Ndërlidhjet

Policia e Kosovës shkatërron dy laboratorë droge


Droga e konfiskuar gjatë një aksioni në Mitrovicë të Jugut dhe Fushë Kosovë më 20 prill 2022.

Policia e Kosovës ka shkatërruar dy laboratorë të drogës, një në veri të Kosovës dhe një në Ferizaj, bëri të ditur ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla.

Ai tha se në Izvor, në veri të Kosovës, që gjendet pranë kufirit me Serbinë, zyrtarët policorë dhe ata të doganave janë gjuajtur me armë zjarri, por “aksioni po vazhdon me sukses pa asnjë lëndim apo dëm material”.

“Në afërsi të kufirit me Serbinë, në vendin Izvor, në veri të Kosovës, policia zbuloi laboratorin e kultivimit të marihuanës me mbi 10,000 fije bimë të gatshme për t’u shitur ilegalisht në treg”, tha Sveçla përmes një njoftimi në Facebook.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Branisllav Radoviq, tha për Radion Evropa e Lirë se ka pasur të shtëna në një fshat të Zveçanit, teksa policia dhe dogana kanë qenë duke kryer një bastisje.

Sipas tij, askush nuk është lënduar apo arrestuar.

Radoviq konfirmoi se policia po kryen hetim për këtë ngjarje dhe ka gjetur disa gëzhoja plumbash.

Ai tha se doganat kanë qenë duke bërë një hetim për një rast, por nuk kanë gjetur asgjë, por gjatë këtij aksioni është zbuluar një laborator për prodhimin e kanabisit.

Lista Serbe "përshëndet" aksionin në veri

Partia kryesore e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, ka “përshëndetur aksionin e policisë në veri”.

“Ky veprim tregoi se policët e rajonit veri kanë aftësi dhe kapacitet për ta luftuar krimin”, thanë nga Lista Serbe, duke dënuar veprimet kundërligjore të individëve.

Kjo parti tha se i jep “mbështetje të plotë policisë” për të vazhduar me veprime të tilla që, sipas Listës Serbe, nuk lejojnë “që individët të kriminalizojnë të gjithë veriun me veprimet e tyre kriminale, rajon ku jetojnë njerëz të ndershëm”.

Lista Serbe tha se policia do ta ketë gjithmonë mbështetjen e kësaj partia kur “kryejnë veprime profesionale si kjo”.

Ndërkaq, gjatë një aksioni në Ferizaj, dhjetë persona janë arrestuar dhe janë konfiskuar mbi 68 kilogramë drogë, pasi policia shkatërroi një laborator të drogës sintetike, tha Sveçla.

Së fundmi, Policia e Kosovës ka ndërmarrë disa aksione që kanë pasur në shënjestër kultivimin dhe shitjen e narkotikëve. Në prill, ishte shkatërruar një laborator droge në Zveçan dhe ishin arrestuar katër serbë, dhe pesë të tjerë u arrestuan në Mitrovicë të Jugut dhe Fushë Kosovë nën dyshimet për blerje dhe shitje të paautorizuar të substancave narkotike.

XS
SM
MD
LG