Ndërlidhjet

Akuza të ashpra midis Trumpit dhe Bidenit për trazirat në SHBA 


Kandidati demokrat për president të SHBA-së Joe biden dhe presidenti i SHBA-së, Donald Trump

Kandidati për president të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, e akuzoi presidentin Donald Trump për nxitje të dhunës politike.

Në SHBA, tash e sa javë, ka protesta dhe trazira kundër pabarazisë racore.

Duke mbajtur një fjalim në shtetin e Pensilvanisë, Biden e përshkroi Trumpin si udhëheqës “toksik, të paaftë për të shëruar kombin”.

"Ky president ka kohë që ka humbur çdo udhëheqje morale në këtë vend. Ai nuk mund ta ndalojë dhunën, sepse për vite me radhë e ka nxitur atë", tha Biden, i cili ka shërbyer si nënpresident në administratën e Barack Obamës.

Ai është duke udhëhequr sondazhet e opinionit për zgjedhjet e nëntorit.

Fushata e Trumpit tha se administrata e mundshme e Bidenit, e lidhur me "të majtën radikale", do të çonte në kaos të mëtejshëm.

Në Portland të Oregonit, që tre muaj ka trazira dhe protesta anti-fashiste. Ato kanë shpërthyer pasi policia ka vrarë afrikano-amerikanin, George Floyd, në muajin maj, në Mineapolis.

Një protestues në Oregon, 26 korrik, 2020
Një protestues në Oregon, 26 korrik, 2020

Në fundjavë, një person i lidhur me një grup të krahut të djathtë u qëllua për vdekje, kur mbështetësit e Trumpit u përleshën me protestuesit.

Trump është duke planifikuar për sot një vizitë në Kenosha të Uiskonsinit, pavarësisht thirrjeve të zyrtarëve lokalë demokratë që presidenti të qëndrojë larg.

Ky qytet po ashtu ka përjetuar disa ditë trazira, pasi policia ka qëlluar një tjetër afrikano-amerikan, Jacob Blake, gjatë një përleshjeje.

Një 17-vjeçar, ndërkaq, është akuzuar për vrasjen e dy protestuesve dhe plagosjen e një tjetri me një pushkë sulmi, në Kenosha. Avokatët e Kyle Rittenhouse thanë se ai i qëlloi protestuesit në vetëmbrojtje, pasi ka qenë duke mbrojtur pronën.

Në një fjalim të hënën, Trump u duk se e mbështeste idenë që Rittenhouse ka vepruar në vetëmbrojtje.

“Ai ka bërë përpjekje të largohet prej tyre. Pastaj, është rrëzuar dhe ata [protestuesit] e kanë sulmuar dhunshëm”, tha Trump në Shtëpinë e Bardhë.

Gjatë fjalimit në Pensilvani, Biden u përpoq t’i bindte votuesit se trazirat po ndodhin derisa Trump është president.

"Presidenti është i paaftë të na thotë të vërtetën, i paaftë për t'u përballur me faktet dhe i paaftë për të bërë mirë", tha Biden.

"Nëse do të isha president sot, vendi do të ishte më i sigurt dhe do të shihnim shumë më pak dhunë”, shtoi ai.

Biden po ashtu dënoi trazirat dhe plaçkitjet në protesta.

"Plaçkitja nuk është protestë, vënia e zjarreve nuk është protestë. Asnjë nga këto nuk është protestë. Është thjesht paligjshmëri dhe ata që e bëjnë atë, duhet të ndiqen penalisht", tha Biden.

Trump u përgjigj në Twitter, duke thënë se Biden “e fajësoi policinë shumë më tepër sesa shkatërruesit, anarkistët dhe plaçkitësit”.

Përgatiti: Valona Tela

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG