Ndërlidhjet

Zaev: Në rastin e Tomor Morinës do të respektohet ligji


Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Me kërkesë të Prokurorisë, një gjyqtar i procedurës paraprake ka vendosur 30 ditë paraburgim ndaj ish pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Tomor Morina, njoftoi Gjykata Themelore e Shkupit.

Vendimi është marrë në bazë të nenit 165, pika e parë të Kodit të Procedurës Penale.

Po ashtu, thuhet se për çështjen e ekstradimit do të vendosë Ministria e Drejtësisë së Maqedonisë së Veriut.

Ish-pjesëtari i UÇK-së, Tomor Morina, u arrestua të mërkurën nga policia maqedonase, në bazë të një fletë-arresti të lëshuar nga INTERPOL-i, me kërkesë të Serbisë.

“Pas dëgjimit të personit në praninë e avokatit të tij, si dhe vlerësimit të fakteve dhe provave , gjyqtari i procedurës paraprake lëshoi një vendim që pranonte kërkesën e prokurorisë dhe urdhëroi qëT.M të paraburgoset për 30 ditë ndërkaq në lidhje me procedurën e ekstradimit vendos Ministria e Drejtësisë", tha deklarata.

I pyetur për të komentuar çështjen e arrestimit të ish-pjesëtarit të UÇK-së, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ka thënë se do të respektohet ligji.

“Sundimi i ligjit dhe respektimi i rregulloreve dhe ligjeve ndërkombëtare është normë evropiane, të cilën unë dhe të gjithë ju e përfaqësojmë”, tha Zaev.

“Procedura kryhet nga prokurori kompetent, dhe për këtë vendos gjykatësi kompetent, as Zaev as Oliver Spasovski (ministri i Brendshëm), Agim Nuhiu (zëvendësministër i bBendshëm), dhe askush tjetër nga qeveria", shtoi Zaev, duke thënë se Maqedonia e Veriut, sikurse Serbia, është anëtare e Interpolit.

Ai përmendi me këtë rast, faktin se Shkupi ka votuar pro anëtarësimit të Kosovës, në këtë organizatë ndërkombëtare.

“Organet e drejtësisë në Austri dhe Maqedoninë e Veriut, sikurse në Greqi dhe Britani të Madhe marrin vendimin për ekstradim. Institucionet përgjegjëse marrin vendimin në bazë të së drejtës për ekstradim ose jo. Kjo e drejtë e thotë qartë se ai është shtetas i Kosovës dhe jo i Serbisë dhe duhet të lirohet nga paraburgimi dhe të mos ndodhë ekstradimi”, ka thënë Zaev.

Sipas kryeministrit maqedonas, Interpoli tha se ai është shtetas i Serbisë.

"Kjo nuk është e vërtetë. Vendi ynë konfirmon se ai është një shtetas i Kosovës dhe ka një pasaportë nga Britania e Madhe dhe Kosova. Më së paku nga ajo që pres është të respektohen ligjet e këtij vendi", tha Zaev.

Vendimi i Gjykatës Penale të Shkupit, e cila i shqiptoi 30 ditë paraburgim ekstradues ish pjesëtarit të UÇK-së, Tomor Morina, do të ankimohet në instancat tjera gjyqësore. Avokati Naser Raufi vendimin e gjykatës e ka quajtur “të padrejtë” pasi sipas tij gjatë shqiptimit të paraburgimit, nuk janë marrë parasysh argumentet e palës mbrojtëse.

Ai për mediat ka thënë se “Maqedonia me veprime të tilla po dëshmon se është shteti i vetëm evropian që po i merr parasysh fletë-arrestet e Serbisë, që kanë për bazë ngjarje të sajuara”.

Ndalimi i ish-pjesëtarit të UÇK-së, Tomor Morina, nga autoritetet maqedonase në bazë të një fletarresti ndërkombëtare të lëshuar nga Serbia, ka shkaktuar edhe reagimin e Bashkimit Demokratik për Integrim, që është pjesë e qeverisë. Në një seancë të Kuvendit, deputeti i BDI-së, Ejup Halimi e ka quajtur të papranueshëm vendimin e autoriteteve, që sipas tij “po procedojnë urdhrat e Serbisë të miratuar që nga koha e Sllobodan Millosheviqit”.

“Ne, si vend e kemi njohur pavarësinë e Kosovës dhe nuk guxon kush nga ky vend që të rikthejë kohën mbrapa, kur me urdhrat e Millosheviqit ishin ndaluar dhe arrestuar njerëz... Ky është turpi që po na ndodhë neve si vend dhe Qeveri. Kryeministër Zaev, merr masa sa nuk është vonë, sepse nëse rikthehemi në atë periudhë, atëherë nuk është mirë as për vendin e as për rajonin”, ka deklaruar deputeti i BDI-ë, Ejup Halimi.

Edhe opozita shqiptare ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të ish-pjesëtarit të UÇK-së. Në një komunikatë të Aleancës për Shqiptarët që drejtohet nga Zijadin Sela, thuhet se rasti me Tomor Morinën paraqet “ofendim” dhe “provokim” që nuk i shpërben paqes dhe raporteve ndër fqinjësore.

“Qeveria e Maqedonisë së Veriut vazhdon të punojë dhe të respektojë direktivat e Beogradit...Nuk trasohet rruga për në NATO dhe BE duke respektuar paditë e ngritura nga gjakpirësi Sllobodan Millosheviq. Bashkëjetesa dhe mirëqenia qytetare nuk arrihet me provokime, arrestime dhe montime”, thuhet në reagimin e Aleancës për Shqiptarët.

Reagime ka pasur edhe nga partitë tjera politike shqiptare si dhe shoqata, që gjithashtu kërkojnë nga institucionet që të lirojnë sa më parë ish-pjesëtarin e UÇK-së, të ndaluar të mërkurën nga policia maqedonase në vendkalimin kufitar, Bllacë.

Lidhur me arrestimin e ish-pjesëtarit të UÇK-së, Tomor Morina, të enjten, ka reaguar edhe ministri i jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, duke thënë se Kosova nuk do të lejojë ekstradimin e Morinës.

Kryediplomati kosovar tha se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të punojnë për lirimin e tij, si dhe i bëri thirrje Shkupit të hedhë poshtë “urdhërat politike për arreste të lëshuara nga Beogradi”.

“Nuk do të lejojmë ekstradimin e asnjë qytetari tonë bazuar në fletë-arrestet e lëshuara nga Beogradi. Kjo është vijë e kuqe për Kosovën” ka thënë Pacolli.

XS
SM
MD
LG