Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

Thirrje për respektim dhe mbrojtje të të drejtave të njeriut


Ilustrim

Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut, 10 Dhjetori, e cila shënohet në mbarë botën, e gjen Kosovën në nivel jo të kënaqshëm të respektimit të të drejtave të njeriut, thonë përfaqësues të organizatave që merren me këto çështje.

Me rastin e kësaj dite, Avokati i Popullit i Kosovës, në bashkëpunim me disa organizata joqeveritare kanë nënshkruar një Deklaratë të Përbashkët, ku u bëjnë thirrje të gjithë aktorëve të pushtetit shtetëror për angazhim të shtuar në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut në mënyrë të barabartë dhe pa diskriminim.

Po ashtu, për herë të parë kanë organizuar një marsh në qendër të kryeqytetit me moton “Çohu për të drejtat e njeriut”.

Në deklaratën, të cilën e ka lexuar Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, ndër të tjera kërkohet nga Qeveria e Kosovës që ta adresojë me prioritet çështjen e të drejtave të njeriut në Kosovë.

“Qëllimi i Deklaratës është mbrojtja e të drejtave dhe lirive themelore të të gjithë qytetarëve në mënyrë të barabartë dhe pa diskriminim. Prandaj, ftojmë institucionet e Kosovës për krijimin e masave efektive për ushtrimin dhe mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut të përcaktuara nga Kushtetuta e Kosovës dhe instrumentet ndërkombëtare”, ka thënë Jashari.

Dhjetë Dhjetori përkujton miratimin e Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, e cila u adoptua në vitin 1948, nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.

Igballe Rogova, drejtore ekzekutive e Rrjetit të Grave të Kosovës, ka thënë se pas 70 vjetësh të deklaratës universale, ende nuk kemi të drejta të barabarta dhe të drejtat e njeriut nuk zbatohen ashtu siç paraqiten në deklaratë.

“Por, ne nuk do të ndalemi. Sot është e veçantë kjo ditë sepse kemi dalë bashkërisht të ngremë zërin për të drejtat të gjithë njerëzve në Kosovë - për të drejtat e grave, për drejtat e fëmijëve, për të drejtat e fëmijëve, të drejtat e komuniteteve, të drejtat e komunitetit LGBTI, si dhe të gjitha të drejtat e njeriut në Kosovë”, ka thënë Rogova.

Në anën tjetër, Bexhet Shala, drejtues i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Kosovë, për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se situata politike dhe socio-ekonomike po ndikon në shkeljen e të drejtave të njeriut.

“Shteti ka kufizime të mëdha buxhetore për të investuar në fushat ku përmirësohet cilësia e të drejtave të njeriut. Shumë fëmijë lënë procesin mësimor dhe punojnë, pastaj pensionistët janë kategori sociale, të cilët mezi mbijetojnë me pensionet që marrin. Papunësia dhe varfëria është në nivel të lartë dhe qytetarët kërkojnë perspektivë në shtete të ndryshme të Evropës. Pra, të gjitha këto ndikojnë në një kualitet jo të duhur të të drejtave të njeriut”, ka vlerësuar Shala.

Republika e Kosovës mbron dhe garanton të drejtat dhe liritë themelore të njeriut edhe në bazë të Kushtetutës së Republikës se Kosovës. Në Kushtetutë thuhet se “të drejtat dhe liritë themelore të njeriut janë të pandashme, të patjetërsueshme e të pacenueshme dhe janë bazë e rendit juridik të Republikës së Kosovës. Çdo kush e ka detyrë t’i respektojë të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të të tjerëve”.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG