Ndërlidhjet

Thaçi mund të përballet me Gjykatën Kushtetuese


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi

Për shkak të deklaratave të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi në lidhje me “korrigjimin e kufijve” në mes të Kosovës dhe Serbisë, Lidhja Demokratike e Kosovës, ka thënë se duhet të kërkohet mendimi i Gjykatës Kushtetuese.

Ekspertët e së Drejtës Kushtetuese thonë se çdo përfaqësues i institucioneve të Kosovës duhet të marrë parasysh se çfarë deklarata jep, sepse, sipas Kushtetutës së Kosovës, sovraniteti i vendit dhe integriteti territorial janë të paprekshme.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se propozimi për të korrigjuar kufirin me Serbinë ishte e vetmja mundësi për legjitimitetin e kërkesave politike të liderëve shqiptarë të Luginës së Preshevës.

“Kjo nuk do të thotë ndarje e Kosovës, shkëmbim të territorit apo autonomi për serbët”, tha Thaçi në një konferencë shtypi të mërkurën.

Siç shpjegoi ai, korrigjimi i kufirit parashikon bashkimin e plotë të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit në Republikën e Kosovës.

“Do të ishte një proces transparent dhe i përgjegjshëm, paqësor, në mes të Kosovës dhe Serbisë. Nëse të dyja palët do të bien dakord, askush nuk do të jetë në gjendje ta kundërshtojë atë”, shtoi ai.

Thaçi tha se nëse është e nevojshme, Kosova do të ndryshojë Kushtetutën e saj në rast të bashkimit me Luginën e Preshevës.

“Nëse Kuvendi i Kosovës nuk është i gatshëm ta bëjë këtë, atëherë referendumi është kategori kushtetuese”, shtoi ai.

Në anën tjetër, partia më e madhe opozitare në Kosovë, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), njoftoi se do të kërkojë mendimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me “deklaratat e pamatura” të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në lidhje me korrigjimin e kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë.

"Deklaratat e tilla, janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe të mandatit kushtetues të presidentit dhe rrezikojnë rendin kushtetues", thuhet në reagim.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka pohuar se Thaçi në radhë të parë nuk përfaqëson Kosovën në dialog, sepse nuk ka marrë mandatin nga Kuvendi i Kosovës. Kjo parti pretendon se kufijtë e Kosovës janë përcaktuar në Deklaratën e Pavarësisë dhe sipas mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

“Marrëveshja përfundimtare me Serbinë duhet të arrihet pa kompromentuar integritetin territorial të Kosovës, kështu që do të ruajë karakterin unik të shtetit të Kosovës dhe të respektojë frymën Kushtetuese të Kosovës”, thuhet në deklaratë.

Profesori i të Drejtës Kushtetuese në Kosovë, Mazllum Baraliu, në një deklaratë për Radion Evropa e Lire tha se Lidhja Demokratike e Kosovës si grup parlamentar në Kuvendin e Kosovës ka të drejtë të inicojë pranë Gjykatës Kushtetuese çdo gjë që ata e konsiderojnë të jetë jokushtetuese apo e jashtëligjshme.

“Ata kanë të drejtë dhe natyrisht që në Kushtetutën e Kosovës thuhet se sovraniteti i vendit dhe integriteti territorial i saj është i paprekshëm, dhe askush nuk ka të drejtë rreth saj, me asnjë fuqi, me asnjë post politik. Ata kanë të drejtë për këtë gjë, dhe unë mendoj që, nuk po flas tani për presidentin tonë, por cilido president i vendeve të ndryshme, duhet të ketë shumë kujdes dhe të llogaris mirë dhe të mos jep deklarata që nuk përputhen me Kushtetutën e shtetit”, tha Baraliu.

Baraliu shton se në rast se përcaktohet se Thaçi e ka shkelur Kushtetutën me deklarata të tilla, deputetët e Kuvendit kanë të drejtë të mbledhin nënshkrime dhe të kërkojnë dorëheqjen e presidentit.

“Në rast të shkeljes së ligjeve kushtetuese, parashihet se presidenti duhet të shkarkohet. Nëse ata marrin shumicën e votave, atëherë presidenti mund të përballet me një kërkese të mundshme për shkarkim, ” tha Baraliu.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj më parë ka deklaruar se “kufijtë e Kosovës u krijuan nga lufta dhe se vetëm lufta mund t’i lëvizë ata”.

XS
SM
MD
LG