Tre qytetarë nga Vushtrria humbën jetën në një aksident trafiku në Maqedoninë e Veriut, pasi vetura me të cilën po udhëtonin, doli nga rruga dhe u gjet e përmbysur në aksin mes pikëkalimit kufitar Bllacë dhe Shkupit, pranë kufirit me Kosovën.
Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut bëri të ditur se automjeti, një “Mercedes” me targa gjermane, u gjet mbrëmjen e 19 korrikut, rreth orës 22:35.
Në vendin e ngjarjes, policia gjeti tre persona pa shenja jete - një burrë dhe dy gra.
Ekipi i ndihmës së shpejtë konfirmoi vdekjen e tyre.
Sipas autoriteteve maqedonase, disa orë më herët, një shtetas i Kosovës kishte raportuar në polici zhdukjen e tre personave.
Kontakti i fundit me ta ishte regjistruar mbrëmjen e 18 korrikut, kur ata ndodheshin në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit.
Vdekjen e tre qytetarëve e konfirmoi edhe kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi.
Në shenjë zie, komuna njoftoi se janë shtyrë koncertet e planifikuara në kuadër të manifestimit “Ditët e Diasporës 2026”.
Komuna shprehu ngushëllime për familjet Tërnava dhe Shabani, duke theksuar se vendimi për shtyrjen e aktiviteteve është marrë në shenjë respekti dhe solidarizimi me familjarët e viktimave.
Ngushëllime shprehu edhe ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, duke theksuar se institucionet e Kosovës bashkëndjejnë me familjarët në këto momente të rënda.