Aleksandar Vuçiq
Aleksandar Vuçiq

Vuçiq pranon humbjen në zgjedhje, festë në rrugë

  • Vuçiq pranoi humbjen në zgjedhjet parlamentare, duke thënë se Lista Studentore do të ketë mes 135 dhe 140 mandate në Kuvendin me 250 vende.
  • Festime në qytetet e Serbisë pas fitores së Listës Studentore. Në Beograd, qytetarët nisën largimin e tendave dhe rrethojave të kampit të mbështetësve të pushtetit, “Çacilend”.
  • Lista Studentore nuk ka një lider të vetëm dhe ende nuk ka bërë të ditur asnjë emër për postin e kryeministrit.
  • Koalicioni Shqiptar ka siguruar dy mandate dhe mbetet në garë për të tretin, sipas Shaip Kamberit dhe Ardita Sinanit, të cilët iu referuan rezultateve preliminare.


18:10 25.10.2026

Incidente të raportuara gjatë zgjedhjeve në Serbi

Avokati i Popullit në Serbi tha se ka pranuar një sërë ankesash nga qytetarët,kryesisht të lidhura me konflikte dhe incidente afër qendrave të vendvotimeve, përfshirë pretendime të sulmeve ndaj më të moshuarve.

Ai dënoi “çdo formë të dhunës ndaj të moshuarve, si dhe sulmet ndaj anëtarëve të familjeve të politikanëve gjatë zgjedhjeve parlamentare, pavarësisht nga cila parti janë”.

Komisionari për Mbrojtje dhe Barazi, Millan Antonijeviq, raportoi në X për Euronews se nëna e Aleksandar Vuçiqit u sulmua në një vendvotim.

Në Pançevo, një grup i personave të maskuar kanë sulmuar disa të rinj para një qendre votimi, kanë raportuar mediat lokale.

Sipas një videoje të publikuar nga Pancevo.city, personat e maskuar me shufra hekuri sulmojnë të rinjtë dhe njëri prej të rinjve shihet i gjakosur në fytyrë.

Polica serbe, ndërkaq, gjatë ditës ka ndërhyrë në një lagje të Novi Sadit ku u mblodhën qytetarë. Disa persona thanë se kanë parë njerëz me para dhe zarfe.

Është raportuar edhe për ofendime dhe presion ndaj vëzhguesve zgjedhorë.

17:57 25.10.2026

Komisioni Republikan Zgjedhor del me shifra të reja të pjesëmarrjes në zgjedhje

Sipas Komisionit Republikan Zgjedhor të Serbisë pjesëmarrja në zgjedhje deri në orën 16:00 është 56.38 për qind.

Deri në periudhën e njëjtë kohore, në zgjedhjet paraprake parlamentare të mbajtura më 2023, dalja në zgjedhje ishte 42.36 për qind.

Kryetari i Komisionit, Vlladimir Dimitrijeviq, tha se procesi i votimit po zhvillohet mirë.

Megjithatë, ai shtoi se ka pasur “incidente të vogla dhe parregullsi”.

Sipas Dimitrijeviqit, qendrat e votimit po zgjedhin incidentet kur munden, në të kundërtën po ndërhynë policia.

Ai vlerësoi se policia ka reaguar në mënyrën e duhur dhe se votimi po vazhdon pa pengesa.

Sa u përket ngjarjeve që kanë ndodhur jashtë qendrave të votimit, sipas Diminitrijeviq, nuk është përgjegjësi e punëtorëve zgjedhor, duke shtuar se prokuroria dhe policia po marrin masat e nevojshme.

Votimet për zgjedhjet e Serbisë në Bosnje dhe Hercegovinë.
Votimet për zgjedhjet e Serbisë në Bosnje dhe Hercegovinë.


17:50 25.10.2026

Lexues të nderuar,

Përmes këtij blogu, po ju sjellim në kohë reale zhvillimet rreth zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Serbi, që po shihen si sfidë për udhëheqjen 14-vjeçare të Aleksandar Vuçiqit.

Dalja në zgjedhje është më e lartë sesa ato parapraket të mbajtura më 2023, teksa deri në orën 16:00, mbi 56 për qind kanë votuar.

Lista e Partisë Përparimtare Serbe e Vuçiqit, i cili dha dorëheqje nga posti i presidentit për të garuar për kryeministër, vlerësohet se ka rivale kryesore Listën Studentore, që doli nga vala e protestave antiqeveritare.

Në këto zgjedhje, partitë shqiptare po garojnë me një listë të përbashkët të quajtur “Koalicioni Shqiptar”, teksa spektri politik në Kosovë u ka bërë thirrje shqiptarëve për pjesëmarrje në zgjedhje.

Si rëndom, serbët nga Kosova, në mënyrë të organizuar, kanë shkuar në zonat kufitare me Kosovën për të votuar.

Qëndroni me ne!

​
XS
SM
MD
LG