Kreu i komisionit zgjedhor: Rrethojat pranë selisë sonë, kompetencë e MPB-së
Kryetari i Komisionit Republikan të Zgjedhjeve (KQZ) të Serbisë, Vlladimir Dimitrijeviq, tha se rrethojat e vendosura nga policia në rrugën “Mbreti Millan”, ku ndodhet edhe selia e këtij institucioni, janë në kompetencë të Ministrisë serbe të Punëve të Brendshme (MPB).
“Besoj se ata kanë bërë disa vlerësime bazuar në ngjarjet e mëparshme. Jemi të vetëdijshëm se në çdo palë zgjedhje të mëparshme, për të cilat ishte përgjegjëse komisioni, ka pasur ngjarje këtu, para selisë së Komisionit Republikan të Zgjedhjeve”, tha Dimitrijeviq, teksa iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve.
Burra me kapela hyjnë në kampin e mbështetësve të pushtetit pranë Presidencës serbe
Disa dhjetëra burra me kapela hynë në kampin me tenda pranë Presidencës së Serbisë në Beograd, të njohur si “Çacilend”, ku prej një viti e gjysmë qëndrojnë mbështetës të pushtetit.
Ata fillimisht u mblodhën në sheshin Nikolla Pashiq, pranë kampit, e më pas u nisën drejt Presidencës. Policia i lejoi të hynin në kamp, raportoi gazetarja e Radios Evropa e Lirë.
Ndërkohë, policë me pajisje për shpërndarjen e demonstratave janë vendosur para Kuvendit të Qytetit të Beogradit, Komisionit Republikan të Zgjedhjeve dhe Presidencës.
Zona ku ndodhen Komisioni dhe Presidenca është bllokuar nga të gjitha anët. Sipas gazetares së REL-it, askush, përfshirë gazetarët, nuk lejohet të kalojë.
Forca policore janë të pranishme edhe në parkun pranë Presidencës dhe Kuvendit të Qytetit, ku ndodhet kampi.
Pas mbylljes së vendvotimeve, Lista Studentore bën thirrje për mbrojtjen e çdo vote në mënyrë paqësore
Lista Studentore u bëri thirrje qytetarëve në Serbi të qëndrojnë në vendbanimet e tyre dhe të mbështesin vëzhguesit e saj gjatë numërimit të votave dhe dorëzimit të materialit zgjedhor.
Në një postim në rrjetin X, ajo theksoi se procesi zgjedhor nuk përfundon me mbylljen e vendvotimeve, pasi pasojnë numërimi, hartimi i procesverbaleve dhe dorëzimi i materialit te komisionet lokale të zgjedhjeve.
“Pas një dite të tillë dhe një pjesëmarrjeje të tillë, nuk duhet të lejojmë që dikush, në orët e fundit, të rrezikojë atë për të cilën kemi luftuar kaq shumë”, thuhet në postimin e Listës Studentore.
Lista u kërkoi qytetarëve të ndjekin zhvillimet dhe të ndihmojnë që çdo votë të mbrohet në mënyrë paqësore dhe me dinjitet.
“Sonte na duhet që e gjithë Serbia të jetë aty ku votoi sot”, thuhet në postim.
Qendrat e votimit në Serbi mbyllen në orën 20:00
Qendrat e votimit në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi pritet të mbyllen në orën 20:00, kur përfundon edhe heshtja zgjedhore.
Në disa qendra votimi, ku pati ndërprerje të procesit të votimit, orari do të zgjatet për aq kohë sa zgjati ndërprerja.
Po ashtu, të gjithë personat që janë duke pritur në radhë para qendrave të votimit kanë të drejtë të votojnë edhe pas orës 20:00.