Ndërlidhjet

“Jeta e rreme”: Të jesh gej në Afganistan


Në vitin 2013, Nemat Sadat u bë personi i parë në Afganistan që publikisht deklaroi se është homoseksual. Por kjo gjë e detyroi atë që të largohet nga vendi.

Ahmadi duket sikurse çdo i ri tjetër në kryeqytetin afgan, Kabul. Ai shkon në shkollë, argëtohet me shoqëri, dhe jeton në shtëpi me prindërit e tij.

Por, 18 vjeçari fsheh një sekret të rrezikshëm, që si pasojë mund ta dërgojë në burg ose mund të vritet: ai është homoseksual.

Tema e homoseksualitetit në një vend me shoqëri dhe religjon konzervativ, siç është Aganistani, është një tabu. Shumica e cilësojnë homoseksualitetin si të pamoralshëm dhe në kundërshtim me fenë islame, dhe homoseksualët mund të burgosen nga shteti, apo të vriten nga anëtarët e familjes së tyre, e njohur si vrasje e nderit.

Në Afganistan, homoseksualiteti shihet si sëmundje”, thotë Ahmad, për Radion Evropa e Lirë, i cili frikësohet të tregojë emrin e tij të vërtetë për shkak të sigurisë.

Në islam konsiderohet mëkat, dhe shumë njerëz mendojnë se homoseksualët duhet të ekzekutohen”.

Pikërishtë kjo kishte qenë frika që kishte ndaluar Ahmadin, që të zbulojë orientimin e tij seksual, tek prindërit dhe shoqëria. Familja e tij prej gjashtë antarësh, presin nga ai që të martohet me një grua dhe të ndjekë normat tradicionale të shoqërisë.

E kam kuptuar se jam gej në moshën 15 vjeçare”, tha Ahmad përmes intervistës telefonike. “Të gjithë shokët e mi flisnin për vajza, unë e kuptova se nuk jam i interesuar në ato. Dalëngadalë fillova të kuptoj se ata që më tërhiqnin ishin burrat. Ishte e tmerrshme sepse ndihesha si jashtëtokësorë, dhe nuk mund t’i flisja askujt për këtë”.

Komuniteti gej në Afganistan jetojnë të fshehur dhe shpesh ata bëjnë jetë të dyfishtë, në publik paraqiten si heteroseksualë, ndërsa në jetën private, homoseksualë.

Sipas Human Rights Watch (HRW), asnjë dënim zyrtar për homoseksualët nuk është shqiptuar që nga viti 2001.

Ligji afgan është i ashpër ndaj homoseksualitetit, edhe pse një gjë e tillë nuk është e jashtëligjshme, ky komunitet mund të dënohet me ligj në nivelin lokal, nga gjykata jozyrtare e Sheriatit, apo të keqpërdoret si shumë krime të tjera rajonale. Sipas ligjit afgan, marrëdhëniet seksuale jashtëmartesore mund të dënohen nga pesë deri në 15 vite burgim, por dënimi për këtë akt me ligjin e Sheriatit mund të jetë me vdekje.

Në një raport të lëshuar në shkurt nga HRW, thuhet se homoseksualët “rrezikojnë të arrestohen, persekutohen dhe t’i nënshtrohen dhunës nga familjet e tyre, nga komuniteti i gjerë dhe qeveria”.

Ligji afgan nuk parasheh mbrojtje kundër diskriminimit apo ngacmimeve në bazë të orientimit seksual apo identitetit gjinorë”, thuhet në raport.

“Nuk mund të jetojmë kështu”

Por kjo nuk e ka zhdukur frikën e dënimit për të shfaqur orientimin seksual.

Nëse familja ime e zbulon se jam gej, ata do më përjashtonin nga shtëpia dhe do të më mohonin si fëmijën e tyre”, thotë Ahmadi.

Ky është skenari më i mirë, ndërsa në skenarin më të keq, familja ime do më vriste për ta ruajtur nderin, të lirohen nga turpi që unë u kam sjellur atyre”.

Ahmadi thotë se komuniteti gej, takohen me njëri-tjetrin në qendra tregtare, parqe dhe fitnese. Vendtakimet e tyre janë poashtu në kafenetë private, apartamente dhe në makina gjatë natës.

Ahmad është praktikues i fesë islame, por ai thotë se orientimi i tij seksual, ka ndikuar që ai të vë në mëdyshje fenë.

E di qe homoseksualiteti është kundër islamit, por unë gjithnjë e pyes veten, ‘ Pse Zoti më bëri mua dhe të tjerët kështu siç jemi’”, thotë ai.

Ahmad thotë se do ta lë Afganistanin dhe planifikon të kërkojë azil në Shtetet e Bashkuara. “ Nuk mund të jetoj kështu”, thotë ai. “Jetoj në frikë të vazhdueshme, dhe nuk mund të jem vetëvetja ime pa rrezikuar”.

Pavarësishtë qëndrimit të jashtëzakonshëm të publikut kundër homoseksualitetit, një dukuri e tillë ekziston në shoqërin afgane, dhe në disa forma është e përhapur. Praktika e vjetër e “ bacha bazi”, e njohur si, djemtë valltarë, është dukuri e zakonshme e të pasurve dhe njerëzve të fuqishëm, të cilët shfrytëzojnë djemtë e mitur si partnerë seksualë.

Shumica e viktimave janë të mitur, apo djem më të ri se 10 vjeç, e që vijnë nga familjet ee varfëra.

Krimi i “pederastisë”, aktivitet seksual në mes të një burri dhe djali, dënohet nga kodi penal i Afganistanit me “burgim të gjatë”, por që shpesh nuk zbatohet.

Djemt e rinj ndonjëherë vishen si vajza dhe detyrohen të performojnë. Shpesh këta djem, abuzohen seksualisht dhe përdhunohen. Praktika e “bachi bazi” është përhapur që nga rënia e talibanëve, të cilët e shpallën këtë si akt në kundërshtim me Islamin.

“Kosto e madhe”

Nemat Sadat, një aktivist afgano-amerikan për të drejtat e homoseksualëve, që jeton në Uashington, po punon që të ndryshojë qëndrimet ndaj homoseksualitetit në Afganistan.

Sadat kishte lindur në Afganistan por është rritur në Shtetet e Bashkuara. Ai u kthye në Kabul në vitin 2012 për të punuar në Universitetin Amerikan të Afganistanit.

Një vit më vonë, Sadat ishte i pari afgan gej qe shfaqi në publik orientimin e tij seksual. Por ky veprim bëri që ai të humb punën e tij në Universitetin Amerikan të Afganistanit. Ai është përballur me presion nga autoritetet që ta braktisë vendin, ka thënë ai.

Isha i detyruar të jepja dorëheqje nga detyra si profesor i shkencave politike dhe isha i kërcënuar se do të dënohesha me burgim të përjetshëm dhe vdekje, nëse do qëndroja në Afganistan” tha ai.

Shfaqja e orientimit tim në publik, pati kosto të lartë, shumica e shoqërisë dhe të afërmeve në larguan nga jetët e tyre, me arsyetimin se une kisha çnderuar ata dhe të gjithë komunitetin mysliman të Afganistanit”, u shpreh Sadat.

“Jeta e rreme”

Razaq, 21 vjeçar nga qyteti Farah, në perëndim të Afganistanit, është një tjetër gej që jeton në frikë të vazhdueshme.

Shoqëria dhe familja ime nuk e dijnë se unë jam gej”, thotë ai. “Unë jetoj një jetë normale, por kam edhe një jetë të fshehtë që duhet ta mbaj sekret nga të gjithë ata që i njoh. Nëse njerëzit e kuptojnë se unë jam gej, do të jetë një katastrofë”.

Razaq është në moshën kur shumica e burrave në Afganistan martohen, dhe ai thotë se nuk ka zgjidhje tjetër përpos t’u përmbahet normave shoqërore.

Unë jam 21 vjeç dhe shumë shpejtë do të martohem me një grua”, thotë ai. “Nuk ka opsion tjetër. Pothuajse çdo gej që njoh është i martuar. Nëse i ke 30 vjet dhe nuk jeni i martuar, të tjerët do të pyesin se çka nuk shkon me ty. Kështu, ne jetojmë jetë të rreme, sepse jemi të detyruar ta bëjmë këtë”.

Razaq thotë se homoseksualët janë të kujdesshëm ndaj policisë, të cilët kohë pas kohe kërkojnë para ose favore seksuale nëse takojnë ndonjë gej. “Duhet ta bëjmë këtë, në të kundërtën ata na kërcënojnë se do u tregojnë familjeve tona”, tha ai.

Shumica bëjmë sikur homoseksualizmi nuk ekziston ... por të gjithë e dinë se ka gej në Afganistan, sikurse në çdo vend tjetër të botës”.

Përgatiti: Linda Gjokaj

XS
SM
MD
LG