Ndërlidhjet

Marrëveshja me ATK-në e shpëton edhe njëherë Telekomin


Telekomi i Kosovës ka arritur marrëveshje me Administratën Tatimore të Kosovës për formën e shlyerjes së borxhit, me çka është zhbllokuar edhe llogaria bankare e Telekomit duke evituar kështu mundësinë që punëtorët e kësaj kompanie të mos mbesin pa pagat e muajit tetor.

Telekomi i Kosovës i ka borxh Administratës Tatimore të Kosovës më shumë se 2.8 milionë euro, çka e kishte shtyrë ATK-në që t’ia bllokonte të gjitha llogaritë bankare Telekomit. Por, ndërkohë është arritur një marrëveshje që ky borxh të paguhet përmes kësteve gjatë 11 muajve të ardhshëm.

Kryeshefi ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi, tha për Radion Evropa e Lirë, se kjo marrëveshje nuk paraqet ndonjë barrë për Telekomin dhe është e përballueshme. Sipas tij, ajo mundëson që me kohë, Telekomi t’u përgjigjet obligimeve të marrëveshjes.

Istrefi thotë se dy muaj para bllokimit të xhirollogarisë, Telekomi i Kosovës ka kërkuar në mënyrë zyrtare nga ATK-ja që të ketë mirëkuptim.

“Kemi kërkuar që të na krijohet një mundësi dhe të mos rrezikohet me rënien e të gjitha shërbimeve të Telekomit të Kosovës ku në të njëjtën kohë do të rrezikoheshin edhe interesat e sigurisë qytetare. Nuk e di pse ka marrë vendim të shpejtë (ATK-ja) për të ardhur deri të bllokimi i xhirollogarive, duke pas parasysh se ne kemi pasur një sqarim të arsyeshëm, pse po marrim një veprim të tillë. Vlera e borxhit arrin mbi 2.8 milionë euro”, tha Istrefi.

Edhe zyrtarë të Administratës Tatimore të Kosovës, pohojnë se marrëveshja është riprogramuar.

Valentina Bytyqi-Sefa, zëdhënëse në këtë institucion, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, tha se “ATK ka riprogramuar marrëveshjen me kompaninë e Telekomit, përmes se cilës, kryerja e obligimeve do të realizohet me këste mujore”, tha Bytyqi-Sefa.

Përveç këtij borxhi, Telekomi i Kosovës ka edhe një obligim tjetër financiar në vlerë prej rreth 26 milionë euro ndaj Dardanfon-it, në kuadër të së cilit është edhe shërbimi telefonik i njohur me emrin Z-Mobile.

Ky borxh që Telekomi i Kosovës i ka kompanisë "Z-Mobile", ka të bëjë me mospërmbushjen e kontratës nga ana e Telekomit për dhënien e 100 mijë numrave të telefonit dhe shërbimeve të internetit 3G dhe 4G.

Për këtë arsye, Telekomi ka shkëputur kontratën me kompaninë Z-Mobile, të cilën e kishte vlerësuar si shumë të dëmshme. Kjo kontratë ishte nënshkruar para 10 vjetësh.

Zyrtarë të Telekomit edhe më këtë kompani kanë bërë përpjekje që obligimet financiare t’i paguajnë përmes kësteve mujore, por kompania private Dardafon, nuk ka pranuar këtë kërkesë, kështu që lënda është në gjykatë, thotë Istrefi .

“Ata (Dardafon) nuk janë pajtuar me formën e pagesave për të cilën ne jemi zotuar se mund të qëndrojmë karshi këtyre obligimeve. Ata kanë marrë vendim që lëndën ta dërgojnë tek përmbaruesi. Tani lënda është në gjykatë”, tha Istrefi.

Telekomi i Kosovës kishte kaluar në krizë të thellë financiare për një kohë për shkak të borxheve të shumta të akumuluara.

Ekspertët e çështjeve ekonomike thonë se në këtë gjendje, Telekomi ka ardhur për shkak të menaxhimit jo të mirë, korrupsionit dhe punësimit të njerëzve joprofesionistë.

Naim Gashi, ekspert për çështje ekonomike, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, tha se në këtë kompani kanë ndodhur afera e skandale të mëdha korruptive që nga përfundimi i luftës dhe për këtë arsye, shton ai, nevojitet hetim i pavarur dhe professional në mënyrë që të gjenden përgjegjësit për këtë gjendje.

“Në dy vitet e fundit Qeveria e Kosovës vendosi edhe gozhdën e fundit në arkivolin e Telekomit të Kosovës duke dërguar edhe 500 veta, si të punësuar, pjesa dërmuese e të cilëve janë të afërm me zyrtarët publik. Dhe, në këtë mënyrë, në vend që Telekomi të investojë në kapacitete për t’u përballur me konkurrencën, ai komplet shpenzimet i dërgoi në paga dhe mëditje të punësimeve, pa asnjë kriter. Aktualisht Telekomi ka ardhur në një situatë kur nuk mund të paguajë as tatimet shtetërore. Ky nuk është problem i ATK-së, por është problem i menaxhmenteve korruptive në Telekomin e Kosovës”, tha Gashi.

Pas shkëputjes së kontratës me Z-Mobile dhe pagesës së borxheve të shumta, Telekomin e Kosovës e pret edhe një fazë tjetër, ajo e privatizimit.

Telekomi i Kosovës është kompani publike e transformuar në shoqëri aksionare, në të cilën operon telefonia fikse dhe ajo mobile Vala. Operatori Vala ka mbi 1.2 milion konsumatorë në nivel vendi dhe dikur njihej si një nga ndërmarrjet më fitimprurëse në vend.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG