Ndërlidhjet

Thirrje që vendet e pasura të sigurojnë qasje të barabartë në vaksina


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Krerët e katër institucioneve kryesore ndërkombëtare u bënë thirrje udhëheqësve botërorë që të investojnë miliarda dollarë, për të siguruar edhe qasjen e vendeve në zhvillim në vaksinat kundër koronavirusit.

Në një opinion të publikuar në gazetën Washington Post, udhëheqësit e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Bankës Botërore, Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Organizatës Botërore të Tregtisë thanë se qasja jo e barabartë midis vendeve të pasura dhe vendeve në zhvillim, mund të çojë në shfaqjen e më shumë varianteve të koronavirusit, që kanë nxitur tashmë shpërthime vdekjeprurëse në botën në zhvillim.

“Është bërë mjaft e qartë se nuk do të ketë shërim nga pandemia COVID-19 pa i dhënë fund krizës shëndetësore”.

“Shpërndarja e pabarabartë e vaksinave po lë miliona njerëz të cenueshëm nga virusi dhe bën që të shfaqen variante vdekjeprurëse”, thanë katër udhëheqësit.

Duke folur të martën në një konferencë shtypi, ata gjithashtu i bënë thirrje grupit të vendeve më të industrializuara G7, që të financojë një program prej 50 miliardë dollarësh, për të rritur qasjen e vendeve të varfra në vaksina.

Një takim i nivelit të lartë të G7-së do të mbahet këtë muaj në Mbretërinë e Bashkuar.

Injeksionet e parave “do të na ndihmonin të rrisim diagnostikimin, trajtimet, prodhimet e oksigjenit, pajisjeve mjekësore dhe vaksinave”, u tha gazetarëve shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.

Video:

Bota përshpejton vaksinimin
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:04:32 0:00

Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, është zotuar se do të shpërndajë në vende të tjera së paku 20 milionë doza të vaksinave Pfizer/BioNTech, Moderna dhe Johnson&Johnson, si dhe 60 milionë doza të vaksinës AstraZeneca.

Sipas Universitetit Johns Hopkins, që gjurmon të dhënat për pandeminë, koronavirusi ka prekur mbi 171 milionë njerëz në të gjithë botën. Mbi 3.5 milionë prej tyre kanë vdekur.

Që nga fillimi i fushatës së vaksinimit, në fund të vitit të kaluar, janë dhënë mbi 1.9 miliard vaksina.

Shumica e vaksinave kundër koronavirusit duhet të jepen në dy doza për të pasur efektin maksimal.

XS
SM
MD
LG