Ndërlidhjet

Mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së kërkon listë paraprake të dëshmitarëve


Ish-krerët e UÇK-së gjatë konferencës së gjashtë statusore. Hagë, 21 korrik, 2021.
Ish-krerët e UÇK-së gjatë konferencës së gjashtë statusore. Hagë, 21 korrik, 2021.

Mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi kërkoi nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) që deri më 2 gusht, të dorëzojë një listë paraprake të dëshmitarëve, që synon të thërrasë në sallën e gjyqit për të dëshmuar.

Në Dhomën e Specializuar në Hagë më 21 korrik u mbajt konferenca e gjashtë statusore ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Konferencën statusore, apo konferencën mbi ecurinë e çështjes, e thërret gjykatësi i procedurës paraprake dhe ajo ka për qëllim organizimin e shkëmbimeve ndërmjet palëve. Në këtë konferencë, Prokuroria tregon çfarë lloji të provave disponon.

Avokati i Thaçit, Luka Mishetiq.
Avokati i Thaçit, Luka Mishetiq.
Avokati i Thaçit, Luka Mishetiq.
Avokati i Thaçit, Luka Mishetiq.

Avokati i Thaçit, Luka Mishetiq bëri kërkesën që ZPS-ja të listojë dëshmitarët që dëshiron të thërrasë që të japin dëshminë e tyre në sallën e gjyqit dhe ata që nuk ka gjasa që t'i thërrasë në sallë për të dëshmuar. Kjo kërkesë u mbështet edhe nga avokatët e të pandehurve të tjerë.

Por, nga ZPS-ja tha se koncepti i listës paraprake të dëshmitarëve është marrë nga një rast në Gjykatën Penale Ndërkombtare. ZPS-ja argumentoi se ka nisur nxjerrjen e materialeve dhe do të vazhdojë të bëjë një gjë të tillë për të gjithë dëshmitarët, duke argumentuar se prokuroria do të mbështesë të gjithë rastin e saj në dëshmitarët që ka, pavarësisht nëse ata do të thirren në sallën e gjyqit për të dëshmuar.

Megjithatë, ZPS-ja tha se është e gatshme që të identifikojë për mbrojtjen dëshmitarët që nuk do të thërrasë në sallë, por që do të përdorë dëshmitë e tyre.

Prokuroria nuk ka datë për nisjen e gjyqit

Gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou kërkoi që Zyra e Prokurorit të Specializuar që të tregojë nëse qëndron ende muaji tetor, si afat për dorëzimin e dosjes paraprake dhe se në cilën fazë të hetimeve është prokuroria.

Nga ZPS-ja thanë se nuk kanë datë për nisjen e gjyqit dhe se hetimet "do të vazhdojnë për të ardhmen e parashikueshme", duke shtuar se hetimet janë në një fazë të avancuar.

Mbrojtja tha se prokuroria nuk mund të bëjë hetime të pafundme dhe shtoi se derisa të marrin të gjitha materialet e nxjerra nga ZPS-ja, nuk mund të ndërtojnë mbrojtjen e tyre.

Mbrojtja kritikon ZPS-në për nxjerrjen e materialeve

Po ashtu, ZPS-ja tha se në këtë rast janë përafërsisht pesë dëshmitarë ndërkombëtarë.

Zyra e Prokurorit të Specializuar tha se ka vazhduar nxjerrjen e materialeve dhe që nga konferenca e fundit statusore, janë nxjerrë të paktën 14 pako me materiale. Ndër to, thanë se janë edhe katër pako, me materiale potencialisht shfajësuese, që janë përmendur nga mbrojtja e Jakup Krasniqit.

Mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së kritikoi Zyrën e Prokurorin e Specializuar për zvarritjen e nxjerrjes së materialeve dhe ndryshimin e afatit për dorëzimin e materialeve dhe masave mbrojtëse. Mbrojtësi i Thaçit, Luka Mishetiq kërkoi që gjykatësi të caktojë një afat për dorëzimin e për tri raportet e ekspertëve, që paralajmëroi prokuroria.

Ndërkaq, mbrojtja e Veselit tha se gjykatësi duhet të caktojë një afat dhe pas tij, të mos pranohen materialet që dorëzon prokuroria.

Avokati i Rexhep Selimit, David Young kërkoi që mbrojtja, deri në muajin gusht të ketë listën e dëshmitarëve, në mënyrë që të mund ta përgatisë rastin.

ZPS-ja tha se ka nxjerr materiale të mjaftueshme me të cilat mund të merret mbrojtja. Por, avokati i Thaçit, Mishetiq, tha se mbrojtja kërkon informacione, veçanërisht për dëshmitarët që ka prezantuar prokuroria.

“Mbrojtja nuk po kërkon nxjerrje të materialeve, për të cituar ‘për të na mbajtur ne të zënë’. Ne po kërkojmë materiale të cilat ne mund t’i kategorizojmë, kur të kemi të gjitha dëshmitë. Ne do të kategorizojmë se çfarë na duhet për të prioritizuar për hetimet tona. Po, ka pasur volum të madh të materialeve që janë nxjerrë, por shumica e këtyre materialeve nuk mund të jetë e rëndësishme për të gjithë të akuzuarit. Por, nxjerrja e dokumenteve në letër nuk e ndihmon mbrojtjen, nuk ne nuk e kemi të gjithë informacionin. Në këtë fazë, janë 102 nga rreth 200 dëshmitarë, për të cilët nuk kemi asnjë informacion”, tha Mishetiq.

Në fund të konferencës statusore, gjykatësi Guillou propozoi që konferenca e radhës të mbahet më 13 apo 14 shtator dhe mbrojtja nuk pati kundërshti për këto data.

Për çka akuzohen ish-krerët e UÇK-së?

Ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aktakuza kundër Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit

Që nga nëntori i vitit 2020 ata gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tyre.

Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.

Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë, përkatësisht në Kukës dhe Cahan.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

XS
SM
MD
LG