Ndërlidhjet

Sveçla: Ish-polici serb organizoi sulmin ndaj zyrave të KQZ-së në veri


Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, konfirmoi se ish-zyrtari policor serb, Dejan Pantiq, është arrestuar më 10 dhjetor në pikëkalimin kufitar në Jarinjë në veri të Kosovës.

Sipas tij, Pantiq “ka organizuar sulmin terrorist” ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës më 6 dhjetor, kur “ishin sulmuar zyrtarët e KQZ-së dhe zyrtarët policorë”.

“Pantiq akuzohet për kryerjen e veprave terroriste dhe sulm kundër rendit kushtetues”, tha Sveçla.

Serbët lokalë ngritën barrikada në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok më 10 dhjetor, për shkak të arrestimit të ish-policit Pantiq.

Pjesëtarët serbë të Policisë së Kosovës – së bashku me zyrtarët e tjerë në nivelin lokal, sistemin e drejtësisë dhe institucione të tjera – dhanë dorëheqje në nëntor në shenjë pakënaqësie ndaj një vendimi të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe.

Por, në ndërkohë Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje për targat, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Tensionet në veri janë rritur që nga 6 dhjetori, kur u dëmtuan zyrat e komisioneve komunale zgjedhore në Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok. Që nga ajo kohë, autoritetet kanë raportuar se në komunat në veri, të banuara me shumicë serbe, ka pasur të shtëna me armë zjarri, hedhje të granatave të dorës dhe shok bombave.

Zyrtarët në Kosovë, për këto incidente fajësojnë “bandat kriminale” të “financuara dhe dirigjuara” nga Serbia.

Për shkak të situatës së sigurisë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi për shtyrjen e zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës. Ato janë caktuar të mbahen në prill të vitit të ardhshëm.

Paraprakisht, zgjedhjet ishin caktuar që të mbaheshin më 18 dhjetor në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq. Këto komuna, që nga nëntori kanë mbetur pa kryetarë, pas dorëheqjes së tyre.

XS
SM
MD
LG