saj, kanë dalë hapur kundër lidershipit të partisë. Një situatë e palakmueshme për BDI-në dhe për të defokusuar opinionin në Maqedoninë e Veriut, vlerësojmë se zhvillohet ky takim në Tiranë”, tha Kasami.


Lidhur me takimin e Ramës me liderët shqiptarë, kanë reaguar edhe partitë politike maqedonase, në veçanti VMRO DPMNE-ja.

Sipas saj, “takimi në Tiranë bëhet me kërkesë të LSDM-së, e cila sipas nënkryetarit të VMRO-së, Aleksandër Nikollovski, “është në panik për rrëzimin e Qeverisë dhe dështimin e ndryshimeve në Kushtetutë.

Por, për Lidhjen Social-Demokrate në pushtet (LSDM) “Edi Rama është mik i dëshmuar i Maqedonisë (së Veriut) dhe i popullit maqedonas, ndërsa me Shqipërinë nuk kemi çështje të hapura. Andaj, çdo takim, formal apo joformal, që është në interes të të dyja vendeve dhe të dy popujve, për ne është në drejtim të ndërtimit të një rajoni evropian”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG