Ndërlidhjet

Babai i cili pret që Bosnja t’ia heqë vizat Kosovës: “Jetoj për atë ditë”


Kosova e ka ratifikuar në Kuvend marrëveshjen për lëvizje të lirë mes 6 shteteve të Ballkanit Perëndimor, në Bosnjë e Hercegovinë për ratifikimin e saj nuk është diskutuar fare.
Kosova e ka ratifikuar në Kuvend marrëveshjen për lëvizje të lirë mes 6 shteteve të Ballkanit Perëndimor, në Bosnjë e Hercegovinë për ratifikimin e saj nuk është diskutuar fare.

Muharrem Nerjovaj i Bihaqit të Bosnjës dhe kushëriri i tij, Safet Temaj në Prizren, Kosovë, ende janë në pritje që Bosnjë e Hercegovina të miratojë një marrëveshje për lirinë e lëvizjes vetëm me letërnjoftime ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Jetoj për atë ditë. Nuk kam qenë në Kosovë për tetë muaj. A mund ta imagjinoni të mos e shihni fëmijën tuaj për tetë muaj?! Nuk është kaq e thjeshtë”, tha Muharrem Nerjovaj për Radion Evropa e Lirë.

Tre muaj pas nënshkrimit të Marrëveshjes nga gjashtë shtetet ndërkohë që Kosova e ratifikoi atë në Kuvend, në Bosnjë e Hercegovinë për ratifikimin e marrëveshjes nuk është diskutuar fare.

Milorad Dodik, president i entitetit Republika Sërpska, vuri në pikëpyetje të gjithë procesin, i cili do të lejonte qytetarët e Bosnjës e Hercegovinës dhe ata të Kosovës të udhëtojnë pa viza nga një vend në tjetrin.

Ai tha se ministrat e këtij entiteti të Bosnjë e Hercegovinës nuk do ta votojnë ligjin/marrëveshjen në Këshillin e Ministrave të BeH-së.

“Po, ne thamë se do ta respektojmë dhe mbështesim lirinë e lëvizjes, por në asnjë mënyrë kjo nuk do të thotë se do t’i tolerojmë fyerjet që vazhdimisht i drejtohen Republikës Sërpska nga autoritetet e përkohshme në Prishtinë”, ka shkruar Dodik në llogarinë e tij në Twitter, pa duke specifikuar se çfarë ofendime po bën Prishtina ndaj Republikës Sërpska.

Këshilli i Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës në seancën e 23 shkurtit, për shkak të kundërshtimit të ministrave të entitetit nga Bosnja dhe Hercegovina, Republika Sërpska (RS), e shtyu diskutimin për marrëveshjen.

*Video: Lidhjet familjare pa viza


Përveç Serbisë, Bosnja dhe Hercegovina është i vetmi vend në rajon që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Që qytetarët e Kosovës të udhëtojnë në Bosnje dhe Hercegovinë, kërkohet vizë, e cila “lëshohet vetëm në raste të jashtëzakonshme” me nënshkrimin e ministrit të Punëve të Jashtme të Bosnje dhe Hercegovinës. Aplikimi për vizë mund të dorëzohet në Shkup, Podgoricë dhe Beograd.

Qytetarët e Kosovës, sipas udhëzimeve të miratuara nga Këshilli i Ministrave në vitin 2012, nuk mund të udhëtojnë dhe të qëndrojnë në Bosnje dhe Hercegovinë për arsyje turistike.

Sipas udhëzimeve, qytetarët e Kosovës bashkë me aplikimin duhet të bashkëngjitin një letër ftese të vërtetuar nga Shërbimi për Punët e Jashtme të BeH-së ose një kopje të një gjykate ose thirrje tjetër zyrtare që kërkon një përgjigje në procedurat ligjore të zhvilluara në BeH, ose një certifikatë të marrjes së arsimit ose trajnimit.

“Kërkesa për lëshimin e vizës mund të vërtetohet edhe me një thirrje nga një organ shtetëror ose entitet i BeH-së, një kërkesë nga një përfaqësi diplomatike-konsullore e huaj në BeH ose një kërkesë nga një zyrë përfaqësuese e një organizate ndërkombëtare në BeH dërguar përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme të BeH-së”, tha për Radion Evropa e Lirë, Ambasada e BeH-së në Shkup, kryeqyteti i Maqedonisë së Veriut.

Ambasada nuk është përgjigjur nëse BeH-ja e njeh pasaportën e Kosovës si dokument të vlefshëm gjatë lëshimit të vizës së Bosnjës dhe Hercegovinës. Sipas udhëzimeve ekzistuese, viza nuk futet në pasaportën e Kosovës, por lëshohet në letër (formular) të veçantë.

Po ashtu, nga viti 2014, edhe qytetarëve të Bosnjë e Hercegovinës iu duhet të pajisen me vizë për të hyrë në Kosovë, sepse më pas janë zbatuar masat reciproke për regjimin e vizave.

Çfarë është e diskutueshme për ministrat nga Republika Sërpska në Marrëveshjen për lëvizjen e lirë?

Nuk ka asnjë shpjegim zyrtar se përse është shtyrë diskutimi para Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës për Marrëveshjen për lëvizjen e lirë.

Elmedin Konakoviq, ministër i Punëve të Jashtme të Bosnjës dhe Hercegovinës, shpjegoi për REL-in se "me rastin e marrëveshjes për agjendën, është rënë dakord që kjo pikë nuk është gati", pa dhënë shumë shpjegime.

“Kur dikush nga palët dhe ne ndonjëherë i heqim pikat, nuk ka shpjegime më të gjera”, tha Konakoviq.

Zoran Tegeltija, anëtar i Aleancës së Social-Demokratëve të Pavarur (SNSD) të Milorad Dodikut, është në mesin e ministrave nga Republika Sërpska në Këshillin e Ministrave të BeH-së.

Ishte Tegeltija, asokohe kryetar i Këshillit të Ministrave, i cili në emër të BeH-së, nënshkroi marrëveshjet në Berlin për njohjen reciproke të letërnjoftimeve, diplomave universitare dhe kualifikimeve profesionale me pesë vende të tjera të Ballkanit Perëndimor.

Radio Evropa e Lirë nuk ka arritur të kontaktojë me Tegeltian, e as nuk ka marrë përgjigje nga ministrat e tjerë të Republikës Sërpska, se pse e kundërshtuan Marrëveshjen për lëvizjen e lirë.

Më shumë detaje u zbuluan nga Milorad Dodiku, aktualisht president i Republikës Sërpska dhe kryetar i SNSD-së, i cili shkroi në Twitter për marrëveshjen.

Me postimin e tij, Dodik i është përgjigjur raportueses së Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola Von Cramon, e cila më 1 mars, në një postim në Twitter, i ka bërë thirrje liderit të SNSD-së që ta zbatojë marrëveshjen e nënshkruar.

"Procesi i Berlinit është këtu për t'i shtyrë njerëzit të lëvizin, punojnë dhe tregtojnë lirshëm në Ballkanin Perëndimor. Bllokimi i ratifikimit dhe pengimi i qytetarëve të Kosovës që të udhëtojnë lirshëm është i papranueshëm. Unë i bëj thirrje Milorad Dodikut që ta mbajë fjalën dhe ta ratifikojë atë! Bllokadat e tilla pengojnë rrugën e Bashkimit Evropian”, shkroi Von Cramon.

Zhgënjim që nuk ka marrëveshje

Muharem Nerjovaj jeton në Bihaq, në veriperëndim të Bosnjë e Hercegovinës që nga viti 1999.

"Unë nuk mendoj se kjo është e drejtë, është një akt i ndërlikimit të diçkaje", tha i zhgënjyer Nerjovaj, i cili shpreson që autoritetet e Bosnjës ta ratifikojnë së shpejti marrëveshjen.

"Unë shoh se në Kosovë e kanë ratifikuar atë marrëveshje, se Parlamenti e miratoi dhe këtu në Bosnje ende jemi duke pritur. Por, mendoj se kjo është ajo, mund të zgjasë edhe disa muaj, por ata duhet të hapen. Do të jetë më e lehtë, shumë më e lehtë, sesa të vrapojmë nëpër ambasada. Nuk më pëlqen më të vrapoj nëpër ato ambasada”, u shpreh Nerjovaj.

Më 23 shkurt, Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar Marrëveshjen për lëvizjen e lirë me letërnjoftime.

E, për kushëririn e Nerjovajt, Safet Temaj, i cili jeton në Prizren të Kosovës, është zhgënjim që Bosnja dhe Hercegovina ende nuk e ka ratifikuar marrëveshjen, sepse ishte një mundësi që të mos e shihte kushëririn e tij vetëm përmes telefonit.

"Zhgënjimi më i madh do të jetë për njerëzit që kanë punë dhe duhet të lëvizin midis këtyre dy vendeve. Unë them se jam i zhgënjyer, por jo i befasuar. E di me kë kanë të bëjnë. Vetëm një presion i madh ndërkombëtar [mund të ndikojë] përndryshe kjo nuk do të realizohet kurrë”, tha Temaj për Radion Evropa e Lirë.

A ka pasoja për Bosnjën dhe Hercegovinën nëse nuk e zbaton Marrëveshjen për lëvizjen e lirë?

Elmedin Konakoviq tha për Radion Evropa e Lirë se “dokumenti është në proces”, por se do të propozohet sërish “pasi të ketë marrëveshje politike për të”, dhe se nuk mund ta kuptojë pse nuk ka marrëveshje politike për të.

Konakoviq nuk i komentoi drejtpërdrejt deklaratat e Dodikut, por theksoi se këto nuk janë "tensione" të reja, por të vjetra që ekzistonin në kohën kur Tegeltija nënshkroi marrëveshjen në emër të BeH-së.

“Marrëveshjet janë iniciuar nga të gjitha palët, kam folur me kolegët e mi në Mal të Zi dhe Serbi dhe më duket se të gjithë janë të një mendimi që marrëveshjet e arritura duhet të zbatohen. Në bisedë me autoritetet në Serbi, dëgjuam se për to kjo nuk paraqet asnjë problem dhe do t’i zbatojnë këto procedura që lehtësojnë lëvizjen e njerëzve në zonën e Ballkanit Perëndimor”, tha Konakoviq.

Kur u pyet nëse Bosnjë e Hercegovina mund të ketë pasoja nëse nuk e zbaton marrëveshjen e nënshkruar, Konakoviq vuri në dukje se ai "nuk e di" dhe shtoi se BeH-ja sigurisht duket se është "jo serioze".

“Në sytë e publikut ndërkombëtar, mund të them se ne jemi ndonjëherë vërtet qesharakë pikërisht për situata të tilla. U ulëm, biseduam, arritëm disa marrëveshje, i iniciuam dhe më pas njëra nga palët tërhiqet dhe nuk dëshiron ta zbatojë. Ne nuk jemi seriozë. Mendoj se duke vepruar kështu, ne po e dëmtojmë reputacionin e të gjitha niveleve të qeverisjes në Bosnje dhe Hercegovinë, dhe se qytetarët e Bosnjës nuk përfitojnë asgjë nga kjo”, tha Konakoviq.

Radio Evropa e Lirë ka pyetur delegacionin e Bashkimit Evropian në BeH nëse Bosnja po e rrezikon marrëveshjen e nënshkruar për lëvizjen e lirë me letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor dhe nëse si rezultat mund të përballet me sanksione. Por deri në publikimin e këtij teksti, nuk kanë kthyer përgjigje.

Që të fillojë zbatimi i marrëveshjes së nënshkruar, është e nevojshme që dokumentet të ratifikohen nga parlamentet e vendeve përkatëse brenda 18 muajve.

Para nënshkrimit në nëntor, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Hercegovina, Shqipëria dhe Kosova ranë dakord për marrëveshjet në tetor të vitit 2022, pas disa javësh të negociatave të udhëhequra nga Gjermania.

Kontribuoi: Arton Konushevci
(Përgatiti: Syzanë Paçarizi)
XS
SM
MD
LG