Ndërlidhjet

Vazhdojnë luftimet në Gouta, pavarësisht pauzës humanitare


Gouta Lindore, Siri

Luftimet kanë vazhduar në enklavën e Goutas Lindore në Siri edhe gjatë ditës së parë të “pauzës 5-orëshe” të tyre, të urdhëruar nga aleatja e Qeverisë siriane, Rusia.

Aktivistët thanë se forcat qeveritare kanë kryer disa sulme ajrore dhe me artileri, ndërsa Rusia tha se rebelët kanë bombarduar një “korridor humanitar”, i paraparë për t’iu mundësuar civilëve të largohen.

Për rrjedhojë, nuk ka pasur shpërndarje të ndihmave humanitare nga Kombet e Bashkuara dhe as evakuime mjekësore.

Rreth 393,000 njerëz janë të bllokuar në Goutan Lindore, e cila është e rrethuar nga forcat qeveritare qysh në vitin 2013.

Mjekët thonë se mbi 500 njerëz janë vrarë prejse regjimi ka intensifikuar bombardimet, nëntë ditë më parë, në përpjekje për të rimarrë kontrollin e enklavës.

Shtetet e Bashkuara dhe Franca i bënë sërish thirrje Rusisë që të shfrytëzojë ndikimin e saj mbi presidentin sirian, Bashar al-Assad, për të ndaluar luftimet.

Të shtunën, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka miratuar një rezolutë që kërkon ndërprerjen e armiqësive në gjithë Sirinë, por ajo nuk e përcakton datën e fillimit të armëpushimit.

“Rusia është një nga aktorët e vetëm që mund të bindë regjimin të zbatojë rezolutën”, tha ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Yves Le Drian, në takim me homologun rus, Sergei Lavrov, në Moskë.

“Regjimi sirian dhe mbështetësit e tij rusë dhe iranianë vazhdojnë të sulmojnë Goutan Lindore, një lagje me popullsi të dendur pranë Damaskut, pavarësisht armëpushimit të thirrur nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së”, tha në një postim në Twitter zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Heather Nauert.

“Regjimi thotë se po lufton terroristët, por ai po terrorizon qindra-mijëra civilë me sulme ajrore, artileri dhe raketa”, tha ajo.

“Përdorimi i gazit të klorit si armë vetëm se rrit mjerimin e popullsisë civile”, tha Nauert, duke iu referuar dyshimeve se ushtria siriane ka kryer një sulm kimik në Goutan Lindore, në fundjavë.

Gouta Lindore, Siri
Gouta Lindore, Siri

Ndaj sulmit të dyshuar kimik reagoi edhe sekretari i Jashtëm britanik, Boris Johnson.

“A mund të lejojmë përdorimin e armëve kimike, a mund të lejojmë që përdorimi i këtyre armëve të kalojë pa u qortuar, pa u ndëshkuar? Nëse ka prova të pakundërshtueshme për përdorimin e armëve kimike, të verfikuara nga Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike, nëse e dimë se sulmi kimik ka ndodhur dhe nëse ka propozime për veprim ku Mbretëria e Bashkuar mund të jetë e dobishme, atëherë mendoj se duhet ta konsiderojmë seriozisht”, tha Johnson për Radio BBC-në në Londër.

Kombet e Bashkuara thanë se luftimet e vazhdueshme në Goutan Lindore i bëjnë të pamundura operacionet e ndihmës.

“Shihet qartë që situata në terren nuk është e tillë që konvojët të mund të hyjnë brenda”, tha Jens Laerke, zëdhënës i Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Ndihmave Humanitare.

Më 26 shkurt, Rusia ka njoftuar se “pauza e përditshme humanitare” do të zhvillohet nga ora 9:00 deri në orën 14:00, sipas kohës lokale.

Rusia po ashtu ka thënë se do të krijohet një "korridor humanitar" për t’iu mundësuar civilëve të largohen nga zona e rrethuar.

Por, Kremlini tha sot se e ardhmja e “pauzës humanitare” në Gouta do të varet nga veprimet e luftëtarëve rebelë.

“Varet se si sillen grupet terroriste, nëse ato do të hapin zjarr, nëse do të vazhdojnë me provokime…”, u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Siria dhe aleatët e saj, Rusia dhe Irani, shpesh u referohen rebelëve sunitë si “terroristë”, përfshirë grupet që kanë aleanca me vendet perëndimore dhe ato arabe, si dhe grupet ekstremiste si Shteti Islamik.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG