Ndërlidhjet

Luftëtari i dënuar në Donbas, në barrikadat në veri të Kosovës


Nikolla Joviq ka publikuar fotografi në Facebook, duke thënë se gjendet në Rudarë të Zveçanit.

Disa ditë pasi disa serbë lokalë bllokuan rrugët në veri të Kosovës, barrikadat u vizituan nga një shtetas serb i dënuar për pjesëmarrje në forcat ruse gjatë luftës në Ukrainë në vitin 2015.

Nikolla Joviq, i cili u dënua nga Gjykata e Lartë për pjesëmarrje në luftën në Ukrainë, veprim që ligji serb e dënon, ka publikuar në Facebook fotografi nga fshati Rudarë në komunën e Zveçanit në veri të Kosovës.

Në këtë vend, kamionët e disa serbëve lokalë janë përdorur për ta bllokuar rrugën që disa ditë, në shenjë pakënaqësie pas arrestimit të bashkëkombësit të tyre dhe ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq.

Pantiq u arrestua më 10 dhjetor, pasi që autoritetet e Kosovës dyshojnë se ai mori pjesë në sulmin ndaj zyrës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës.

Joviqi ka thënë se shkoi në veri të Kosovës si gazetar i medias shtetërore ruse Russia Today (RT). Në fotot e tij të publikuara më 13 dhjetor shihet një veturë e misionit të NATO-s në Kosovës, KFOR-it, flamuri i Serbisë në oborrin e një shtëpie, si dhe një tendë e ngritur nga disa banorë lokalë në fshatin Rudarë.

Joviq e ka publikuar edhe një fotografi të veten në Mitrovicën e Veriut në Kosovë.

"Në barrikada. Gjithmonë me njerëzit e mi", shkroi Joviqi përkrah fotove të publikuara.

Në njërën nga fotot e Joviqit, në Kosovë shihet edhe simboli i pushtimit ushtarak rus të Ukrainës, “Z”.

Ai gjithashtu ka postuar në Facebook se si raporton nga Kosova, si korrespondent i kanalit shtetëror rus Russia Today (RT).

RT filloi transmetimin online në gjuhën serbe më 15 nëntor me mesazhin "Kosova është Serbi".

RT-së, si një media e kontrolluar nga Kremlini dhe e financuar nga buxheti i shtetit, i ndalohet transmetimi në Bashkimin Evropian që nga marsi i vitit 2022.

Ky medium është cilësuar si mjet kyç për përhapjen e propagandës ruse dhe është bërë cak i një pakoje të sanksioneve ndaj Rusisë për luftën në Ukrainë.

Në tetor, Joviqi njoftoi në Facebook se atij i ishte ndaluar hyrja në Bosnje dhe Hercegovinë. REL-i nuk ka marrë përgjigje nga Policia e Kosovës nëse Joviqit i është lejuar të hyjë në Kosovë.

Radio Evropa e Lirë u përpoq të merrte informacion nga Joviq për qëndrimin e tij në Kosovë, por ai nuk pranoi t'u përgjigjet pyetjeve.

Në një përgjigje me shkrim në Facebook, ai përmendi pakënaqësinë me shkrimet e mëparshme të REL-it për të si arsye.

“Mbështetje për serbët” dhe raportimi nga veriu i Kosovës

Më 13 dhjetor, Joviq e përcolli mesazhin në Facebook se është e rëndësishme që "të jemi atje me vëllezërit tanë" me simbolin e flamurit serb, si dhe se do të jetë "i sigurt edhe për disa ditë" në Kosovë.

Në një postim tjetër të datës 11 dhjetor, Joviqi njoftoi për punësimin e tij në kanalin shtetëror rus RT, në të cilin flet në anglisht për situatën në Kosovë.

Në reportazhin e tij për RT-në, ai i përshkruan ngjarjet në veri të Kosovës si “provokim” të shqiptarëve dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili sipas tij po mundohet t’ia imponojë vullnetin e tij serbëve të Kosovës.

Në një postim në Facebook, ai shkroi se po përdor “pozitën e tij si korrespondent i shërbimit ndërkombëtar RT” për të informuar “opinionin botëror për situatën në krahinën tonë jugore dhe për terrorin e vazhdueshëm ndaj serbëve” në Kosovë.

Kosova e shpalli pavarësinë në vitin 2008, por Beogradi zyrtar nuk e njeh atë si shtet të pavarur. Me ndihmën e Rusisë, ndër vende të tjera, Serbia po bllokon anëtarësimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare.

Kremlini zyrtar fajëson Bashkimin Evropian për tensionet e fundit në veri të Kosovës për, siç tha zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme ruse, Maria Zakharova, "një dështim të madh të ndërmjetësimit në dialogun e ngecur".

BE-ja ka ndërmjetësuar negociatat ndërmjet Serbisë dhe Kosovës që nga viti 2011 dhe fton rregullisht në takime përfaqësues të dy vendeve në përpjekje për normalizimin e marrëdhënieve dhe në fund njohjen reciproke.

Përhapja e propagandës

Predrag Petroviq, drejtor i hulumtimit në Qendrën joqeveritare të Beogradit për Politikë të Sigurisë (BCBP), thotë për Radion Evropa e Lirë se prania e Joviqit në barrikada në vetvete nuk paraqet rrezik sigurie, megjithatë, ai thekson:

"Ajo që mund të paraqesë një sfidë sigurie është se si do të transmetohen ato lajme më tej, veçanërisht në kanalet pro-ruse dhe të krahut të ekstremit të djathtë. Vetë fakti që ai ishte atje mund të përdoret për qëllime propagandistike në ato kanale", thotë Petroviq.

Dezinformatat që po shoqërojnë tensionet në veri
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:01:59 0:00

Në pyetjen se sa ka kapacitet shteti i Serbisë për t'u marrë me të kthyerit nga fushëbetejat jashtë territorit të vet, Petroviq thotë se institucionet kompetente deri më tani nuk kanë treguar interes për risocializimin e këtyre njerëzve.

"Edhe njerëzit që shkuan për të luftuar kundër regjimit të Bashar al-Assad [presidentit të Sirisë] në Siri kanë mbetur në duar të veta, domethënë të komunitetit lokal për risocializim. E njëjta gjë vlen për ata që shkuan në fushëbetejën ukrainase”, thotë Petroviq.

Gazetari i dënuar

Joviq, siç ka raportuar më parë REL-i, njoftoi në shtator përmes llogarisë së tij në Facebook se kishte udhëtuar në rajonet Donjeck dhe Luhansk në rajonin e Donbasit të Ukrainës lindore, duke publikuar foto me disa ushtarë në uniformë.

Më pas ai deklaroi se kishte udhëtuar si gazetar.

Joviqi u prezantua në të njëjtin rol në shtator në një forum në "Shtëpinë Ruse", qendrën ruse për shkencë dhe kulturë në Beograd, ku foli për Ukrainën.

Megjithatë, Joviqi më parë nuk kishte shkuar në Ukrainë si gazetar, por si pjesëmarrës në luftë.

REL-i ka siguruar vendimin e Gjykatës së Lartë në Beograd, në të cilin, ndër të tjera, thuhet se në mars të vitit 2015, Joviq iu bashkua formacionit paraushtarak të "Brigadës së Shtatë" të "Republikës Popullore të Donjeckut" në lindje të Ukrainës.

“Brigada e Shtatë” është një formacion pro-rus që është në anën e separatistëve.

Në aktgjykim thuhet se Joviq kishte përdorur një pushkë automatike dhe se u largua nga Ukraina në prill të njëjtit vit. Joviq u deklarua fajtor në gjykatë.

Ai u dënua me një vit burgim me kusht, sepse pjesëmarrja në luftë në një fushëbetejë të huaj në Serbi është vepër penale.

Në pjesë të Ukrainës lindore, Donjeck dhe Luhansk në rajonin e Donbasit, Moska kishte inkurajuar një kryengritje separatiste në vitin 2014, dhe luftimet kanë vazhduar që nga atëherë në atë pjesë të Ukrainës midis forcave ukrainase dhe separatistëve pro-rusë.

Joviqi më parë i kishte thënë REL-it se të qenët luftëtar në luftën në Ukrainë nuk përbën pengesë për punën e tij gazetareske.

“Meqenëse kam qenë disa herë në Donbas në këto shtatë vjet si vullnetar dhe gazetar, mund t'i shikoj temën dhe çështjet nga shumë anë dhe këndvështrime”, kishte thënë ai ndër të tjera në përgjigjen e tij për REL-in në shtator.

Sipas vlerësimeve të Ambasadës së Ukrainës në Serbi, më shumë se 300 qytetarë janë larguar nga Serbia nga dhjetori i vitit 2018 për të luftuar në anën pro-ruse.

Për pjesëmarrje në luftën në Ukrainë në periudhën 2015-2018, në Serbi janë shqiptuar 32 dënime. Në 28 raste gjykata i ka dënuar të pandehurit me burgim me kusht, ndërsa katër persona janë dënuar me arrest shtëpie për gjashtë muaj.

Mbështetja e organizatave të djathta për serbët në Kosovë

Më 11 dhjetor, Joviq publikoi në Facebook një ftesë për pjesëmarrje në një protestë të krahut të djathtë që u organizua para kishës së Shën Savës në Beograd më 12 dhjetor, në mbështetje të serbëve në Kosovë.

Organizatorët e këtij tubimi ishin të maskuar dhe nuk deshën të zbulojnë identitetin e tyre.

Video nga kjo protestë janë shpërndarë në Telegram nga grupi paraushtarak rus “Vagner”, të cilin Bashkimi Evropian (BE) e ka futur në listën e sanksioneve. Kjo njësi, sipas mediave, përbëhet nga mercenarë të stërvitur, të gatshëm për të marrë pjesë në luftëra në mbarë botën.

Qeveritë perëndimore akuzojnë Moskën për përdorim të grupit “Vagner” si forcë paraushtarake në konfliktet në Ukrainë, Libi, Siri, Sudan, Mozambik dhe Republikë të Afrikës Qendrore.

Kjo njësi mban rol aktiv në ushtrinë ruse edhe pas nisjes së luftës të Ukrainës.

Në kanalin e tyre në Telegram, ata raportojnë nga afër edhe për krizën në veri të Kosovës, ku kamionët dhe autobusët po bllokojnë rrugët, duke penguar qarkullimin drejt pikave kufitare me Serbinë, Jarinjen dhe Bërnjakun.

Këto barrikada u ngritën pas arrestimit të ish-policit me kombësi serbe, Dejan Pantiq, por tensionet në Kosovë nisën më herët, në fillim të nëntorit, kur gjyqtarët, prokurorët dhe stafi administrativ serb në veri të Kosovës u larguan nga institucionet e Kosovës.

Më 15 dhjetor, autoritetet në Serbi kërkuan nga KFOR-i kthimin e forcave serbe të sigurisë në Kosovë, bazuar në rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara.

I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha në një intervistë për REL-in më 13 dhjetor se ai kategorikisht e refuzon këtë kërkesë.

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, deklaroi në faqen zyrtare në Facebook më 13 nëntor se e vetmja rrugë për një paqe të qëndrueshme është zgjidhja e çështjes përmes dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, duke respektuar të drejtat e të gjitha komuniteteve.

XS
SM
MD
LG