Ndërlidhjet

Bumi turistik në Shqipëri: “Njerëzit janë shumë miqësorë”


Një plazh në Himarë, në jug të Shqipërisë.
Një plazh në Himarë, në jug të Shqipërisë.

Media ndërkombëtare, të tilla si CNN, raportuan për Shqipërinë, duke e renditur si një ndër destinacionet më interesante të këtij sezoni veror, qoftë për plazhet, zonat malore, ushqimet apo edhe çmimet e volitshme.

Të dhënat e fundit të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit janë ato për muajin gusht, të cilat tregojnë se Shqipërinë e vizituan mbi dy milionë turistë të huaj, ose 18% më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa prej janarit e deri në fund të gushtit e vizituan gati 7.2 milionë, apo 27% më shumë se në periudhën janar-gusht, vitin e kaluar.

Në rrugët e Tiranës shihen çdo ditë grupe turistësh.

Hasan Luozani është njëri prej tyre, i cili thotë se për Shqipërinë ka dëgjuar nga mediat, ndaj edhe ka vendosur ta vizitojë.

Hasan Louzani, turist nga Algjeria në Shqipëri.
Hasan Louzani, turist nga Algjeria në Shqipëri.

“Vij nga Algjeria. Kjo është hera e parë që jam në Tiranë dhe më pëlqen. Njerëzit janë shumë pozitivë dhe të ndihmojnë, ndihem sikur jam në vendin tim”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Çifti Labba vjen nga Gjermania. Thotë se ka vizituar disa qytete në veriun e Shqipërisë, do të qëndrojë disa ditë në Tiranë dhe më pas do të udhëtojë drejt jugut.

Çifti Labba nga Gjermania duke vizituar Tiranën, Shqipëri.
Çifti Labba nga Gjermania duke vizituar Tiranën, Shqipëri.

“Kemi vizituar Shkodrën, Dibrën, tani Tiranën. Na ka pëlqyer gjithçka, natyra, njerëzit, gjërat e vjetra dhe ato moderne, gjithçka. Njerëzit janë shumë miqësorë. Kjo na ka pëlqyer më së shumti, ndërsa problem janë rrugët, nuk janë të mira, janë të ngushta, duhet të udhëtoni me shumë kujdes”, thotë çifti gjerman.

Mes grupeve të turistëve në qendër të kryeqytetit shqiptar është edhe një i ri nga Anglia.

Woddy Newhouse, turist nga Britania e Madhe.
Woddy Newhouse, turist nga Britania e Madhe.

“Sapo kam ardhur, po vizitoj Tiranën dhe më pas do të udhëtoj drejt plazheve të jugut. Më pëlqen Tirana, është bukur. Ushqimin tradicional nuk e kam provuar akoma, pasi kam blerë ushqime në supermarket”, thotë Woody Newhouse.

Jordan Stacey vjen nga Melburni i Australisë dhe gjendet në Shqipëri tash e gati një muaj.

“Kam vizituar Shkodrën, Tiranën, Beratin, Vlorën, Himarën. Kam qenë në Theth për ‘hiking’, ishte një natyrë fantastike, ishte e bukur bujtina ku qëndrova, ushqimi i shijshëm. Gjithashtu njerëzit janë shumë miqësorë dhe të ndihmojnë nëse ke problem”, thotë Jordan, për herë të parë vizitore në Shqipëri.

Por, ajo thotë se ka hasur edhe në disa probleme.

Turistja Jordan Stacey nga Melburni.
Turistja Jordan Stacey nga Melburni.

“Ishte një përvojë shumë e bukur, por një problem i madh ishte mungesa e sinjalistikës, e tabelave orientuese, e këshillave në zonat që paraqesin rrezik, për shkak të terrenit të vështirë. Një tjetër problem ishte transporti publik, mungesa e tabelave për oraret e nisjes. Mund ta mësoje vetëm duke pyetur njerëzit, por ishte e vështirë pasi shumica nuk dinin anglisht”, thotë vajza australiane.

Ajo shpreh disa rezerva edhe për cilësinë e shërbimit në restorante, për vonesat në marrjen e porosive apo dorëzimin e tyre, si dhe për kryerjen e pagesave.

A do të ruhet bumi turistik?

Bruno Ismaili, udhërrëfyes turistik, shoqëron grupet e turistëve në qendër të Tiranës.

“Punoj prej vitesh kryesisht me turistë që flasin gjuhën gjermane, bëjmë udhëtime turistike, malore, ecje dhe arkeologji. Ky bum na gjeti pa u përgatitur. Pavarësisht se shumë turistë dalin të kënaqur, jemi të papërgatitur”.

Bruno Ismaili, udhërrëfyes turistik
Bruno Ismaili, udhërrëfyes turistik

“E para është shërbimi - nuk e ka cilësinë e duhur, mungon fuqia punëtore, mungon pastërtia. Ka vende ku ndotja e mjedisit është shumë e madhe. Për shembull, po të shkosh në Liqenin e Komanit, është shumë pisët”, thotë Ismaili për Radion Evropa e Lirë.

Pavarësisht këtyre problemeve, ai beson se turistët, kryesisht të rinjtë, do të rikthehen dhe se trendi i bumit turistik do të ruhet.

“Në mediat gjermanisht-folëse po bëhet një reklamë e paparë për Shqipërinë. Të rinjtë besoj se do të rikthehen. Ka që kanë parë veriun dhe jugun dhe duan të shohin edhe vende të tjera”, thotë Ismaili.

Riges Beqiri, ekspert turizmi
Riges Beqiri, ekspert turizmi

Edhe Riges Beqiri, ekspert i turizmit në Shqipëri, beson se kjo ecuri pozitive e turizmit do të ruhet dhe se turistët do të rikthehen edhe vitin tjetër.

“Gjithmonë ka turistë që u rikthehen vendeve që kanë vizituar më parë. Një arsye është përvoja e mirë që kanë pasur. Një tjetër arsye janë çmimet më të mira apo destinacionet e reja që nuk ofroheshin më parë”, thotë Beqiri, duke theksuar nevojën edhe për një bashkëpunim më të mirë mes institucioneve të shtetit dhe operatorëve turistikë për promovimin e Shqipërisë.

Turistë në Tiranë, shtator 2023.
Turistë në Tiranë, shtator 2023.

Rama: Shqipëria “u pushtua” nga turistët e huaj

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se Shqipëria ka hyrë në një fazë të re sa i përket turizmit.

Në fjalimin që mbajti pak ditë më parë në Asamblenë e Partisë së tij Socialiste, Rama tha se Shqipëria, këtë sezon, “u pushtua” nga turistët e huaj.

“Shqipëria duhet të bëhet vendi evropian i denjë për bukuritë që i ka falur Zoti. Turizmi masiv i ka sjellë vendit shumë të ardhura, por duhet të synojmë majat e industrisë turistike botërore. Nami i mirë që kemi marrë sot, mund të na kthehet në bumerang nëse nuk përgatitemi”, tha kryeministri shqiptar.

XS
SM
MD
LG