Dërgesat e bananeve drejt Shën Petersburgut ndonjëherë fshehin edhe një ngarkesë kontrabande: kokainë. Një hetim i Systema, njësisë hulumtuese ruse të Radios Evropa e Lirë (REL), zbulon se dy kompani që kanë rol në transportimin dhe shpërndarjen e mëtejshme të frutave kontrollohen nga shtetas rusë me lidhje me bashkëpunëtorë të kahershëm të presidentit rus, Vladimir Putin.
Në një mëngjes, në fund të gushtit të vitit të kaluar, anija transportuese e mallrave, Cool Emerald hyri ngadalë në portin e Shën Petersburgut, në Rusi, ku në breg e prisnin zyrtarë doganorë dhe agjentë të Shërbimit Federal të Sigurisë (FSB).
Autoritetet ruse pretendojnë se ishin njoftuar paraprakisht nga kolegë të tyre jashtë vendit për mundësinë që në ngarkesën me banane nga Ekuadori të fshiheshin lëndë narkotike. Dhe, sipas tyre, dyshimet rezultuan të sakta: u gjetën disa mijëra pako të mbështjella me pluhur të bardhë. Testimet, sipas autoriteteve ruse, treguan se bëhej fjalë për rreth 1.5 ton kokainë, që në tregun e zi kap vlerën e 20 miliardë rublave (257 milionë dollarë).
Për doganat ruse, ky ishte sekuestrimi më i madh i drogës i regjistruar ndonjëherë. Për Cool Carriers, operatorin komercial me bazë në Qipro të anijes Cool Emerald, ky ishte vetëm një nga disa incidentet e viteve të fundit, në të cilat njëra prej dhjetëra anijeve të flotës së kompanisë dyshohet se është përdorur për transportimin e drogës.
Ndër to janë këto raste: në tetor të vitit 2023, autoritetet britanike njoftuan se zbuluan 137 kilogramë kokainë të ngjitur në trupin e anijes Cool Express; në pranverën e vitit 2024, doganat e Shën Petersburgut thanë se gjetën 60 kilogramë kokainë në po të njëjtën anije; ndërsa në gusht të atij viti, mbi 575 kilogramë kokainë dyshohet se u hodhën në det nga Cool Express, pranë brigjeve të Danimarkës.
Cool Carriers “nuk ka gisht në trafikimin e drogës dhe dënon fuqishëm përdorimin dhe shpërndarjen e narkotikëve”, tha një përfaqësues i kompanisë në një përgjigje të dërguar me email ndaj pyetjeve të Systema, njësisë hulumtuese në gjuhën ruse të Radios Evropa e Lirë.
“Kompania nuk është nën hetim në asnjë juridiksion dhe autoritetet hetimore nuk na kanë kontaktuar”, shtoi përfaqësuesi i Cool Carriers.
Sipas tij, Cool Carriers është “operatori më i madh në botë i anijeve frigoriferë”, tha përfaqësuesi, duke shtuar se kompania transporton mallra që prishen shpejt drejt destinacioneve në disa kontinente dhe se Shën Petersburgu “nuk është një nga destinacionet kryesore në itinerarin e porteve ku ndalen anijet tona”.
Lidhjet me Putinin
Drejtori i përgjithshëm dhe pronari i Cool Carriers është Mikhail Ganyushin, i cili jeton në Qipro dhe më herët ka qenë i angazhuar në industrinë e transportit detar në Shën Petersburg.
Një nga agjentët portualë të Cool Carriers në Shën Petersburg është kompania Baltic Shipping, e cila është themeluar në vitin 1999. Sipas regjistrit rus të kompanive, aksionarët e saj fillestarë ishin Ganyushin dhe Vladimir Borisenko. Ganyushin u largua nga Baltic Shipping në vitin 2023 dhe kompania tani është plotësisht në pronësi të Borisenkos, 63 vjeç, i cili ka diplomuar në të njëjtën akademi detare në Shën Petersburg si Ganyushin, 53 vjeç.
Një hulumtim i Systema zbuloi se si Ganyushin ashtu edhe Borisenko kanë lidhje me bashkëpunëtorë dhe aleatë të presidentit rus, Vladimir Putin, nga Shën Petersburgu, qyteti ku presidenti i kamotshëm rus hodhi hapat e parë në pushtet si zëvendëskryetar i bashkisë dhe drejtues i Komitetit për Marrëdhënie të Jashtme Ekonomike në fillim të viteve ‘90.
Këto lidhje përfshijnë edhe një lidhje mes Borisenkos dhe biznesmenit Oleg Rudnov, një mik i vjetër dhe bashkëpunëtor i Putinit, i cili vdiq në vitin 2015. Në vitin 2004, Borisenko dhe Rudnov ishin në mesin e gjashtë anëtarëve themelues të një shoqate pronarësh në kompleksin rezidencial HappyJarvi, që ndodhet në periferi të Shën Petersburgut.
Borisenko dhe Ganyushin mund të kenë lidhje edhe me një tjetër të njohur të kamotshëm të Putinit, Ilya Klebanov, përmes MGS Terminal, një terminal në portin e Shën Petersburgut, i cili, sipas deklaratave të drejtorit të tij në vitin 2024, merrej me pjesën më të madhe të bananeve të konsumuara në Rusi, si edhe një pjesë të konsiderueshme të atyre që transportoheshin drejt vendeve të tjera të rajonit.
Në vitin 2025, Rusia importoi rreth 1.4 milion tonë banane, ndërsa nga kjo sasi, rreth 1.24 milion tonë hynë në shtet përmes portit të Shën Petersburgut.
Drejtori i MGS-Terminal, Vladimir Burlev, tha gjatë një interviste në vitin 2024 se klienti kryesor i terminalit ishte Baltic Shipping, kompani për të cilën tha se përbën dy të tretat e bananeve që furnizohen në treg, duke iu referuar me gjasë tregut rus.
Deri në fund të vitit 2025, Ganyushin dhe Borisenko ishin anëtarë të bordit drejtues të MGS-Terminal, i cili ishte pjesërisht në pronësi të trashëgimtarëve të Dmitry Kozharsky, një biznesmen nga Shën Petersburgu që jetonte në të njëjtin kompleks banesor me disa bashkëpunëtorë të Putinit. Kozharsky, i cili vdiq në vitin 2022, kishte qenë partner biznesi i Klebanovit në një kompani të industrisë së peshkimit dhe sipas raportimeve ishte gjithashtu një mik i tij. Përfaqësuesi i Cool Carriers tha se Ganyushin nuk është më anëtar i bordit drejtues të MGS-Terminal.
Klebanov kishte drejtuar një ndërmarrje të industrisë së mbrojtjes në Shën Petersburg gjatë viteve ‘90 dhe mori vlerësime nga Vladimir Putin, kur ky i fundit ishte zëvendëskryetar i bashkisë së qytetit. Kur Putini mori detyrën e presidentit në vitin 2000, Klebanov shërbeu si zëvendëskryeministër. Po atë vit, Putini e emëroi në krye të komisionit të ngritur për trajtimin e katastrofës së nëndetëses bërthamore Kursk, pasi ajo u fundos në gusht të atij viti. Tashmë 75 vjeç, Klebanov u largua nga qeveria në vitin 2003 dhe deri në vitin 2011 shërbeu si i dërguar presidencial për Qarkun Federal Veriperëndimor të Rusisë, ku përfshihet edhe Shën Petersburgu.
Përfaqësuesi i Cool Carriers tha se “MGS-Terminal, i specializuar në shkarkimin dhe magazinimin e mallrave që transportohen në kushte ku kërkohet frigorifer, përdoret për shkarkimin e ngarkesave me fruta të anijeve të Cool Carriers që kanë për destinacion Shën Petersburgun”.
Ai tha se Ganyushin ishte emëruar në bordin drejtues të terminalit “si drejtor i pavarur joekzekutiv dhe pa pagesë”, me qëllim që të “siguronte funksionimin e pandërprerë” të terminalit, por më pas kishte dhënë dorëheqje. Ai shtoi gjithashtu se Ganyushin dhe Klebanov “nuk njihen me njëri-tjetrin”.
Përfaqësuesi i Cool Carriers deklaroi se as Ganyushin dhe as kompania Cool Carriers nuk janë aksionarë të MGS-Terminal. Nga ana e saj, MGS-Terminal nuk iu përgjigj kërkesës për koment.
Systema gjeti po ashtu prova që tregojnë për lidhje të mundshme me disa nga aleatët që, së bashku me Vladimir Putin, themeluan në vitet ‘90 kooperativën e vilave Ozero, pranë Shën Petersburgut. Mes tyre përmenden vëllezërit Andrei Fursenko dhe Sergei Fursenko, si edhe Yury Kovalchuk, bankier miliarder që vazhdon të jetë një nga bashkëpunëtorët më të afërt dhe më të besuar të Putinit.
Kovalchuk besohet të jetë pronari kryesor i Bank Rossiya, ndërsa Andrei Fursenko – një këshilltar i kahershëm i Vladimir Putinit dhe ish-ministër i Arsimit dhe Shkencës – ka qenë një nga bashkëpronarët e mëparshëm të bankës. Sergei Fursenko, ndërkaq, ishte anëtar i bordit drejtues të Gazprom Neft, degës së naftës të gjigantit shtetëror rus të gazit Gazprom, nga viti 2013 deri në vitin 2019.
I pyetur nga Systema nëse Cool Carriers ka marrëdhënie biznesi me Gazprom Neft apo me ndonjë kompani tjetër shtetërore ruse, përfaqësuesi i kompanisë u përgjigj: “Absolutisht jo”.
As Borisenko dhe as Baltic Shipping nuk iu përgjigjën kërkesave të Systema për koment. Përfaqësuesi i Cool Carriers tha se Borisenko nuk ka asnjë lidhje me kompaninë dhe se megjithëse ai dhe Ganyushin kanë bashkëpunuar në të kaluarën në disa projekte që lidhen me transportin detar, aktualisht “nuk kanë asnjë projekt të përbashkët”.
Qendër e trafikimit të drogës
Menjëherë pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, Shën Petersburgu u shndërrua në një qendër të rëndësishme të trafikimit të drogës. Në vitin 1992, karteli Cali nga Kolumbia nisi ta përdorte portin e madh të qytetit në Detin Baltik si pikë transiti për dërgesat e kokainës drejt Evropës.
Putin, një ish-oficer i KGB-së, i cili për një kohë të gjatë shërbeu në këtë shërbim të inteligjencës, i mbijetoi një sërë akuzash për korrupsion dhe skandalesh gjatë periudhës 1991–1996, kur mbante një post kyç në administrimin e tregtisë së jashtme të Shën Petersburgut. Në një prej këtyre rasteve, forcat e sigurisë të drejtuara nga një tjetër ish-pjesëtar i KGB-së sekuestruan mbi një ton kokainë, të fshehur në konserva me mish viçi. Megjithatë, droga u zhduk dhe në Rusi nuk u zhvillua asnjë gjykim për këtë rast.
Video nga arkivi: Putin dhe misteri i kokainës së zhdukur
Për vite me radhë, importi i bananeve në Rusi dominohej nga Vladimir Kekhman, një biznesmen i njohur si “Mbreti i Bananeve”. Në vitin 2010, ai mohoi çdo përfshirje pasi 120 kilogramë kokainë u gjetën në një anije të marrë me qira nga kompania e tij, JFC, në portin e Shën Petersburgut. JFC shpalli falimentimin në vitin 2015.
Në një intervistë të dhënë në vitin 2011 për median e pavarur ruse Dozhd, Kekhman sugjeroi se transportimi i drogës me anije që transportojnë banane ishte një praktikë mjaft e zakonshme, por se përgjegjësia kryesore binte mbi ekuipazhet dhe jo mbi pronarët e anijeve apo të ngarkesave.
Në përgjigjen e tij ndaj pyetjeve të Systema, përfaqësuesi i
tha se kompania “nuk zotëron dhe nuk menaxhon asnjë nga anijet që janë përmendur në media në lidhje me kontrabandën e drogës”.
Ai shtoi se Cool Carriers është vetëm operatori komercial i këtyre anijeve dhe “nuk ka asnjë rol në operacionet e tyre të përditshme”.
“Kontrolli operacional, përfshirë punësimin dhe menaxhimin e ekuipazheve, si dhe ngarkimin dhe shkarkimin e mallrave, u takon tërësisht pronarëve të palëve të treta. Cool Carriers nuk ka asnjë rol në këto vendime”, tha ai.
“Dihet gjerësisht se kartelet e Amerikës së Jugut po punojnë në mënyrë aktive për të depërtuar ose për të siguruar qasje në anijet tregtare që ngarkohen në portet lokale, duke i përdorur ato si mjete për trafikimin e drogës”, deklaroi përfaqësuesi.
“Grupet kriminale kërkojnë dhe gjejnë vazhdimisht pika të dobëta ku mund të depërtojnë, duke korruptuar, kërcënuar ose dëmtuar njerëzit e përfshirë në këtë industri, ndërsa zhvendosen nga një juridiksion dhe nga port në tjetrin për të ulur mundësinë e zbulimit nga autoritetet e sigurisë”.