Ndërlidhjet

Tensione në protestën opozitare në Tiranë


Pamje nga një protestë e mëhershme e mbajtur në Tiranë.

Qindra qytetarë në Shqipëri protestuan dhe disa prej tyre u përplasën me Policinë e Shtetit pasi tentuan të çajnë kordonin policor para ndërtesës së Parlamentit, brenda të cilit po mbahej një seancë plenare ku betoheshin tre deputetë të rinj.

Policia, përmes megafonit ka kërkuar nga protestuesit që të mos përdorin dhunë dhe mos të thyejnë ligjin, në të kundërtën do të përballen me masa kundërpërgjigje nga policia.

Ata, po ashtu u bënë thirrje organizatorëve nga opozita që të largojnë nga protesta personat e maskuar.

Ish-deputetët e opozitës, bashkë me mbështetësit e tyre rrethuan ndërtesën e Kuvendit dhe thanë se ky është vullneti i qytetarëve të vendit.

Katërmbëdhjetë persona janë shoqëruar nga polica, ndërsa protestuesit tjerë kanë marshuar në drejtim të Drejtorisë së Policisë, deri në përmbyllje të protestës.

Këta persona po mbahen në stacionin policor për verifikim, pasi që dyshohen se kanë hedhur policinë me sende të fora dhe kanë mbajtur maska.

Monika Kryemadhi, kryetarja e partisë opozitare Lëvizja Socialiste për Integrim ka thënë se kjo protestë është organizuar nga qytetarët, jo nga opozita dhe se ata po “protestojnë varfërinë dhe papunësinë që ka kapluar vendin”.

“Kjo protestë nuk ka të bëjë me opozitën. Është për jetë më të mirë të shqiptarëve dhe për të ardhmen e tyre, që është gjëja më e rëndësishme. Nëse tani nuk bëjmë asgjë për të ndërtuar një sistem të fuqishëm, jo një lider të fuqishëm, ne na duhet një sistem i fortë. Vetëm në këtë mënyrë do të kemi të ardhme për fëmijët tonë”, tha Kryemadhi.

Ministri i Brendshëm i Shqipërisë Aleksandër Lleshaj, përmes një postimi në Twitter u tha se protestat e tilla pengojnë policinë që të kryejë punën e saj.

“Protestat e verbra që godasin deputetë, institucione dhe policë, sjellin vetëm një rezultat. Ato pengojnë shumë policë që të merren me detyrën e tyre kryesore, që është lufta kundër krimit. Ftoj qytetarët që të mbështesin Policinë e Shtetit në luftën e përbashkët kundër krimit për një Shqipëri normale. Mirënjohje për dinjitetin dhe përkushtimin e punonjësve të PSH”, shkruan Lleshaj.

Që prej muajit shkurt, opozita është larguar nga Parlamenti duke djegur mandatet e deputetëve të saj dhe duke filluar protestat kundër Qeverisë.

Ata kërkojnë që Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Edi Rama të largohet dhe te krijohet një qeveri transitore, deri në organizimin e zgjedhjeve të parakohshme.

Djegia e mandateve nga partitë e opozitës së bashkuar në Shqipëri i ka hapur rrugën hapjes së listave të pritjes së deputetëve apo partive të tjera, të cilat nuk e kanë kaluar pragun zgjedhor, për t’u futur në Parlamentin e vendit.

Megjithatë, tre prej deputetëve opozitarë nuk i janë bindur vendimit për dorëzim të mandatit. Katërmbëdhjetë përfaqësues të opozitarë, emrat e të cilëve ishin në listat e kandidatëve në zgjedhjet e viti 2017, kanë marrë mandatet në Kuvend që nga dorëzimi i tyre nga deputetët e mëparshëm.

Protesta e së enjtes është e gjashta që nga muaji shkurt.

XS
SM
MD
LG