Ndërlidhjet

Besimi i Ballkanit në teoritë konspirative për COVID-19


Një person në Prishtinë kalon pranë një murali dedikuar punonjësve shëndetësor që po punojnë gjatë pandemisë së koronavirusit.
Një person në Prishtinë kalon pranë një murali dedikuar punonjësve shëndetësor që po punojnë gjatë pandemisë së koronavirusit.

Koronavirusi është krijuar nga Qeveria kineze, virusi doli nga një laborator në Vuhan, koronavirusi është armë biologjike e SHBA-së – janë disa nga teoritë konspirative në të cilat besojnë qytetarët e Ballkanit Perëndimor që janë anektuar nga Grupi Këshillëdhënës në Evropë për Politika të Ballkanit (BIEPAG) dhe Kompania për Marketing dhe Hulumtim të Opinionit Publik (IPSOS).

Sipas këtij hulumtimi, pothuajse 80 për qind e qytetarëve të anketuar të Ballkanit Perëndimor besojnë në ndonjë teori konspirative në lidhje me koronavirusin e ri, që shkakton sëmundjen COVID-19.

“Tre e katërta e të anketuarve në Ballkanin Perëndimor besojnë në një shkallë apo shumë në cilëndo prej teorive të konspiracionit për të cilat ne i kemi pyetur, që është shifër më e lartë se në çdo vend të Evropë. Kjo më pas reflekton në vullnetin e tyre që të vaksinohen”, tha Florian Bieber, Qendra për Studime për Evropën Juglindore gjatë prezantimit të këtij raporti.

Pavarësisht se raporti ka gjetur se qeveritë dhe politikanët në vendet e Ballkanit Perëndimor, publikisht nuk kanë përkrahur teoritë konspirative për koronavirusin, sipas Bieber, qeveritë janë bashkëfajtore, sepse "mediat miqësore" me këto qeveri kanë përhapur teori të tilla.

Rindërtimi i besimit në institucione, rruga e qartë integruese e shteteve të Ballkanit në BE mund të ndihmojë në luftimin e teorive konspirative, tha Bieber, po shtoi se kjo merr kohë.

Në Kosovë, sipas hulumtimit, më së shumti besojnë se Qeveria kineze e ka krijuar koronavirusin. Ndërkaq, qytetarët e Shqipërisë besojnë më së shumti ne teori konsiprative për koronavirusin.

Përderisa teoritë konspirative lidhur me COVID-19 janë trend botëror, në Ballkanin Perëndimor janë më të forta dhe, siç thuhet në hulumtimin e BIEPAG dhe IPSOS, ato potencialisht në këtë rajon janë edhe më shkatërruese.

Ky hulumtim është bërë në muajin tetor dhe nga çdo vend i Ballkanit janë anketuar përmes telefonit apo online, rreth 1.000 respodentë.

Gjashtë teori kryesore konspirative lidhur me koronavirusin

Ky hulumtim është bazuar duke analizuar gjashtë teori konspirative.

Teoria e parë është se koronavirusi i ri është krijuar nga Qeveria kineze në një laborator në Vuhan, që do të thotë se ai ka ekzistuar shumë më parë se sa publiku mësoi për të dhe se origjina e këtij virusi është fshehur nga Kina.

E dyta, industria farmaceutike është e përfshirë në përhapjen e koronavirusit.

Teoria e tretë e konspiracionit thotë se ka një lidhshmëri ndërmjet teknologjisë 5G dhe koronavirusit.

Teoria e katërt thotë se ushtria e Shteteve të Bashkuara e ka krijuar koronavirusin e ri si armë biologjike.

Teoria e pestë thotë se Bill Gates po e përdor koronavirusin e ri për të “shtyrë” vaksinimin me mikroçipa, përmes së cilëve do të mundësohej mbikëqyrja e njerëzve.

Dhe teoria e gjashtë, më e përhapur për COVID-19 është se ai ka “dalë” nga një laborator në Vuhan të Kinës.

Kosovë: Dallime mes serbëve dhe shqiptarëve sa i përket teorive konspirative

Në Kosovë, shumica e respondetëve kanë thënë se besojnë që Qeveria kineze e ka krijuar koronavirusin.

Në Kosovë, 47 për qind e popullatës me shkollim të lartë beson se industria farmaceutike po e përhap sëmundjen COVID-19, krahasuar me vetëm 22.2 për qind që kanë shkollim fillor.

“Kjo sugjeron se teoritë konspirative janë të ngulitura në të gjitha shtresat e shoqërisë. Grupe të ndryshme kanë teoritë e tyre të preferuara, por mesatarisht, ka pak ndryshime. Shumica nga ata që besojnë në teori konspirative, po ashtu pretendojnë se kanë hasur më shpesh në lajme të rreme edhe pse nuk ka një model të veçantë të mediave të cilat këta persona që besojnë në teori konspirative i lexojnë”, thuhet në raport.

Hulumtimi ka gjetur se ka dallime gjeopolitike sa i përket besimit në teori konspirative.

Mohimi i virusit rrezikon shëndetin publik
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:04:06 0:00

Ky raport ka gjetur se qytetarët serbë në Mal të Zi dhe në Kosovë besojnë më pak në teoritë konspirative që lidhen me Kinën sesa grupet e tjera etnike. Kjo mund të lidhet me faktin, thekson raporti, pasi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq publikisht ka falënderuar Kinën për ndihmën e dhuruar gjatë krizës së koronavirusit.

Nëse krahasohen të dhënat mes serbëve të Kosovës dhe shqiptarëve të Kosovës lidhur me besimin në teoritë konspirative të lidhura me Kinën, ka një dallim të madh. Sipas hulumtimit, 86.1 për qind e serbëve të Kosovës, që janë anketuar besojnë në teorinë konspirative që lidhet me Bill Gates, ndërkaq, 93.7 për qind të të anketuarve të këtij grupi besojnë se industria farmaceutike ka luajtur rol aktiv në krijimin dhe përhapjen e koronavirusit.

“Prandaj, gjeopolitika mund të ketë një rol, dinamikat e brendshme të ndërtimit të besimit ndërmjet autoriteteve dhe qytetarëve mund të jenë në prizëm i mirë që shpjegon qëndrimin e grupeve sociale dhe etnike karshi teorive konspirative në rajon”, thuhet në raport.

Qytetarët e Shqipërisë besojnë më së shumti në teori konspirative

Shqipëria ka numrin më të madh të mbështetësve të teorive konspirative në Ballkanin Perëndimor. Në këtë shtet, të gjitha teoritë, pa marrë parasysh sesa kundërthënëse janë, ka më shumë qytetarë që besojnë në to sesa ata që nuk besojnë. Teoritë më të përhapura lidhen ato që ia atribuojnë përgjegjësinë Kinës, por gjithashtu besojë se Bill Gates ka të bëjë shumë me të vërtetë, apo 43 për qind e popullsisë besojnë kështu.

Teoritë e konspiracionit në vendet e Ballkanit lulëzojë për faktin se institucionet janë të dobëta dhe nuk gëzojnë besim dhe po ashtu që nga vitet e 90-ta ky rajon është përballur me teori të ndryshme të konspiracionit, gjen ky hulumtim.

Në Serbi, 41.5 për qind besojnë në ndonjërën nga këto teori, ndërkaq në Shqipëri 59.4 për qind.

Serbët besojnë më pak në teoritë e lidhura me Kinën

Në Serbi, të anketuarit më pak kanë thënë se besojnë në teorinë se koronavirusi është “krijuar” nga Kina (35 për qind) si dhe më pak besojnë në teorinë se virusi ka dalë nga një laborator në Vuhan (39 për qind). Këto shifra janë më të larta në shtetet e tjera, veçanërisht në Shqipëri, ku shifrat qëndrojnë në 65 për qind, respektivisht 58 për qind.

“Përderisa në Serbi, shifrat janë kryesisht të ulëta, është me rëndësi të theksohet se dallimi ndërmjet besimit në teoritë e lidhura me SHBA-në dhe Kinën janë shumë të vogla, derisa dallime të tilla në shtetet tjera janë më të mëdha, ku teoritë e lidhura me SHBA-në janë më pak të besueshme”, thuhet në raport.

Ndikimi i teorive konspirative

Ndërkaq, besimi në teoritë konspirative është më i theksuar në mesin e euroskeptikëve sesa në mesin e atyre që janë në favor të integrimeve në BE: 60.6 për qind e kundërshtarëve të anëtarësimit në BE besojnë në ndonjërën prej teorive, ndërkaq 48.9 të atyre që janë pro BE-së.

Në kohën e pandemisë COVID-19 teoritë konspirative kanë një ndikim të madh në pasojat shëndetësore. Shumë studime tregojnë se personat që besojnë në teori konspirative kanë më pak gjasa që të vaksinohen. Teksa vaksinat kundër COVID-19 janë duke u bërë të qasshme, është “e qartë se përveç shpërndarjes së vaksinave, gatishmëria e qytetarëve për t’u vaksinuar është kruciale për të mposhtur pandeminë”, thuhet në hulumtim.

Qytetarët e Ballkanit Perëndimor, që janë anketuar për këtë hulumtim në muajin tetor, kanë shprehur më pak gatishmëri që të vaksinohen sesa qytetarët e vendeve evropiane.

“Në mbarë rajonin, 53.4 për qind kanë thënë se nuk do ta marrin vaksinën, ndërkaq vetëm 39.2 kanë thënë se me gjasë do ta marrin vaksinën”.

Në Kosovë, rreth 40 për qind kanë thënë se nuk do ta marrin vaksinën, ndërkaq vetëm 15 për qind janë shprehur se do ta marrin vaksinën kundër koronavirusit. Mali i Zi ka përqindjen më të lartë të të anketuarve që kanë thënë që me shumë gjasë do ta marrin vaksinën, apo 44 për qind, ndërkaq, pjesa tjetër e vendeve të Ballkanit, janë shprehur skeptikë për vaksinim.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG