Ndërlidhjet

Trump frikësohet nga "grackat për dëshmi të rreme" në hetimet e Muellerit


Presidenti amerikan, Donald Trump.
Presidenti amerikan, Donald Trump.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë të hënën se është i shqetësuar për atë se çfarëdo deklarate që mund ta bëjë nën betim për Këshilltarin Special, Robert Mueller, mund të përdoret për nisje të akuzave për dëshmi të rreme kundër tij.

Mueller është duke hetuar ndërhyrjen e mundshme ruse në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së më 2016.

Në një intervistë për agjencinë e lajmeve, Reuters, Trump ka përmendur shqetësimet e avokatit të tij kyç në këto hetime, Rudy Giuliani, i cili ka paralajmëruar se çfarëdo deklarate dhënë Muellerit mund të jetë “grackë për dëshmi të rreme”.

Presidenti amerikan ka shprehur frikën se hetuesit mund të krahasojnë deklaratat e tij me ato çfarë kanë dëshmuar të tjerët në hetim, siç është ish-drejori i CIA-s, James Comey dhe se më pas cilido dallim mund të përdoret kundër tij.

“Nëse unë them diçka dhe Comey thotë diçka dhe fjala ime është kundër fjalës së tij, ai është shoku i ngushtë i Muellerit, andaj Mueller mund të thotë: ‘Unë i besoj Comeyt’, prandaj edhe nëse unë e them të vërtetën, ajo më bën mua gënjeshtar. Kjo nuk është në rregull”.

Pavarësisht shqetësimeve të tij, Trump nuk ka komentuar nëse do të pajtohet që të intervistohet nga Muelleri, i cili mes tjerash është duke hetuar nëse ekipi i fushatës së Trumpit ka bashkëpunuar me rusët në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 dhe rreth asaj nëse Trump ka penguar drejtësinë në këto hetime.

Trump po ashtu ka mohuar të komentojë nëse do t’i pamundësojë Muellerit qasje në informacione të klasifikuara, ashtu siç ka bërë javën e kaluar me ish-drejtorin e CIA-s, John Brennan.

Ky i fundit ka kritikuar vazhdimisht Trumpin për politika të jashtme dhe çështje të sigurisë kombëtare.

“Nuk kam menduar shumë në atë drejtim”, është shprehur Trump.

Rusia ka kundërshtuar çdo përfshirje në zgjedhjet amerikane të vitit 2016 dhe Trump ka mohuar se ka ndodhur ndonjëherë bashkëpunim mes dy palëve.

Ashtu siç ka deklaruar pothuajse çdo ditë në llogarinë e tij në rrjetin social, Twitter, Trump është shprehur kundër hetimeve në Zyrën Ovale gjatë intervistës, duke i cilësuar të njëjtat të turpshme dhe duke thënë se Mueller dhe anëtarët tjerë të ekipit janë paragjykues.

Presidenti amerikan ka thënë se ka fituar pushtet për të ndërhyrë në hetime, mirëpo ka vendosur të mos veprojë ashtu tash për tash.

Sipas Trumpit, administrata e tij është “makinë që ec lehtas, përveç asaj bote. Dhe unë kam vendosur të rri larg.

“Unë mund të bëjë gjithçka, mund ta shkatërrojë atë nëse dua (hetimin), por kam vendosur të distancohem”, ka thënë ai.

“Unë mund të jem i përfshirë plotësisht nëse kam vullnet. Deri më tani nuk dua të jem i përfshirë. Do të rri larg”, është shprehur ai.

Gjatë intervistës, Trump ka fajësuar hetimin për pengim të përpjekeve të tij për të rritur marrëdhëniet e shtetit me Rusinë dhe për nxitje të mosmarrëveshjeve mes publikut amerikan.

Edhe një herë, ai nuk ka fajësuar Rusinë për ndërhyrje në zgjedhje, një përfundim i prezantuar nga komuniteti amerikan i Inteligjencës.

Trump dhe Koreja Veriore

Kur është pyetur gjatë intervistës për Korenë Veriore, presidenti amerikan ka thënë se beson që ky shtet ka marrë hapa specifikë drejt denuklearizimit, pavarësisht dyshimeve të shpërndara rreth vullnetit të Kimit për të hequr dorë nga arsenali i tij.

Duke insistuar se “shumë gjëra të mira janë duke ndodhur” me Korenë Veriore, Trump ka nisur ankesa drej Kinës, duke thënë se ajo nuk është duke punuar aq shumë në këtë drejtim, për shkak të konfliktit tregtar që ka me SHBA-në.

Trump, i cili është përballur me sfidën verikoreane, sapo ka nisur udhëheqësinë në janar të vitit 2017, ka thënë se ka punuar në çështjet e Koresë Veriore për tre muaj në krahasim me paraardhësit e tij që kanë punuar në këtë drejtim për 30 vjet.

“Unë kam ndaluar testimet bërthamore të Koresë Veriore. Unë kam ndaluar testimet raketore. Japonia është e mahnitur. Çfarë do të ndodhë? Kush e di? Do ta shohim”, është shprehur ai.

Muajin e kaluar, Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pomepo i ka thënë një komiteti të Senatit se Koreja Veriore është duke vazhduar të prodhojë lëndë djegëse për bomba bërthamore dhe se zyrtarë amerikanë dhe satelitë kanë vërejtur aktivitet në fabrikat verikoreane që prodhojnë raketa.

Pavarësisht kësaj, Trump ka thënë se ekziston kimi e mirë në mes të tij dhe liderit verikorean, Kim Jong-un.

I pyetur nëse do të ndodhë ndonjë tjetër takim me Kimin, Trump ka thënë se “mund të ndodhë, mirëpo nuk dua të komentojë”.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG