Ndërlidhjet

Kosova ndalon qarkullimin e makinave me targa KM të regjistruara në dhjetor e këndej


Një makinë me targa KM në Mitrovicë të Veriut në tetor të vitit 2022.
Një makinë me targa KM në Mitrovicë të Veriut në tetor të vitit 2022.

Kosova nuk do të lejojë hyrjen dhe qarkullimin e veturave që kanë targat ilegale serbe KM, e që janë riregjistruar nga dhjetori i vitit të kaluar e këndej.

Kështu tha ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, i cili e akuzoi Serbinë se ka shkelur darkordimin e arritur në nëntor 2022 në Bruksel, sa i përket targave të makinave.

Ai konfirmoi se disa makina me targa ilegale KM nuk janë lejuar të hyjnë të mërkurën në territorin e Kosovës, pasi siç tha, ato ishin riregjistruar në muajin dhjetor të vitit të kaluar.

“Bazuar në dakordimin mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë në Bruksel në muajin nëntor 2022, Serbia është pajtuar që të ndalojë prodhimin e targave ilegale dhe riregjistrimin e atyre ekzistuese. Duke u bazuar në rastet që janë paraqitur në pikat tona kufitare, Serbia ka shkelur në tërësi këtë dakordim”, shkroi Sveçla.

“Raste të ngjashme të veturave me targa në fjalë, nuk do të lejohen të hyjnë apo veprojmë brenda territorit të Republikës së Kosovës, marrë parasysh që ato janë ilegale dhe ka dakordim për ndërprerjen e prodhimit apo ri-regjistrimin e tyre”, shtoi ai.

Siç ka mësuar REL-i, bëhet fjalë për makina që janë regjistruar pas datës 7 dhjetor 2022, kur ka hyrë në fuqi dekreti i ri i Qeverisë serbe për veturat që kanë targa me akronime serbe për qytetet e Kosovës, dhe të cilat janë të regjistruara në Serbi.

Më herët gjatë 18 janarit, zyrtarët serbë në Beograd dhe Kosovë reaguan lidhur me ndalimin e hyrjes të makinave me targa KM në territorin e Kosovës. Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, akuzoi Kosovën se po tenton të shkaktojë krizë dhe tensione të reja.

Ai tha se kjo përbën “shkelje flagrante dhe nëpërkëmbje të marrëveshjes për targat që Beogradi dhe Prishtina arritën në Bruksel më 23 nëntor të vitit të kaluar, pas një krize të rëndë që kërcënoi paqen në Kosovë dhe Metohi”.

Petkoviq shtoi se marrëveshja parasheh që deri në një vendim përfundimtar për targat KM, këto targa do të mbeten në përdorim.

Sipas Petkoviqit, me atë marrëveshje, “Prishtina është obliguar që të pezullojë politikën ndëshkuese dhe të gjitha aktivitetet që lidhen me të ashtuquajturin riregjistrim të makinave për shoferët që kanë makina me targa KM”.

Petkoviq tha se veprimet e Kurtit sot po sjellin tensione dhe probleme të reja në veri të Kosovës dhe shtoi se pret nga Bashkimi Evropian, që është garantues i marrëveshjes, të mbrojë dhe mundësojë zbatimin e saj.

Ndërkaq Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë, kërkoi nga faktori ndërkombëtar “të parandalojë” kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, nga shkelja e marrëveshjes për targat, që palët arritën në Bruksel.

“Populli serb nuk do të shikojë me qetësi shkeljen e të drejtave elementare të njeriut dhe shkeljen e marrëveshjeve që garantojnë këto të drejta të popullit tonë”, tha Lista Serbe.

Se makina me targa KM (Mitrovica e Kosovës) nuk janë lejuar të hyjnë në Kosovë gjatë 18 janarit e konfirmoi për Radion Evropa e Lirë edhe qytetarja Sunçica Mashiq. Ajo tha se në pikën kufitare të Jarinjës nuk është lejuar që të hyjë në Kosovë me makinën me targa KM, pasi i është thënë se veturës i ka skaduar regjistrimi.

“Makinën e kemi regjistruar më 20 dhjetor 2022”, tha Mashiq.

Pas krizës së shkaktuar në veri të Kosovës gjatë nëntorit të kaluar lidhur me riregjistrimin e makinave me targa serbe në ato RKS (Republika e Kosovës), që serbët refuzuan ta bëjnë, më 23 nëntor u arrit një marrëveshje në Bruksel.

Marrëveshja u arrit gjatë takimit të kryenegociatorëve Besnik Bislimi nga Kosova, dhe Petar Petkoviq nga Serbia, me ndërmjetësimin e Mirosllav Lajçak, të dërguarit të posaçëm të bllokut evropian për dialogun Kosovë-Serbi.

Serbia, sipas marrëveshjes, u pajtua të heqë dorë nga lëshimi i targave joligjore KM, dhe Kosova u pajtua të largonte vendimin për qortimet dhe gjobat për shoferët me makina me targa të tilla.

Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, po ashtu kishte konfirmuar se Serbia nuk do të lëshojë më targa me akronime serbe për qytetet e Kosovës dhe Kosova do të pezullojë veprimet e mëtejme lidhur me riregjistrimin e makinave, duke ftuar palët për diskutim për hapat e mëtejmë.

Një ditë pasi u arrit marrëveshja për targat në nëntorin e kaluar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nuk bëhet fjalë për marrëveshje, por për dakordim.

"Ne u morëm vesh t’i ndalojmë veprimet reciproke, pra ne nuk do të bëjmë gjobitje për targat KM, dhe do t’i japim hapësirë negocimit të propozimit evropian, që më herët quhej franko-gjerman”, deklaroi ai.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, marrëveshjen për targat e cilësoi si një fitore e vogël taktike “që do të na çojë në presion edhe më të madh”.

Ai shtoi se targat KM “do të mbeten dhe do të mbijetojnë” derisa negociatat janë duke vazhduar.

Një takim i ri për këtë temë nuk është mbajtur që nga nëntori i vitit të kaluar, dhe kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se problemi i targave nuk është në tavolinë të bisedimeve, por kjo çështje do të definohet në kuadër të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për riregjistrim të makinave me targa ilegale serbe në RKS - Republika e Kosovës, ka pasur tri faza.

Faza e parë e qortimit është zbatuar deri më 22 nëntor.

Faza e dytë parashihte gjobën prej 150 eurosh për shoferët e makinave me targa të tilla dhe më pas prezantimin e targave të përkohshme deri më 21 prill, datë pas së cilës ishte planifikuar që të mos kishte më makina me targa serbe.

Serbia - e cila lëshon targa të paligjshme për serbët e Kosovës që nga paslufta më 1999, e kundërshton këtë plan - duke insistuar në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.

Si pasojë e tensioneve të ngritura, serbët e veriut të Kosovës - ku qarkullojnë kryesisht makinat me targa të paligjshme - më 5 nëntor kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës.

XS
SM
MD
LG