Ndërlidhjet

Frikë, pasiguri dhe mungesë furnizimesh në veri


Barrikada e vendosur në Rudarë nga serbët lokalë, 12 dhjetor 2022.

Qytetarët në pjesën veriore të Kosovës kanë nisur të përballen me mungesa barnash, furnizimesh të përditshme e parash në bankomate.

Për më tepër, janë të shqetësuar edhe për situatën e sigurisë, e cila, siç thonë, mund të përshkallëzojë në përleshje të armatosura.

Në këtë pjesë të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, grupe qytetarësh kanë bllokuar rrugët kryesore qysh më 10 dhjetor, për të kundërshtuar arrestimin e një ish-polici serb nga Policia e Kosovës.

Barrikadat janë ngritur në rrugët që çojnë kah vendkalimet kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak, e që shpesh shfrytëzohen nga banorët e asaj ane për furnizime dhe vizita - qoftë mjekësore apo të tjera.

“Shkollat nuk punojnë, gjithçka është e mbyllur. Ushqimi është gjithnjë e më i paktë nëpër shitore. Nuk ka para në llogaritë që njerëzit i kanë në bankat serbe. Ka disa ditë që paratë nuk arrijnë në bankomate, sepse nuk mund të sillen përmes rrugëve alternative, ndërsa përmes vendkalimeve [kufitare] është e ndaluar të sillen. Të gjitha këto e vështirësojnë jetën”, thotë për Radion Evropa e Lirë publicisti serb, Dejan Nedelkoviq, i cili jeton në Banjskë të Komunës së Zveçanit.

Sipas tij, disa banorë i kanë dërguar fëmijët e tyre në Serbi, ndërsa në veri “kanë mbetur ata që nuk kanë ku të shkojnë”.

Video: Qytetarët në veri tregojnë se si po ua vështirësojnë lëvizjen barrikadat

Situatën, ngjashëm e përshkruan edhe Verolub Petroniq, nga organizata joqeveritare Qendra Humane në Mitrovicë të Veriut. Ai thotë se më e keqja me të cilën po përballen qytetarët, është frika.

“Janë disa lloje frikash. Së pari, është frika lidhur me sigurinë. Së dyti, është frika lidhur me shëndetin, sepse dalëngadalë ka nisur mungesa e barnave. Barnatoret, shitoret, herë punojnë e herë jo. Ende ka furnizime, por pakësimi i sasive të tyre nëpër shitore është evident, ndërsa është evidente edhe ngritja e çmimeve. Disa tregtarë i kanë mbyllur fare. Kafenetë nuk punojnë, me siguri disa për shkak të frikës e disa me urdhër”, thotë Petroniq për Radion Evropa e Lirë.

Video: Qytetarët nga Kroi i Vitakut: "Nuk kemi siguri"

Shantazh për të qëndruar në barrikada?

Të gjitha vështirësitë me të cilat përballen qytetarët në veri të Kosovës, janë produkt i barrikadave që kanë bllokuar qarkullimin e lirë nëpër katër komunat e veriut mes vete - Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok, Leposaviq - si dhe drejt vendkalimeve kufitare Kosovë-Serbi, thotë Aleksandar Jabllanoviq, udhëheqës i Partisë së Serbëve të Kosovës.

Për vendosjen e barrikadave, ai fajëson Listën Serbe - partinë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Sipas tij, Lista Serbe i shantazhon qytetarët serbë për të qëndruar në barrikada.

Ai thotë se shumë prej tyre varen nga puna në institucionet publike, që funksionojnë nën sistemin e Serbisë e që kontrollohen kryesisht nga Lista Serbe.

“Për këtë arsye, ekzistojnë grupe në Viber, ku u bëhet thirrje, u bëhet presion njerëzve nga drejtorë të drejtorive të ndryshme, të cilët u thonë: ‘duhet të vini dhe nëse nuk vini, duhet ta arsyetoni këtë’, ose ‘nëse nuk vini dhe nuk e arsyetoni, do të keni pasoja’. Prandaj, njerëzit frikësohen, sepse nuk ekziston sistem i drejtësisë që mund t’i mbrojë”, thotë Jabllanoviq për Radion Evropa e Lirë.

Ai shton se, sipas informacioneve që ka, disa qytetarë serbë tashmë kanë nisur të refuzojnë të dalin pranë barrikadave. Kështu thotë edhe Nedelkoviq.

“Siç më kanë thënë miqtë e mi që janë atje në barrikada, në Zubin Potok, një numër i madh i njerëzve që punojnë në arsim dhe shëndetësi, refuzojnë të shkojnë në barrikada, sepse askush, në përgjithësi, nuk e sheh qëllimin”, thotë Nedelkoviq.

Frikë nga konflikti i armatosur

Sipas tij, frika më e madhe e qytetarëve është intervenimi i mundshëm i njësive speciale të Policisë së Kosovës për largimin e barrikadave, gjë që, siç thotë, mund ta përshkallëzojë më tej situatën.

Petroniq thotë se narracioni i autoriteteve në Prishtinë dhe atyre në Beograd, si dhe lajmet e rreme në media, kanë krijuar pasiguri totale te qytetarët serbë në veri të Kosovës.

“Shumica e serbëve tash frikësohet nga vendimet e Qeverisë së Kosovës, se çfarë do të bëjë policia, a do t’i mbrojë [misioni i NATO-s] KFOR-i dhe a do të ndodhë ndonjë konflikt... Gjithashtu, ata që janë në barrikada, frikësohen se mos dikush i paftuar vjen anash dhe prish sigurinë, në kuptimin që të shkaktohet ndonjë përplasje e ashpër me armë zjarri, qoftë me KFOR-in apo me Policinë e Kosovës, dhe në këtë mënyrë të krijohet kaosi, pas të cilit nuk mund të ketë më kthim prapa”, thotë Petroniq.

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka shkruar më 17 dhjetor në Facebook se “çdo çast i kaluar nën bllokim të barrikadave, të ngritura nga grupe të armatosura e kriminale, është i tepërt”.

“Institucionet e Republikës së Kosovës i kanë të gjitha kapacitetet për t’i larguar barrikadat dhe, në koordinim me partnerët tanë ndërkombëtarë, janë duke vlerësuar situatën për reagim adekuat”, ka shkruar Sveçla.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Qeverisë së Kosovës me pyetjet se a do të ketë ndonjë reagim në veri të Kosovës për heqjen e barrikadave dhe si mund të adresohet frika e qytetarëve serbë, por deri në publikimin e këtij artikulli, nuk ka marrë përgjigje.

Autoritetet në Serbi kanë thënë se Qeveria e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, po përgatitet “t’i përndjekë” serbët nga Kosova.

Pretendimet e tilla - që nuk janë mbështetur me asnjë provë - janë hedhur poshtë nga zyrtarë të Qeverisë së Kosovës.

I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë më 13 dhjetor, ka thënë se njerëzit që i kanë ngritur barrikadat, duhet t’i largojnë ato.

“Fati ynë, Policia e Kosovës e qetë dhe serioze”

Jabllanoviq nuk pret të ketë përplasje të armatosur në barrikada - të paktën jo të nxitur nga Policia e Kosovës, thotë ai.

“E shoh se kësaj here ekziston një dozë e madhe e qetësisë dhe e seriozitetit te Policia e Kosovës dhe, për fatin tonë, në mesin e këtyre rrethanave të mira, të mos arrihet deri tek incidentet e tilla. Por, e rëndësishme është - këtë duhet ta dijë opinioni - se njerëzit që kanë marrë mbi vete të drejtën për të organizuar barrikada, për të organizuar shtabe të krizave, ata thonë ‘ne po e bëjmë këtë’. Në qoftë se ju jeni kryetar i Listës Serbe ose deri dje keni qenë kryetar në ndonjë komunë, ju sot më nuk jeni"

"Në emër të kujt po i thërrisni njerëzit dhe në emër të kujt i bëni barrikadat dhe shtabet e krizave? Këtyre njerëzve duhet t’iu bëhet e ditur që sot - që nesër të mos jetë vonë - se ata do të përgjigjen për të gjitha ato që do të dalin si pasoja nga barrikadat”, thotë Jabllanoviq.

Çka u ka paraprirë barrikadave?

Policia e Kosovës ka arrestuar më 10 dhjetor ish-policin serb, Dejan Pantiq, nën akuzat se ka marrë pjesë në sulme kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.

Si përgjigje, grupe serbësh në veri kanë ngritur barrikada.

Sulmet, për të cilat akuzohet Pantiq, kanë ndodhur derisa KQZ-ja po përgatitej për zgjedhjet lokale në veri - fillimisht të parapara për 18 dhjetor, por që më pas janë shtyrë për në prill të vitit të ardhshëm.

Komunat në veri kanë mbetur pa kryetarë qysh në fillim të nëntorit, pasi ata kanë dhënë dorëheqje në shenjë kundërshtimi ndaj një vendimi të Qeverisë së Kosovës për t’i riregjistruar makinat me targa të paligjshme serbe.

Dorëheqje nga institucionet e Kosovës kanë dhënë edhe zyrtarë të tjerë serbë nga veriu.

Komuniteti ndërkombëtar, përfshirë BE-në dhe SHBA-në, është inkuadruar në kërkimin e një zgjidhjeje paqësore.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG