Ndërlidhjet

Festohet në heshtje Viti i Ri në Iran


Një iraniane viziton një treg në Teheran në prag të Vitit të Ri. 18 mars, 2020.

Lideri Suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei ka thënë se qytetarët e këtij shteti kanë bërë sakrifica “shembullore” në betejën kundër pandemisë me koronavirus, që ka lënë të vdekur të paktën 1,284 persona në këtë vend.

Përmes një adresimi televiziv më 20 mars, për të shënuar Vitin e Ri Persian, Khamenei ka thënë se “sa i përket sëmundjes së fundit, – përhapjes së koronavirusit – sakrificat kanë qenë aq shembullore, sa që edhe të huajt janë ndjerë të obliguar për t’i admiruar”.

Khamenei gjatë adresimit të tij për Vitin e Ri Persian.
Khamenei gjatë adresimit të tij për Vitin e Ri Persian.


“Fillimisht këto akte të sakrificës janë bërë nga grupet mjekësore, infermierët, asistentët, menaxherët dhe stafi mjekësor që ka punuar në spitale”.

Ai ka thënë se iranianët janë përballur me “vit të tronditur” që ka përfshirë vërshime, tërmete, sanksione dhe në fund krizën e koronavirusit”.

Khamenei u ka bërë thirrje iranianëve që të lënë mbrapa këtë vit të vështirë dhe u ka kërkuar atyre që të tregojnë unitet në vitin e ardhshëm.

Numri i të infektuarve dhe të vdekurve nga koronavirusi në këtë shtet vazhdon të rritet, andaj festimet e vitit të ri në Iran kanë kaluar në heshtje, vendin e goditur më së keqi në Lindje të Mesme nga pandemia e COVID-19.

Si pasojë e kësaj sëmundjeje kanë vdekur më shumë se 10,000 persona në gjithë botën.

Autoritetet u kanë rekomanduar iranianëve që të qëndrojnë në shtëpi gjatë kësaj feste, në kohën kur tradicionalisht qindra mijëra persona udhëtojnë drejt Iranit që të jenë me miqtë dhe familjarët e tyre.

Autoritetet kanë dezinfektuar rrugët në Teheran në prag të Viti të Ri. 18 mars, 2020.
Autoritetet kanë dezinfektuar rrugët në Teheran në prag të Viti të Ri. 18 mars, 2020.

Qeveria ka mbyllur shkollat në të gjitha nivelet, ka ndalur ngjarjet sportive, kulturore dhe fetare, me qëllim të zvogëlimit të përhapjes së koronavirusit.

Zëvendësministri i Shëndetësisë, Alireza Raisi ka thënë më 19 mars se në 24 orët e fundit është raportuar për 149 vdekje të reja, duke e dërguar numrin e të vdekurve nga kjo sëmundje në Iran në 1,284.

Irani momentalisht renditet si vendi i tretë me numrin më të madh të të infektuarve, deri më tani 18,407, ndonëse ka para vetes Kinën dhe Italinë.

Khamenei ka thënë se Irani ka arritur shumë sukses në prodhim, dhe sipas tij kësaj situate u kanë kontribuuar sanksionet amerikane, të cilat e kanë bërë më të fortë Iranin.

*Video: Si shpërndahet koronavirusi?

Si shpërndahet COVID-19 dhe si ta mbroni veten kundër tij?
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:01:50 0:00

Presidenti amerikan, Donald Trump është larguar në maj të vitit 2018 nga marrëveshja bërthamore, që Teherani ka nënshkruar me fuqitë botërore më 2015.

Menjëherë pas largimit nga marrëveshja, administrata e Trumpit ka nisur fushatë “me presion maksimal” kundër Iranit.

Përveç kësaj, SHBA-ja dhe Irani kanë qenë në prag të konfliktit të armatosur.

Pasi Uashingtoni ka fajësuar milicitë e përkrahura nga Irani për një sulm në Irak, që ka lënë të vdekur një kontraktor amerikan, Trump ka urdhëruar vrasjen e gjeneralit të forcave elite iraniane, Qasem Soleimani.

Në shenjë hakmarrjeje, një raketë balistike iraniane ka goditur një bazë irakiane që strehon trupa perëndimore, duke lënë 100 trupa ushtarake me lëndime traumatike në kokë.

Khamenei e ka cilësuar vrasjen e Soleimanit si “krim terrorist” të SHBA-së, derisa gjeneralin e ka shpallur “dëshmor”.

Viti i fundit iranian do të mbahet mend edhe për rritjen e numrit të protestuesve kundër qeverisë.

Protestat patën nisur më 15 nëntor, pas vendimit të qeverisë për rritje të çmimit të naftës, ndonëse më vonë këto organizime janë zgjeruar në thirrje kundër qeverisë.

Sipas agjencisë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Amnesty International, të paktën 304 persona janë vrarë dhe mijëra të tjerë janë plagosur në ditët në vijim, teksa autoritetet kanë tentuar të shtypin protestat.

Autoritetet kanë ndaluar në mënyrë “arbitrare” mijëra persona, të cilët sipas Amnesty International kanë qenë subjekte të zhdukjes dhe torturës.

Në fjalimin e tij për Vitin e Ri në Iran, presidenti, Hassan Rohani ka përshëndetur arritjet e këtij shteti në fushën e mbrojtjes.

Ai ka falënderuar edhe mjekët iranianë dhe infermierët për përpjekjet që kanë bërë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit dhe është zotuar se ky shtet do të tejkalojë këtë krizë.

“Shteti ynë i ka arritur qëllimet pavarësisht vështirësive.. Irani do të tejkalojë edhe koronavirusin me unitet”, ka thënë Rohani.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG