Ndërlidhjet

Talibanët dhe forcat afgane “në betejë” për qytetin kyç


Ghazni, 10 gusht, 2018.

Beteja për qytetin lindor afgan Ghazni ka hyrë në ditën e tretë, teksa forcat qeveritare dhe luftëtarët afganë kanë zhvilluar përleshje të ashpra.

Ghazni, kryeqytet i provincës me po të njëjtin emër, gjendet në një autostradë kyçe që lidh dy qytetet më të mëdha afgane, Kabulin dhe Kandaharin.

Anëtari i këshillit provincial, Nasir Ahmad Faqiri tha se luftimet e reja nisën në mëngjesin e sotëm në afërsi të selisë qendrore të policisë dhe shërbimit sekret. Por, sipas tij, luftime po zhvillohen edhe në afërsi të pallatit të guvernatorit të provincës.

“Vetëm selia e Policisë, zyra e guvernatorit dhe disa departamente të tjera, janë nën kontrollin e forcave afgane”, tha Amanullah Kamrani, zëvendëskryetar i këshillit provincial.

“Të tjerat janë nën kontrollin e luftëtarëve talibanë”, shtoi ai.

Një gazetar i agjencisë AFP, që gjendet në terren, tha se luftëtarët talibanë po lëvizin nëpër qytet, duke djegur zyrat e Qeverisë. Sipas tij, talibanët tashmë kanë nën kontroll një numër të pikave të kontrollit policor.

Shërbimet e telekomunikimit janë ndërprerë për shkak të luftimeve, gjë që e bën më të vështirë verifikimin e informacioneve që vijnë nga atje.

Talibanët nisën sulmin e tyre në Ghazni më 10 gusht. Kjo është përpjekja e tyre e fundit në serinë e sulmeve që militantët kanë kryer, me qëllim që të marrin nën kontroll qendra urbane.

Më 11 gusht, zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, Mohammad Radmaneshi i tha Radios Afganistani i Lirë se qyteti është nën kontrollin e forcave të sigurisë, duke shtuar se operacionet për pastrimin e qytetit nga militantët po vazhdojnë.

Një zëdhënës i forcave të Shteteve të Bashkuara në Afganistan i ka përshkruar luftimet për këtë qytet, si operacion për pastrim e tij nga militantët, me përleshje sporadike në mes të forcave të sigurisë dhe talibanëve.

Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme afgane, Najib Danish tha se mbi 150 talibanë, 25 forca të sigurisë dhe një gazetar lokal, janë vrarë gjatë luftimeve.

Qeveria në Kabul e mbështetur nga Perëndimi, po përpiqet që të largojë talibanët dhe grupe të tjera militante, që prej tërheqjes së shumicës së trupave të NATO-s më 2014.

Në maj, talibanët sulmuan qytetin perëndimor Farah. Pas një dite të luftimeve të ashpra, forcat afgane dhe sulmet ajrore të SHBA-së arritën që të largonin grupin militant nga qyteti.

Përgatiti: Mimoza Sadiku
XS
SM
MD
LG