Ndërlidhjet

Turqia dhe SHBA-ja pezullojnë shumicën e shërbimeve të vizave


Një grua pret për të aplikuar për vizë në hyrje të ambasadës së SHBA-së në Ankara, 9 shtator 2017
Një grua pret për të aplikuar për vizë në hyrje të ambasadës së SHBA-së në Ankara, 9 shtator 2017

Shtetet e Bashkuara dhe Turqia kufizuan shërbimet e vizave, pasi një punonjës i Konsullatës amerikane, me shtetësi turke, u arrestua në Stamboll nën akuzat për spiunim.

Tensionet diplomatike midis dy aleatëve të vjetër filluan më 8 tetor, kur Ambasada e Uashingtonit në Ankara tha se SHBA do të pezullojë të gjitha shërbimet e vizave jomigruese në Turqi, pas arrestimit të punonjësit.

Në njoftim u tha se ngjarjet e fundit e kanë detyruar atë “të rivlerësojë angazhimin e Qeverisë së Turqisë për sigurinë e personelit dhe të objekteve të misionit amerikan”.

Po ashtu u tha se pezullimi i vizave jomigruese “hyn në fuqi menjëherë”.

Turqia u përgjigj, duke thënë se edhe ajo “ka pezulluar të gjitha shërbimet e vizave jomigruese” në objektet diplomatike turke në SHBA.

Në një deklaratë të mëvonshme, Turqia shkoi edhe më larg duke thënë se “ka pezulluar të gjitha shërbimet e vizave” dhe duke lënë kështu disa paqartësi për masat që po ndërmerr.

Mosmarrëveshja e fundit vjen pasi mediat turke raportuan se një punonjës lokal i Konsullatës amerikane në Stamboll u arrestua më 4 tetor, nën akuzat se ka lidhje me grupin e klerikut fetar, Fethuallah Gulen, për të cilin Ankaraja thotë se ka orkestruar përpjekjen për grushtshtet ndaj Qeverisë, korrikun e kaluar.

Ankaraja i ka kërkuar Uashingtonit ta ekstradojë Gulenin, i cili me vite jeton në mërgim në SHBA. Kleriku ka mohuar se ka ndonjë lidhje me puçin e dështuar.

Punonjësi i arrestuar i Konsullatës amerikane, i identifikuar si Metin Topuz, është akuzuar formalisht për spiunim dhe përpjekje për të rrëzuar Qeverinë turke, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve në Turqi, Anadolu.

Më 5 tetor, Ambasada amerikane tha se SHBA është “thellësisht e shqetësuar me arrestimin".

Mendojmë se këto akuza janë krejtësisht pa bazë”, tha ambasada.

Edhe pse janë aleatë në NATO, tensionet midis dy vendeve janë rritur për shkak të Gulenit dhe mbështetjes ushtarake të SHBA-së për luftëtarët kurdë në Siri.

Ankaraja i konsideron këta luftëtarë si bashkëpunëtorë të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, një grup i cili për tri dekada ka bërë kryengritje në juglindje të Turqisë.

Turqia dhe SHBA-ja po ashtu janë ndeshur për shkak të akuzave që kanë ngritur prokurorët amerikanë ndaj 15 pjesëtarëve të sigurimit të presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, pas një grindjeje në Uashington, më 16 maj.

Erdogan shikon përleshjen e truprojeve të tij me protestuesit në SHBA
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:39 0:00

Pesëmbëdhjetë oficerë turq të sigurisë kanë qenë në mesin e 19 personave që prokurorët amerikanë i kanë akuzuar për përleshjet midis protestuesve dhe rojeve të Erdoganit, jashtë rezidencës së ambasadorit turk.

Ministria e Jashtme turke i ka kundërshtuar akuzat, duke i cilësuar si “të njëanshme”.

Shtetet e Bashkuara, së bashku me shumë vende të tjera perëndimore, po ashtu kanë qenë shumë kritike ndaj shtypjes që u ka bërë Turqia disidentëve, pas përpjekjes për puç kundër Qeverisë së Erdoganit, më 15 korrik të vitit 2016.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG