Ndërlidhjet

UEFA dënon klubet Crvena Zvezda dhe Borac Banjalluka për sjelljen e tifozëve pas vdekjes së Mlladiqit

Tifozët e Partizanit të Beogradit po ashtu kanë vendosur një banerë me portretin e Mlladiqit gjatë një ndeshjeje në ligën serbe. 31 gusht 2026.
Tifozët e Partizanit të Beogradit po ashtu kanë vendosur një banerë me portretin e Mlladiqit gjatë një ndeshjeje në ligën serbe. 31 gusht 2026.

Federata Evropiane e Futbollit (UEFA) ka dënuar klubin Crvena Zvezda të Beogradit dhe Borac Banjalluka për sjelljen raciste të tifozëve të tyre, pasi në ndeshjet e këtyre klubeve në garat evropiane iu bë homazh Ratko Mlladiqit, të dënuarit për gjenocid dhe krime të tjera të luftës.

Në ditën e vdekjes së Mlladiqit më 27 gusht, tifozët e Zvezda-s në ndeshjen kundër klubit futbollistik, Viktoria Plzen në Çeki shpalosën pankarta me mbishkrimin “Gjeneral, lavdi e madhe dhe faleminderit”, ndërsa brohoritën emrin e Ratko Mlladiqit. Për këtë arsye, Qendra Përkujtimore e Srebrenicës kërkoi nga UEFA që ta përjashtojë përgjithmonë klubin nga Beogradi.

Komisioni Disiplinor i UEFA-s njoftoi se Crvena Zvezda është dënuar me një gjobë prej gati 100.000 eurosh për sjellje raciste dhe brohoritje të papërshtatshme nga tifozët, si dhe me ndalimin e shitjes së biletave për tifozët e saj për ndeshjen e radhës si mysafir në një garë evropiane.

Gjatë ndeshjes, tifozët e klubit të Beogradit shpalosën pankarta me mbishkrimin “Gjeneral, lavdi e madhe dhe faleminderit ”, ndërsa brohoritën emrin e Ratko Mlladiqit. Më pas, FK Crvena Zvezda publikoi në profilet e saj zyrtare në rrjetet sociale fotografi ku pankartat në fjalë shihen qartë.

Për shkak të sjelljes raciste dhe/ose diskriminuese të tifozëve, Zvezda u gjobit me 40.000 euro, ndërsa për transmetimin e një mesazhi të papërshtatshëm për një ngjarje sportive u gjobit me 50.000 euro. Klubi u gjobit edhe me 8.250 euro për sjelljen e pahijshme të ekipit gjatë ndeshjes si mysafir në Plzen.

Ish-gjenerali i Ushtrisë së Republikës Sërpska, Ratko Mlladiq, u dënua me burgim të përjetshëm nga gjykata në Hagë, pasi u shpall fajtor për gjenocidin në Srebrenicë, përndjekjen dhe zhvendosjen me forcë të popullsisë, terrorizimin e civilëve gjatë rrethimit të Sarajevës, si dhe marrjen peng të pjesëtarëve të forcave paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara.

Në vitin 2021, Mlladiq u dënua për 10 nga 11 pikat e aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Tribunali i Hagës konstatoi se Mlladiq ishte fajtor për gjenocidin ndaj rreth 8.000 boshnjakëve në Srebrenicë - zonë e mbrojtur e Kombeve të Bashkuara (OKB) - në verën e vitit 1995.

Mlladiq u shpall fajtor për pjesëmarrje në një ndërmarrje të përbashkët kriminale, që synonte largimin e përhershëm të myslimanëve dhe kroatëve të Bosnjës përmes përndjekjes, shfarosjes, vrasjeve, zhvendosjes së detyruar dhe dëbimit.

Ish-komandanti i Ushtrisë së Republikës Sërpska u shpall fajtor edhe për pjesëmarrje në një ndërmarrje të përbashkët kriminale në Sarajevë, për përhapjen e terrorit mes popullsisë civile përmes sulmeve me snajper dhe granatimeve, vrasjeve, terrorizimit dhe sulmeve të paligjshme ndaj civilëve.

Ai u shpall fajtor edhe për ndërmarrjen e përbashkët kriminale që lidhej me marrjen e pengjeve, për shkak të kapjes së pjesëtarëve të OKB-së dhe mbajtjes së tyre në lokacione strategjike ushtarake, me qëllim parandalimin e sulmeve të tjera ajrore të NATO-s ndaj objektivave ushtarake të serbëve të Bosnjës.

Mlladiq u lirua nga akuza për gjenocid në gjashtë komuna të Bosnje e Hercegovinës gjatë vitit 1992 - Prijedor, Sanski Most, Kluç, Kotor-Varosh, Foçë dhe Vllasenicë.

Në ndeshjen e Borac Banjalluka kundër Vikingur Reykjavik, më 27 gusht, në ditën e vdekjes së Mlladiqit, në tribunat e stadiumit të qytetit në Banjallukë iu bë homazh Mlladiqit.

Komisioni Disiplinor i UEFA-s njoftoi se klubi nga Banjalluka, për shkak të sjelljes raciste dhe/ose diskriminuese të tifozëve, është dënuar me 30.000 euro, ndërsa është urdhëruar mbyllja e pjesshme e stadiumit për ndeshjen e radhës të Borac-it në një garë evropiane.

Borac është dënuar edhe me 4.000 euro për sjelljen e pahijshme të ekipit, me 3.500 euro për ndezjen e mjeteve piroteknike, ndërsa anëtari i stafit teknik, Bogolub Zhelkoviq, është dënuar me 2.000 euro për fyerjen e zyrtarit të ndeshjes.

XS
SM
MD
LG