Ndërlidhjet

Vëmendje "momentale" kundër diskriminimit


Disa fëmijë nga komuniteti rom duke luajtur në fshatin Plemetin afër Prishtinës, prill 2019.

Kenan Aliu i komunitetit ashkali nga Ferizaj thotë se i është dashur t’i përgatisë pesë fëmijët e tij se në shkollë mund të ballafaqohen me paragjykime dhe ofendime. Kjo pasi, siç thotë ai, edhe vetë është ballafaquar me to.

“Mua si fëmijë më ka ndodhur... Në atë kohë, një mësuese më pati thënë, pse ti fytyra e zezë, je ulur në dy karrige e unë në asnjë?! Unë e kisha pasur një karrige më tepër. Kjo ka ndodhur para lufte, në shkollën fillore ‘Tefik Çanga’. Por, gjithmonë u kam thënë fëmijëve se nuk duhet të ndalen edhe pse janë të diskriminuar”, thotë Aliu.

Tre fëmijë të tij janë në shkollë fillore, kurse dy të tjerë tashmë në të mesmen. Aliu thotë se prioritet në jetë e ka shkollimin e tyre, edhe pse ka vështirësi.

“Tash, ndodh se e anashkalon recitimin e fëmijës kur ka gjuhë letrare apo ndonjë manifestim”, thotë Aliu, i cili njëkohësisht është nënkryetar i Këshillit Drejtues të shkollës fillore “Ahmet Hoxha” në Ferizaj.

Disa nga ankesat e prindërve, sic thotë ai, kanë të bëjnë edhe me refuzimin që të ulen në një bankë me nxënësit e këtyre komuniteteve.

“Diskriminimi është ‘armë’ shkatërruese, fëmijëve ua humbë karrierën dhe vullnetin, sepse të gjithë nuk i kanë ndjenjat e njëjta”, shprehet ai.

Çështja e trajtimit të nxënësve nga komunitetet rom, ashkalinj dhe egjiptian në Kosovë është aktualizuar pasi më 17 maj në media në Kosovë është raportuar se disa nxënës nga këto tri komunitete të shkollës fillore “Xhemajl Kada” në Pejë, gjatë Festës së Abetares, ishin ulur ndaras nga fëmijët e tjerë.

Mësuesja e tyre nga komuniteti shqiptar, kishte deklaruar se ashtu kishte qenë dëshira e fëmijëve, kurse fëmijët thanë se mësuesja u kishte thënë të ulen ashtu.

Më vonë e njëjta mësuese ka thënë se këta fëmijë nuk ishin moshatarë me pjesëmarrësit e festës, prandaj nuk iu takonte t’iu bashkoheshin atyre.


Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, pasi ka vizituar shkollën një ditë më vonë, ka deklaruar se “diskriminimi nuk ka vend në shkolla”, duke shtuar se inspektorët e ministrisë janë duke e shqyrtuar këtë rast.

Nagavcia ka pranuar se Kosova “si shoqëri ka akoma shumë punë për të bërë në fushën e gjithëpërfshirjes dhe dhënien e mundësive të barabarta të gjithë fëmijëve, e sidomos atyre që janë të margjinalizuar”.

Vëmendja e institucioneve për trajtimin e nxënësve të komuniteteve rom, ashkalinj dhe egjiptas zgjat tri ditë pas ndonjë skandali eventual dhe pastaj, vazhdon diskriminimi i tyre nëpër shkolla, thonë Bajram Ilazi, zyrtar i programit të edukimit në organizatën “Zëri i romëve, ashkalinjve dhe egjiptianëve” dhe Bashkim Ibishi, drejtor i organizatës “Advancing Together’’.

Por, Bajram Ilazi shton se rastet e diskriminimit ndaj nxënësve të këtyre tri komuniteteve nuk janë të izoluara dhe kjo ndodh në shumicën e shkollave në Kosovë.

Sipas tij, janë disa lloje të diskriminimeve që kanë vërejtur gjatë vizitave nëpër shkolla ku vijojnë mësimin fëmijët e komuniteteve rom, ashkalinj dhe egjiptas.

“Në hapësirat e shkollave nuk ka ndonjë simbol për këto komunitete. Pastaj, nxënësit e këtyre komuniteteve ulen në bankat e fundit të klasave, apo janë të ulur në një rend të veçantë. Këta fëmijë madje paragjykohen se janë të papastër dhe që fëmijët tjerë nuk duhet të shoqërohen me ta”, thotë ai për Radio Evropa e Lirë.

Shumica e pjesëtarëve të komuniteteve ashkali dhe atij egjiptian e flasin gjuhën shqipe, rrjedhimisht fëmijët procesin mësimor e ndjekin në shkollat shqipe.

Kurse, shumica e nxënësve të komunitetit rom mësojnë në shkollat në gjuhën serbe apo boshnjake, varësisht nga komuna ku jetojnë. Shkolla në gjuhën rome nuk ka.

Misioni i Urmës për t’i mësuar gjuhën komunitetit të saj
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:04:34 0:00

Një hulumtim i quajtur “Vështirësitë që hasin nxënësit e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në shkollim” , publikuar në vitin 2019 nga Qendra e Kosovës për Arsim, ka identifikuar se diskriminimi ndaj fëmijëve të këtyre komuniteteve ekziston edhe nga mësimdhënësit, por edhe nga bashkëmoshatarët.

Në raport thuhet se gjatë vizitave në komunat e Kosovës është raportuar për një qasje jo të duhur të mësimdhënësve ndaj nxënësve të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, kurse nga bashkëmoshatarët ka pasur ngacmim, përjashtim e forma të tjera të bullizimit.

Në shumë raste, ata janë ofenduar me fjalë dhe shprehje raciste dhe në rastet më të lehta ata janë përjashtuar nga shoqëria në aktivitete të ndryshme shkollore, por edhe sociale brenda dhe jashtë shkollës, thuhet në hulumtim.

Me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, arsimi fillor është i detyrueshëm dhe pa pagesë.

Mosdiskriminimi dhe procesi i përfshirjes së komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në sektorin e arsimit në Kosovë, është adresuar nëpërmjet disa ligjeve, dy strategjive dhe disa udhëzimeve administrative.

Ligjet për arsim garantojnë shkollim të barabartë për të gjitha komunitetet pakicë në Republikën e Kosovës.

Bashkim Ibishi, nga organizata “Advancing Together’’, e cila merret me promovimin e drejtave të njeriut, e vlerave të barazisë, përfshirjes e diversitetit, thotë se zbatimi i ligjeve sa i përket këtyre çështjeve nuk ekziston në Kosovë.

“Rritja e përfshirjes në shkolla nuk zbatohet pasi nuk ka vullnet politik. Kurse, sa i përket diskriminimit, fëmijët dhe qytetarët nuk janë të njoftuar dhe nuk dinë t’i mbrojnë të drejtat e veta”, shprehet Ibishi.

Sipas Bajram Ilazit, me bazën ligjore, përfaqësues të shkollave po krenohen se po arrijnë të integrojnë në procesin arsimor fëmijët e këtyre komuniteteve.

“Këtu krijohet përshtypje se këta fëmijë kanë ardhur në Kosovë nga ndonjë shtet qe 10 vjet dhe kanë nevojë për integrim. Fëmijët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian nuk kanë nevojë për integrim, po kanë nevojë për gjithëpërfshirje dhe trajtim të barabartë brenda klasës dhe hapësirave të shkollave”, thotë Ilazi.

Ministri e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit pretendon se ka ndërmarrë një varg politikash gjithëpërfshirëse, sikurse ndarja e 500 bursave për nxënësit e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian.

Po ashtu, për këtë vit është paralajmëruar edhe përkrahja e studentëve nga këto komunitete, me synim ata të Fakultetit të Edukimit, në mënyrë që të krijohen kuadro që do të punojnë në shkolla.

Në Kosovë, sipas të dhënave të fundit të regjistrimit të popullsisë, thuhet se jetojnë 8.824 romë, 15.436 ashkalinj dhe 11.524 egjiptianë.

Kurse, në shkolla fillore, sipas statistikave të Agjencisë se Statistikave të Kosovës, në vitin shkollor 2020/2021 procesin e mësimor e kanë zhvilluar 3.755 ashkalinj, 1.067 romë dhe 1.125 egjiptianë. Numër më i vogël paraqitet në shkolla të mesme.

Numri më i madh i këtyre komuniteteve jeton në Ferizaj, Gjakovë dhe Fushë Kosovë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG