Ndërlidhjet

Qeveria hesht në raport me krizën në Telekomin e Kosovës


Ndërtesa e Telekomit të Kosovës.
Ndërtesa e Telekomit të Kosovës.

Ende nuk dihet se si Qeveria e re e Kosovës do t’i qaset problemeve financiare dhe operative me të cilat po përballet Telekomi i Kosovës, dikur një nga ndërmarrjet më fitimprurëse në vend.

Telekomi i Kosovës është kompani publike e transformuar në shoqëri aksionare, në të cilën operon telefonia fikse dhe ajo mobile Vala me mbi 1.2 milion konsumatorë në nivel vendi.

Radio Evropa e Lirë ka bërë përpjekje të vazhdueshme për të kontaktuar ministren e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari, por ka qenë e pamundur të merret një prononcim se çfarë do të ndodhë me këtë kompani dhe si do t’i qaset qeveria e re zgjidhjes së problemeve financiare dhe teknike që ka kompania.

Deri më tani, me kërkesë të ministres Hajdari, qeveria ka shkarkuar Bordin e Telekomit. Siç është thënë, “shkarkimi i bordit është i domosdoshëm pasi që ndërmarrja në fjalë është sjellë buzë falimentimit”.

Ndërkohë, edhe përfaqësuesit e Telekomit thonë se ministrja Hajdari nuk i ka takuar ende as ata për të diskutuar rreth gjetjes së një zgjidhje të problemeve me të cilat kjo kompani po përballet që nga viti 2015.

Kryeshefi ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi, tha për Radion Evropa e Lirë se pavarësisht kërkesave që i kanë dërguar ministres Hajdari, por edhe kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, ende nuk kanë zhvilluar ndonjë takim.

“Që nga zgjedhja e qeverisë dhe kryeministrit Albin Kurti, kam kërkuar një takim që ta informoj në detaje mbi gjendjen e Telekomit. Në të njëjtën kohë edhe ministres Rozeta Hajdari i kam kërkuar një takim. Javën e kaluar, por edhe këtë javë, kam dërguar shkresa dhe njoftime të natyrës së ndryshme rreth gjendjes së Telekomit të Kosovës edhe te kryeministri edhe te ministrja. I kam njoftuar për proceset, mbi situatën aktuale në të cilën gjendet Telekomi dhe shpresoj që në ditët në vijim do të kemi një qasje më konkrete, më të drejtpërdrejt duke pasur parasysh situatën në të cilën ndodhet Telekomi i Kosovës”, thotë Istrefi.

Kjo kompani, thekson Istrefi, ka probleme të mëdha financiare dhe teknike të cilat Qeveria e Kosovës do të duhet t’i trajtojë me seriozitet në mënyrë që të arrihet deri te stabilizimi i kësaj gjendje, në të kundërtën, shton ai, po rrezikohen edhe shërbimet që ofron kompania.

“Janë dy çështje. Kemi një proces në arbitrazh që ka qenë më herët me Z-Mobile e cila ka dërguar në përmbarim lëndën prej 25 milionë eurosh, që është një vlerë e cila rrezikon Telekomin dhe mund të vjen deri te falimentimi”, thotë ai.

Problem tjetër, thekson Istrefi, është edhe pjesa teknike e cila për më gjatë se katër vjet nuk ka mirëmbajtje dhe për më shumë se dhjetë vjet nuk ka investime në pjesën e modernizmit.

“Si pasojë e sistemeve që janë të vjetruara, rrezikohet edhe me rënie të shërbimeve. Këto dy çështje janë jetike dhe duhet të kishte një vëmendje më të qartë, më të shpejtë nga institucionet tona, që të krijohet një stabilitet teknik dhe financiar në Telekom”, thotë Istrefi.

Rrezikimi i rënieve të shërbimeve të Telekomit konsiderohen të jenë shqetësuese për sigurinë nacionale të vendit, thonë ekspertë të fushës.

Driart Elshani, ekspert i çështjeve të telekomunikimeve, thotë për Radion Evropa e Lirë se Qeveria e re e Kosovës duhet të ketë prioritet zgjidhjen e problemeve në Telekomin e Kosovës.

“Është imperativ që qeveria e re të rregullojë punët e Telekomit të Kosovës për shkak se ka pasur probleme në të kaluarën dhe problemi është jo vetëm të menaxhimi i Telekomit si ndërmarrje publike, por tani mund të ketë probleme edhe me ofrimin e shërbimeve. Telekomi i Kosovës është aty me mision për ofrimin e shërbimeve të telekomunikimit dhe duhet që gjitha energjitë të përqendrohen drejt përmirësimit të kualitetit të shërbimeve të Telekomit”, thotë ai.

Sipas Elshanit, qeveria nuk duhet ta lejojë falimentimin e Telekomit, pasi që kjo do të kishte pasoja të mëdha.

“Qeveria e re e ka për detyrë të rregullojë çfarë të mundet brenda Telekomit dhe ta vë këtë ndërmarrje publike në binar. Fokusi duhet të jetë në dhënien e shërbimeve kualitative, kur dihet se nëpërmes Telekomit të Kosovës shkojnë edhe shërbimet e emergjencës dhe shërbimet tjera që kanë rëndësi vitale për sigurinë nacionale të Kosovës”, thotë Elshani.

Qeveria e kaluar e Kosovës në vitin 2019 kishte nxjerr një vendim për privatizimin e kësaj ndërmarrjeje publike. Ndërsa në gusht të vitit 2019, kishin filluar takimet me kompaninë Detecon International GmbH dhe Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për privatizimin e Telekomit të Kosovës.

Ish-ministri i Zhvillimit Ekonomik nga përbërja e kaluar e Qeverisë Valdrin Lluka, pati thënë për Radion Evropa e Lirë se rruga e vetme për shpëtimin e Telekomit nga kriza financiare në të cilën është futur, është privatizimi. Ai kishte deklaruar po ashtu se Telekomi nuk mund të vazhdojë të operojë si i tillë, pasi që ka humbje të mëdha vjetore dhe atë deri në 15 milionë euro në vit.

“Privatizimi është rruga e vetme dhe e duhur për Telekomin e Kosovës për të shpëtuar Telekomin na falimentimi”, pati thënë Lluka.

Telekomi i Kosovës pati kërkuar nga qeveria e kaluar një ndihmë në vlerë prej pesë milionë eurosh. Kjo ndihmë ishte kërkuar për rritje të kapitalit si masë emergjente e detyrueshme për të siguruar funksionimin normal të Telekomit. Megjithatë, kjo kërkesë e Bordit të Telekomit të Kosovës nuk ishte aprovuar në atë kohë nga qeveria e kaluar.

Telekomi i Kosovës dy herë i ishte nënshtruar procesit të privatizimit, por në të dyja rastet ky proces kishte dështuar.

XS
SM
MD
LG