Ndërlidhjet

Vuçiq në hapjen e një fabrike kineze në Serbi: Robotët kinezë së shpejti në ushtrinë serbe

Një fabrikë robotësh humanoid, e para kineze në Evropë, hapet në Serbi, 29 gusht 2026.
Një fabrikë robotësh humanoid, e para kineze në Evropë, hapet në Serbi, 29 gusht 2026.

Serbia do të prezantojë përdorimin e parë të robotëve kinezë në ushtrinë e vendit brenda dy javëve, tha presidenti Aleksandar Vuçiq të shtunën në Shabac, ku u hap një fabrikë robotësh.

Kjo fabrikë u ndërtua në partneritet midis dy investitorëve kinezë, kompanive Minth dhe AGIBOT.

"Do t'i shihni në veprim pas 15 ditësh. Jam krenar t'jua njoftoj për këtë. Do t'i shihni jo vetëm duke ecur, por edhe duke përdorur armë, armë shumë serioze", tha Vuçiq gjatë një vizite në fabrikë.

Ai shtoi se robotët që do të përdoren nga ushtria serbe po testohen në Shabac.

Vuçiq theksoi se roboti është i pajisur me kamera dhe sensorë që e ndihmojnë të përgatitet, të përshtatet dhe të lundrojë në terren.

Fabrika e robotëve humanoid në Serbinë perëndimore është fabrika e parë kineze e këtij lloji në kontinentin evropian.

Zyrtarët serbë presin që tregu kryesor për shitje të jetë Bashkimi Evropian.

Ajo nisi veprimtarinë në shkurt të këtij viti dhe Vuçiq tashmë aludoi për përdorimin e robotëve në ushtrinë serbe.

Gjatë një vizite në fabrikë, Presidenti serb tha se përpara se të përdoren në ushtri, robotët duhet t'i nënshtrohen testimeve të hollësishme.

"Sepse nuk mund të ketë gabime. Dhe, do ta shihni në veprim se nuk ka gabime", theksoi ai, duke shtuar se inxhinierët e kanë përshtatur softuerin për përdorim ushtarak dhe kanë krijuar një armë që kontrollohet nga një distancë e gjatë dhe është "e aftë për sulme të rëndësishme ndaj forcave armike".

Plani, thotë ai, është që robotët të mbajnë në shpinë mitraloza, raketahedhës dhe armë të tjera.

Fabrika e robotëve ndodhet brenda ambienteve të Minth Group, i cili tashmë operon në Serbi në industrinë e automobilave. Projekti u zbatua në partneritet me kompaninë kineze AGIBOT, e cila zhvillon inteligjencën artificiale dhe robotikën.

AGIBOT njoftoi në shkurt të këtij viti se fillimisht do të prodhonte 1.000 deri në 2.000 robotë në vit, ndërsa Vuçiq deklaroi në hapjen e fabrikës se "shpreson që më shumë se 5.000 robotë të montohen dhe më vonë të prodhohen çdo vit".

Ai deklaroi se Serbia po bëhet pioniere në Evropë në prodhimin serik të robotëve në formë njeriu dhe se do të fitojë njohuri që do të jetë në gjendje t'i transferojë si në rajon ashtu edhe në Evropë.

Edhe pse kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Serbia është kthyer gjithnjë e më shumë nga Kina vitet e fundit, dhe udhëheqësit e të dy vendeve theksojnë se Kina dhe Serbia janë të lidhura nga një "miqësi e hekurt".

Përveç bashkëpunimit ekonomik dhe infrastrukturor, Serbia po forcon edhe bashkëpunimin ushtarak me Kinën, përmes blerjes së armëve kineze dhe ushtrimeve ushtarake.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara i kanë paralajmëruar vazhdimisht zyrtarët në Serbi për rreziqet e thellimit të bashkëpunimit ushtarak me Kinën.

XS
SM
MD
LG