Ndërlidhjet

“Oh, nuk e dinim se je rome”


Sabina Berisha nga Prizreni, thotë se nuk po mund të gjejë një vend pune për shkak se i përket komunitetit rom.

Sabina Berisha, 22-vjeçare nga Prizreni, thotë se nuk mund të gjejë punë, për shkak se i përket komunitetit rom.

“’Oh, nuk e dinim se je rome’”, kjo është gjëja e parë që ata më thonë sa herë që shkoj në intervista pune”, tha ajo për Radion Evropa e Lirë. Berisha shton se më pas u shpjegon atyre se ajo studion anglisht dhe se është jashtëzakonisht aktive brenda komunitetit të saj.

“Pastaj ata janë të shokuar se si një e re rome mund të jetë kaq aktive dhe unë ju them se edhe ne jemi pjesë e Kosovës”, shton ajo.

Aktualisht, Sabina Berisha është vetëm aktiviste për të drejtat e komunitetit rom dhe përmes angazhimit vullnetar në projekte të ndryshme, ajo thotë se po përpiqet që të çrrënjosë paragjykimin që ekziston ndaj komunitetit të saj “se ata (romët) janë të paarsimuar”. Ajo thotë se dëshiron që një ditë të bëhet ligjëruese e gjuhës angleze në ndonjë shkollë.

“Nuk është e lehtë, por përmes punës dhe arsimit mund të luftojmë (paragjykimet). Shumë njerëz kanë paragjykime, por ne duhet të punojmë në këtë drejtim”, tha Berisha, e cila mori pjesë në Festivalin Multikulturor që nisi më 2 qershor në Prishtinë.

Ky festival, që po mban edicionin e tretë, po organizohet nga organizata joqeveritare “Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve”, dhe ka për qëllim të ngrehë vetëdijen për barazinë për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.

Komitetet rom, ashkali dhe egjiptian (RAE), sipas Kushtetutës së Kosovës, konsiderohen si komunitete joshumicë. Këto komunitete kanë ulëse të garantuara në Kuvendin e Kosovës.

Sipas të dhënave të regjistrimit të popullsisë të kryer më 2011, thuhet se në Kosovë jetojnë 8.824 romë, 15.436 ashkali dhe 11.524 egjiptianë. Pra, romët përbëjnë 0.51 për qind të popullsisë, ashkalitë 0.89 dhe egjiptianët 0.66 për qind të popullsisë së përgjithshme.

Këtë vit, tema e Festivalit Multikulturor ishte “Gruaja, arkitekte e shoqërisë”. Kjo moto u vendos me qëllim që të tregojë rëndësinë e grave në shoqëri, por edhe për problemet me të cilat përballen pjesëtarët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian.

“Ato përballen me diskriminim të dyfishtë, kryesisht sepse janë pjesëtare të një bashkësie etnike, por edhe për faktin se janë gra”, tha për Radion Evropa e Lirë, Isak Skenderi, drejtori i organizatës “Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve”.

Edhe ashkalitë dhe egjiptianët përballen me paragjykime

Remzije Makreshi nga Fushë Kosova është vetëm 16 vjeçe, por ajo tashmë është një aktiviste me përvojë për të drejtat e komunitetit ashkali, komunitet të cilit ajo i përket.

“Në klasën time, mësuesja nuk punon me ne siç punon me shqiptarët sepse ne jemi ‘ciganë’. Është gjë shumë e keqe, nuk di si ta them, por jo të gjithë janë njësojë”, tha Makreshi për Radion Evropa e Lirë, teksa mori pjesë në festival.

Edina Aslani, 18-vjeçare, që i përket komunitetit egjiptian, gjithashtu thotë se përballet me paragjykime.

“Ne përballemi me shumë (paragjykime), me ngjyrën e lëkurës, por ne po luftojmë që t’i çrrënjosim këto paragjykime”, shprehet ajo.

Ajo shton se paragjykimet lufton përmes edukimit, performancës dhe trajnimit.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, që mori pjesë në festival, përcolli para të pranishmëve mesazhin që institucionet e Kosovës do të ndërmarrin hapa konkretë në mënyrë që të përmirësojnë pozitën e komuniteteve RAE në shoqërinë e Kosovës.

Në luftë kundër “anti-ciganizmit”

Drejtori i organizatës “Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve”, Isak Skenderi, tha se organizata që ai udhëheq, aktualisht po punon për të zhdukur “anti-ciganizmin”, që sipas tij, është faktori kryesor që po ndikon në përjashtim nga shoqëria të këtyre komuniteteve.

“‘Anti-ciganizmi’ është një formë specifike e diskriminimit racor, që ndërlidhet me urrejtjen dhe margjinalizimin, veçanërisht të komunitetit rom. E rëndësishme për ne është që institucionet ta njohin ‘anti-ciganizmin’ si faktor kryesor të përjashtimit të komuniteteve nga shoqëria dhe të punojnë për ta luftuar këtë gjë. Ne kemi pasur deklarata të forta, jo vetëm nga presidentja Osmani, por edhe nga kryeministri (Albin) Kurti për këtë çështje. Ne presim që fjalët e tyre të shndërrohen në veprime dhe kjo të ndikojë në përmirësimin e pozitës së këtyre komuniteteve”, theksoi Skenderi.

Ai thotë se shumë persona në Kosovë nuk e dinë se si manifestohet “anti-ciganizmi” dhe se si ndikon te jeta e njerëzve.

Mes urrejtjes dhe pamundësisë për integrim
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:03:25 0:00

“Këto janë gjëra që jo vetëm duken, por edhe dëgjohen, por edhe ato që nuk duken dhe dëgjohen prekin këto komunitete. Ky është një faktor për të cilin duhet të punojmë dhe duhet ta eliminojmë nëse duam që të kemi barazi në shoqëri”, theksoi Skenderi.

Ai shtoi se organizata joqeveritare “Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve” po punon që të edukojë edhe zyrtarët qeveritarë rreth “anti-ciganizmit”.

“Më besoni, edhe njerëzit që e konsiderojnë veten liberalë dhe të hapur, kur e kuptojnë se si shfaqet ‘anti-ciganizmi’, e kuptojnë se edhe ata e bëjnë një gjë të tillë. Jo me vetëdije, por e bëjnë në mënyrë të pavetëdijshme”, tha ai.

Këshilli i Evropës ka hartuar një manual për ta luftuar “anti-ciganizmin”, ku ndër të tjera thuhet se “shumë shpesh, në vend se të flitet për problemet me të cilat përballen romët, ata flasin për ‘problemet me ciganët’ për shkak të ‘ciganizmit’ të tyre. Vetë termi ‘ciganizëm’, ekskluzivisht ka kuptim negativ”.

Në këtë manual po ashtu thuhet se “anti-ciganizmi” mund të luftohet vetëm nëse njerëzit e pranojnë ekzistencën e tij. “Asgjë nuk mund të ndryshojë nëse njerëzit nuk janë të vetëdijshëm se kjo gjë është realitet. Problemi nuk është një anëtar i komunitetit rom, por ‘anti-ciganizmi’. Çelësi qëndron në luftën kundër stereotipave negativë, që bëhet duke i sfiduar, në ndërveprim të drejtpërdrejtë midis njerëzve, në media dhe përmes edukimit”, thuhet në manual.

Çfarë thotë Qeveria e Kosovës për komunitetet RAE?

Që nga viti 2008, Qeveria e Kosovës ka një strategji për integrimin e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian si dhe një Plan Veprimi për zbatimin e kësaj strategjie, ku përfshihet edhe identifikimi i zonave me rëndësi të veçantë për integrimin e këtyre komuniteteve.

Një pjesëmarrëse në Festivalin Multikulturor në Prishtinë.
Një pjesëmarrëse në Festivalin Multikulturor në Prishtinë.

Megjithatë, komuniteti egjiptian kërkoi që të mos përfshihej në strategjinë për vitin 2017-2021, pasi nga ky komunitet vlerësuan se nuk duhet që të identifikohen së bashku me dy komunitetet e tjera (rom dhe ashkali), dhe kërkuan nga institucionet e Kosovës që të krijojnë një strategji të veçantë për integrimin në shoqërinë kosovare të këtij komuniteti. Por, kjo kërkesë, deri më tani nuk është realizuar.

Prandaj, në strategjinë e fundit janë përfshirë vetëm komunitetet ashkali dhe rom. Kjo strategji përmban katër fusha, që kërkojnë adresim: arsimi, punësimi e mirëqenia sociale, shëndetësia dhe banimi.

Cili është dallimi mes romëve, ashkalive dhe egjiptianëve?

Ashkalitë dhe egjiptianët pretendojnë se kanë një origjinë tjetër nga romët.

Ndryshe nga romët, të cilët kanë gjuhën e tyre dhe pjesëtarët e këtij komuniteti i përkasin feve të ndryshme, ashkalitë dhe egjiptianët në Kosovë flasin shqip dhe i përkasin besimit Islam.

Sipas tyre, ashkalitë e kanë origjinën nga Irani dhe kanë arritur në Ballkan në shekullin e 4-të.

Ndërkaq, egjiptianët pretendojnë se pasardhësit e tyre kanë ardhur në Ballkan nga Egjipti.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG