Ndërlidhjet

Tregtia, sektor i preferuar apo i imponuar?


Shitës mollash në tregun e Vushtrrisë

Në Republikën e Kosovës sektori më i preferuar dhe fitimprurës, vazhdon të mbetet tregtia. Sipas ekspertëve të ekonomisë, orientimi i afaristëve në këtë sektor, pas përfundimit të luftës, ka qenë, siç thonë, i “imponuar” për të krijuar të hyra për familjet e tyre.

Pasi, thonë ata, zhvillimi i kësaj veprimtarie është më i lehtë dhe fillimisht kërkon më pak mjete financiare.

Tregtia është një lloj aktiviteti ekonomik që kryhet nga individ apo kompani që merren me shitblerjen dhe shpërndarjen e prodhimeve të ndryshme, me qëllim të furnizimit të popullsisë.

Por, ekspertë për çështje ekonomike, pohojnë se autoritetet kompetente në Kosovë duhet të krijojnë kushte që ky sektor të zëvendësohet me industri të prodhimit, pasi me sektorin e tregtisë, sipas tyre, eksportohen mjetet e gatshme financiare jashtë Kosovës.

Ish-zëvendëskryeministri i Kosovës, Ramiz Kelmendi, tashmë deputet në Kuvendin e Kosovës, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se tregtia nuk është sektori më i preferuar, por sektori i parë i mundshëm që zhvillohet pas tranzicionit ekonomik.

Ne e dimë që ekonomia prodhuese në Kosovë ka pasur një rënie të madhe për shkak të formës se biznesit socialist dhe pengimit të procesit të prodhimit për vite të tëra”.

Dhe kjo ka ndikuar që ekonomia e Kosovës me qenë gati në nivelin zero. Dhe menjëherë pas përfundimit të luftës, filloi procesi i zhvillimit të tregtisë, për arsye se kërkesat dhe nevojat e qytetarëve për mallra të ndryshme u paraqiten menjëherë”, thotë Kelmendi.

Ndryshe, të dhënat zyrtare të tregtisë së jashtme në Kosovë tregojnë se gjatë vitit 2016, eksporti i produkteve të Kosovës në vendet e rajonit dhe të botës, ishte 309 milionë euro, përderisa vlera e mallrave të importuara në Kosovë nga vende të ndryshme ka arritur në mbi 2.7 miliardë euro.

Eksperti i ekonomisë, Naim Gashi, ndërkaq shprehet se sektori i tregtisë konsiderohet sektori më i lehtë nga të gjithë sektorët ekonomikë, pasi kërkon më pak shkathtësi biznesi dhe më pak investime për bizneset fillestare, kurse më lehtë vjen tek profiti.

Kjo është arsyeja kryesore pse pjesa dërmuese në Kosovë merret më sektorin e tregtisë”.

Sektori i prodhimtarisë është sektor më i ndërlikuar, i cili kërkon lokacion të përshtatshëm, kërkon investime, mjete pune, fuqi të profesionalizuar punëtore, madje edhe gjetjen e tregut, përballimi me konkurrencën, pagesën e taksave dhe tatimeve dhe transportit e të tjera”, tha Gashi për Radion Evropa e Lirë.

Por, Ramiz Kelmendi i cili njëherësh është pronar i kompanisë tregtare dhe prodhuese “Elkos Group”, thotë se sektori tregtar duhet të jetë tregues për autoritetet kompetente dhe afaristët potencialë, se cilat mallra importohen më tepër në Kosovë, në mënyrë që të mundësohet prodhimi i tyre.

Tregtia tash mundëson krijimin e numeracioneve se çka në Kosovë konsumohet më tepër. Në mënyrë që prodhuesit t’i qasen këtyre informatave duke i marrë shënimet në Doganën e Republikës seKosovës që të fillojnë prodhimin, rrjedhimisht zëvendësimin e atyre produkteve që mund të prodhohen dhe përpunohen në Kosovë. Por, për të arritur këtë nuk mjafton vetëm ideja, por nevojitet edhe forma dhe mënyra e financimit të këtyre veprimtarive ekonomike”, thotë Kelmendi.

Sipas të dhënave zyrtare, mjetet ndryshme të transportit, produktet e drurit dhe plastikës, janë mallrat me vlerën më ta madhe që nga vende të ndryshme importohen në Kosovë.

Kurse Naim Gashi, thotë se pavarësisht se në viteve të fundit janë bërë disa përmirësime për sektorin e prodhimit, Qeveria e ardhshme duhet që të gjejë mënyra që të stimulojnë këtë sektor.

Mirëpo, besoj se Qeveria e re duhet ta miratojë pakon e re fiskale dhe të heqë barrën fiskale, sa i përket importit të lëndës se parë, makinerisë dhe teknologjisë, e cila përdoret në sektorin e prodhimtarisë në Kosovë. Në këtë mënyrë do të stimulohet sektori i prodhimit”, shprehet Gashi.

Sipas të dhënave zyrtare, numri më i madh i ndërmarrjeve të regjistruara në Kosovë, i takon tregtisë me mbi 50 për qind, po ashtu edhe numri më i madh i qytetarëve është i punësuar në sektorin e tregtisë.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG