Ndërlidhjet

Shiu shkakton vërshime në disa komuna të Kosovës


Përmbytje nga uji në Mitrovicë të Jugut. 19 janar 2023.
Përmbytje nga uji në Mitrovicë të Jugut. 19 janar 2023.

Disa qytete në Kosovë janë duke u përballur me vërshime si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, ndërsa ministria e Punëve të Brendshme tha se ka ngritur nivelin e gatishmërisë në të gjitha komunat.

"MPB është mobilizuar me të gjitha kapacitetet e saj, përfshirë AME-në me të gjitha njësitë e zjarrfikësve, dhe Policinë e Kosovës, të cilët do të jenë në shërbim të qytetarëve 24 orë", thuhet në njoftimin e 19 janarit.

Sipas MPB-së, në rajonin e Mitrovicës dhe Pejës ka pasur ngritje të nivelit të ujit në lumenj dhe vërshime të shpejta.

Qeveria e Kosovës tha mbrëmjen e së enjtes se situata po shkon drejt stabilizimit në Istog, Mitrovicë dhe Skenderaj, ndërsa mbetet e vështirë në Klinë.

“Në Mitrovicë dhe Skenderaj janë dërguar dhe kanë arritur gjashtë ekipe shtesë të Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave konkretisht nga tri ekipe shtesë për këto dy komuna”.

“Situata mbetet më e vështirë në Klinë, ku po dërgojmë përforcime shtesë me zjarrfikës nga komunat përreth”, thuhet në deklaratën e Qeverisë.

Në dy nga qytetet më të prekura nga vërshimet, Skenderaj dhe Mitrovicë të Jugut, autoritetet lokale kanë shpallur gjendje emergjente.

Drejtori i Drejtorisë për Shërbime Publike në këtë qytet, Alban Shala, tha për Radion Evropa e Lirë se lumi Klina dhe disa degë të tij, kanë dalë nga shtrati duke shkaktuar vërshime në rreth dhjetë fshatra të kësaj komune.

Shala tha se ekipe të shumta dhe grupe të qytetarëve janë duke ndihmuar për t'i evakuuar qytetarët të cilët janë të rrezikuar nga vërshimet.

“Zjarrfikësit, stafi i emergjencave dhe grupe të qytetarëve janë në aksion dhe po intervenojnë në rastet kur ka nevojë, si në evakuim po ashtu edhe në parandalim”, tha Shala.

Shala shtoi se ekipe të FSK-së i janë përgjigjur thirrjes për të ndihmuar rreth menaxhimit të situatës së shkaktuar nga vërshimet.

Gjendje emergjente është shpallur edhe në komunën e Mitrovicës së Jugut, pas një takimi të Qendrës Operative Emergjente.

“Në fjalën e tij, kryetari [i Komunës së Mitrovicës, Bedri] Hamza ka theksuar se si rrjedhojë e reshjeve të pandërprera, është rënduar situata në përgjithësi, dhe në bazë të kompetencave dhe autorizimeve, kam marrë vendim që të shpallim gjendje të jashtëzakonshme në të gjithë territorin e komunës së Mitrovicës”, thuhet në njoftim e Komunës së Mitrovicës së Jugut.

Anëtarët e Qendrës Operative Emergjente kanë bërë thirrje ndaj qytetarëve për kujdes të shtuar në qarkullim.

Zëvendësministri në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), Hysen Durmishi, ka thënë se kompanitë e mirëmbajtjes së rrugëve janë duke punuar për të mundësuar qarkullimin e automjeteve në rrugë.

“Sipas informacioneve nga tereni janë mobilizuar të gjitha kompanitë e mirëmbajtjes së rrugëve, në mënyrë që të gjitha rrugët Nacionale dhe Regjionale, si dhe Autoudhët të jenë të qarkullueshme për automjete”, ka shkruar Durmishi në Facebook.

Për vërshime është raportuar edhe në Pejë dhe në Vushtrri, ku disa oborre të shtëpive raportohet se janë përmbytur nga uji.

Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar vërshime edhe në pjesën veriore të Kosovës.

Problemet më të mëdha janë në fshatrat e komunës së Zveçanit përfshirë Grabovcin, Zherovnicën dhe rrugës për në fshatin Korilje.

Rruga e asfaltuar nga Zveçani për në Zhitkovc, Zherovnicë dhe Zubin Potok është vështirë e kalueshme me vetura.

Dalja e lumit Ibër nga shtrati ka vërshuar edhe Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicën Veriore.

Në Mitrovicën e Veriut, drejt urës kryesore, lumi Ibër ka arritur lartësinë e shëtitores, kështu që karriget që shërbejnë si pushimore janë zhytur në ujë.

Rrëshqitje të dheut ka pasur në rrugën nga Zveçani për në Leposaviq.

Situatë e ngjashme është edhe në fshatin Zupç të komunës së Zubin Potokut, ku rruga është e pakalueshme për shkak të rrëshqitjes së dheut.

Disa fshatrat të komunës së Zveçanit kanë mbetur pa rrymë në mëngjes, si pasojë e rrëzimit të një shtylle elektrike.

Në Agjencinë e Emergjencave të Kosovës kanë thënë për REL-in se nuk mund të japin ndonjë informacion specifik aktualisht rreth situatës, porse kanë bërë të ditur se janë ndërmarrë masat e nevojshme për përballimin e situatës.

Kompania Rajonale e Ujësjellësit "Prishtina" ka njoftuar se si shkak i reshjeve të dendura atmosferike dhe pamundësive teknike që të trajtohet uji për pije nga dy impiante, do të ketë reduktime të ujit në disa qytete të vendit, si Fushë Kosovë, Obiliq, Drenas dhe Podujevë, deri në përmirësimin e kësaj situate.

Ndryshe, Instituti Hidrometrologjik i Kosovës [IHMK] tha se si pasojë e reshjeve të ditëve të fundit “sidomos në pjesën perëndimore, veriperëndimore dhe veriore të Kosovës, disa lumenj kryesisht ata me karakter të rrëkeve, kanë paraqitur disa vërshime të shpejta, ndërsa nëpër disa segmente të lumenjve kryesorë janë shkaktuar edhe përmbytje të lokalizuara lumore”.

IHMK-ja, po ashtu, paralajmëroi se në ditët në vijim do të këtë situatë të vështirësuar hidrometrologjike.

“Situata e vështirësuar hidrometeorologjike, pritet që të vazhdojë dhe gjatë ditëve në vijim, prandaj edhe nivelet dhe prurjet e lumenjve, pritet të rriten dhe të shkaktojnë përmbytje”, bëri të ditur IHMK-ja.

Shkaku i këtij paralajmërimi nga IHK-ja, zëvendësministri Durmishi ka bërë thirrje ndaj qytetarëve në zonat e prekura nga vërshimet “të bëjnë kujdes me lëvizjet e tyre në orët në vijim, të shmangin kalimet në rrugët me prezencë uji, të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor”.

XS
SM
MD
LG