Ndërlidhjet

Trump lavdëron ushtrinë në ceremoninë e Ditës së Pavarësisë


Parada e ushtrisë së SHBA-së

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e lavdëroi ushtrinë dhe foli për madhështinë e shtetit amerikan, gjatë një ceremonie për shënimin e 4 Korrikut, Ditës së Pavarësisë së SHBA-së.

Në fjalimin e tij, Trumpi i tha një turme të mbledhur për të ndjekur ceremoninë se "kombi ynë është më i fuqishëm se kurrë më parë".

Katër Korriku festohet në të gjithë Shtetet e Bashkuara për të shënuar nënshkrimin e Deklaratës së Pavarësisë së vendit më 1776.

Kjo është hera e parë që Shtetet e Bashkuara e kremtojnë Ditën e Pavarësisë me Paradë Ushtarake, por presidenti Trump, u frymëzua për të bërë një ceremoni të tillë duke parë një shfaqje të ngjashme në Francë.

"Ne e festojmë historinë tonë, popullin tonë dhe heronjtë që mbrojnë me krenari flamurin tonë: burrat dhe gratë e guximshëm të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara", tha Trump.

"Për më shumë se 65 vjet, asnjë Forcë Ajrore e armikut nuk ka arritur të vrasë një ushtar të vetëm amerikan. Sepse qiejt i përkasin Shteteve të Bashkuara të Amerikës", tha më tutje në fjalimin e tij, presidenti Trump. Përpara fjalimit, demokratët akuzuan presidentin se po bën fushatë nëpërmjet një organizimi të tillë.

​Demokratët ngritën shqetësime edhe për shpenzimet e organizimit të ceremonisë, të cilat ishin paraparë të përballoheshin prej fondeve të Departamentit Kombëtar të Parqeve.

Senatori Bernie Sanders, një kandidat demokrat për president, kritikoi organizimin e Trumpit.

"Kjo është ajo që autoritarët bëjnë. Donald Trump po merr 2.5 milionë dollarë nga Shërbimi Kombëtar i Parqeve për të lavdëruar veten me një spektakël të tankeve ushtarake që rrotullohen nëpër Uashington", shkroi ai në një postim në Twitter.

Ish-nënpresidenti Joe Biden, i cili është duke udhëhequr në sondazhet e opinionit në garën për nominimin presidencial demokratik të vitit 2020, në Iowa deklaroi:

"Donald Trump, besoj, është i paaftë për të festuar atë që e bën Amerikën e madhe".

Kjo është hera e parë që SHBA-ja nxjerr ushtrinë në rrugë për të festuar Ditën e Pavarësisë.

Presidenti i fundit që fliste në një ceremoni të shënimit të 4 Korrikut, në Uashington, ishte shtatë dekada më parë kur Harry Truman iu drejtua një turme pranë Monumentit të Uashingtonit, për të shënuar 175-vjetorin e nënshkrimit të Deklaratës së Pavarësisë.

Përgatiti: Kestrin Kumnova
XS
SM
MD
LG