Ndërlidhjet

Xi përforcon përkrahjen për Putinin me takimin simbolik në Moskë


Udhëheqësi i ri kinez, Xi Jinping, kishte zgjedhur Rusinë si udhëtimin e tij të parë jashtë vendit në mars të vitit 2013, ku u takua me presidentin Vladimir Putin në Kremlin.
Udhëheqësi i ri kinez, Xi Jinping, kishte zgjedhur Rusinë si udhëtimin e tij të parë jashtë vendit në mars të vitit 2013, ku u takua me presidentin Vladimir Putin në Kremlin.

Më 22 mars të vitit 2013, udhëheqësi i Kinës, Xi Jinping, udhëtoi për herë të parë në Moskë për t'u takuar me presidentin rus, Vladimir Putin, dhe për ta theksuar rëndësinë në rritje të lidhjeve mes Pekinit dhe Moskës, si dhe për t'i dërguar mesazh Uashingtonit se po formohej një kundërpeshë gjeopolitike ndaj Perëndimit.

Gjatë asaj vizite historike, liderët shprehën admirim për njëri-tjetrin. Putini kishte thënë që dy vendet po krijonin një marrëdhënie të veçantë, ndërsa Xi kishte shtuar se homologu i tij rus është
“miku i tij i mirë” dhe se ai dhe Putini kishin “personalitet të ngjashëm”.

Dhjetë vjet më vonë, frytet e asaj lidhjeje personale midis dy liderëve dhe përpjekjes afatgjate të Kinës për të krijuar lidhje më të thella me fqinjin e saj verior do të shfaqen teksa Xi udhëton në Moskë për takimin e tij të 40-të me Putinin, më 20 mars, gjatë një vizite tre-ditore në Rusi.

Xi është përpjekur të vë distancë midis Kinës dhe Rusisë gjatë muajve të fundit, veçanërisht pasi forcat ruse po përballen me zmbrapsje në fushën e betejës në Ukrainë. Në shenjë të insistimit të Kinës për të luajtur një rol në ndërmjetësimin e paqes, Xi është gjithashtu i gatshëm ta zhvillojë telefonatën e tij të parë me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, që nga fillimi i luftës, sipas mediumit The Wall Street Journal.

Kievi nuk e ka konfirmuar se do të ketë një telefonatë të tillë dhe Ministria e Jashtme e Ukrainës nuk i është përgjigjur kërkesës së REL-it për ta komentuar këtë çështje.

Por, përtej pozitës së vështirë diplomatike të Kinës dhe dëshirës së presidentit Xi për ta betonuar statusin e tij si një burrështetas global, ekspertët thonë se vizita në Moskë është një përforcim i mbështetjes për Putinin nga Xi, si pjesë e qëndrimit kinez se Rusia është një partnere e nevojshme për ta zmbrapsur SHBA-së në garën mes superfuqive.

“Mos bëni gabim”, shkroi Alexander Gabuev, një bashkëpunëtor i lartë në Carnegie Endowment for International Peace.

“Udhëtimi do të jetë për thellim të lidhjeve me [Rusinë] nga të cilat përfiton Pekini, jo për ndonjë ndërmjetësim të vërtetë të paqes”.

Hapi i radhës nga Xi

Pavarësisht shqetësimeve për lidhjen strategjike të Pekinit me Moskën, zyrtarët amerikanë dhe evropianë e kanë inkurajuar kujdesshëm presidentin kinez ta hapë një linjë bisedimesh me Zelenskyn dhe të angazhohet më drejtpërdrejt me Kievin.

“Kjo do të ishte një gjë e mirë, sepse potencialisht do të sillte më shumë baraspeshë dhe perspektivë në mënyrën se si [Pekini] po i qaset kësaj [çështjeje]”, u tha gazetarëve më 13 mars këshilltari i sigurisë kombëtare të SHBA-së, Jake Sullivan.

“Ne shpresojmë se kjo do të vazhdonte t'i largojë ata nga zgjedhja për t’i ofruar ndihmë vdekjeprurëse Rusisë, që është padyshim diçka për të cilën ne eikemi paralajmëruar [ata]”.

Një grua në Hong Kong qëndron para ekraneve televizive që transmetonin lajmin e pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt 2022.
Një grua në Hong Kong qëndron para ekraneve televizive që transmetonin lajmin e pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt 2022.

Përderisa lidhjet mes Kinës dhe Rusisë janë rritur ndjeshëm në dekadën e fundit, ato u intensifikuan disa javë para se të niste pushtimi i Ukrainës nga Moska, në shkurt të vitit 2022, përmes një deklarate të përbashkët të një partneriteti “pa kufij” që dy liderët e cilësuan si një epokë të re në marrëdhëniet mes dy vendeve.

Kina nuk e ka dënuar pushtimin e paprovokuar të Ukrainës nga forcat ruse dhe ka vazhduar të jetë një linjë jetësore politike dhe ekonomike për Moskën përballë presionit perëndimor, por edhe ka lundruar me kujdes nëpër sanksionet e vendosura ndaj Rusisë nga shtetet perëndimore.

Në fund të muajit shkurt, Pekini u përpoq ta shfaqte ndërmjetësimin për paqe duke bërë thirrje për një armëpushim dhe bisedime paqeje për t'i dhënë fund luftës përmes një propozimi prej 12 pikash. Aty kërkohej fundi i sanksioneve të njëanshme ndaj Rusisë dhe dukej se paralajmërohej Moska të mos e përshkallëzonte konfliktin në përdorim të armëve bërthamore.

Moska ishte e hapur ndaj këtij propozimi kinez që u hodh poshtë nga shumica e zyrtarëve perëndimorë. Kievi e cilësoi si shenjë të mirë, megjithëse zyrtarët ukrainas vunë në dukje se propozimi nuk përmend tërheqjen e trupave ruse nga territori i pushtuar.

“Kur Xi të shkojë në Moskë, ai do të jetë në rolin e dëgjuesit kundrejt Putinit. Nëse atij i kërkohet ta hapë një linjë bisedimi për Zelenskyn, unë mendoj se Xi do të jetë më se i gatshëm ta marrë atë lloj roli”, thotë Dennis Wilder, një ish-drejtor për Kinën në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, për Radion Evropa e Lirë.

“Në anën tjetër, nëse Putini do t'i thoshte presidentit Xi se nuk mund të fitojë pa më shumë mbështetje, mendoj se Xi do të ndihej i detyruar ta ndihmonte atë”.

Ta furnizojë apo të mos e furnizojë

Shumë pak dihet lidhur me përmbajtjen e vizitës së presidentit kinez, Xi, në Rusi, por pretendimet e SHBA-së se Kina po e shqyrton mundësinë e dërgimit të ndihmës ushtarake vdekjeprurëse për Rusinë do ta përcjellin takimin e tyre.

Zyrtarët amerikanë pretendojnë se Kina po peshon dërgesa të municioneve dhe artilerisë në Rusi, gjë që mund të jetë veçanërisht e rëndësishme tani kur lufta ka hyrë në vitin e dytë dhe ka gjasa që vijat e frontit të dominohen nga luftimet brutale të artilerisë.

Pekini ka akuzuar SHBA-në për “dezinformim” lidhur me këto pretendime dhe ka thënë se Uashingtoni duhet të qëndrojë larg marrëdhënieve të Kinës me Rusinë. Por, Wilder, studiues në Universitetin Georgetown, thotë se Kina është në pozitë të mirë për ta furnizuar Rusinë nëse vendos ta bëjë një gjë të tillë.

Artileria kineze gjatë një stërvitjeje ushtarake.
Artileria kineze gjatë një stërvitjeje ushtarake.

Rezervat ekzistuese të Kinës në artileri dhe municione të vjetra, disa prej të cilave janë prodhime ruse, do të mund të përdoreshin lehtësisht dhe mund “të dorëzohen në mënyrë të fshehtë” ose përmes kufirit të përbashkët të të dyja vendeve ose duke kaluar përmes një pale të tretë si Koreja e Veriut, e cila tashmë ka furnizuar Moskën me armatim.

“Është e lehtë të hiqen shenjat e fabrikës nga predhat dhe të zëvendësohen me ato të një vendi tjetër dhe do të ishte shumë e vështirë për [SHBA-në] ta vërtetonte se kinezët e kanë bërë një gjë të tillë”, thotë Wilder.

Dronët civilë kinezë të riparuar të blerë nga prodhuesit komercialë kanë qenë një pjesë kyçe e luftës si për forcat ruse, ashtu edhe për ato ukrainase. Në disa raporte është diskutuar edhe mundësia që Kina të ofrojë dronë ushtarakë më të avancuar si një formë ndihme.

Wilder thotë se, ndryshe nga dronët, Pekini do ta kishte një avantazh në furnizimin e mundshëm të artilerisë shkaku i mundësisë të mohimit të çfarëdo transferimi.

Por, çdo formë e mbështetjes për Rusinë nga Kina shoqërohet me disa rreziqe, thotë Devin Thorne, analist i lartë në Recorded Future, një kompani private e inteligjencës.

Presidenti i Kinës, Xi Jinping (majtas), dhe ai i Rusisë, Vladimir Putin, ngrenë dolli në margjinat e Forumit Ekonomik Lindor 2018 në ishullin Russky të Rusisë.
Presidenti i Kinës, Xi Jinping (majtas), dhe ai i Rusisë, Vladimir Putin, ngrenë dolli në margjinat e Forumit Ekonomik Lindor 2018 në ishullin Russky të Rusisë.

Përderisa Kina dëshiron të sigurohet që Moska mund t’i përballojë pasojat e pushtimit të stagnuar të Ukrainës, ajo është gjithashtu duke tentuar të përmirësojë lidhjet me Bashkimin Evropian – një nga partneret më të mëdha tregtare. Zyrtarët e BE-së dhe udhëheqësit evropianë kanë thënë se ndihma ushtarake për Rusinë nga Kina do të ishte një “vijë e kuqe” dhe do të shkaktonte reagim të ashpër që mund t’i rrezikonte marrëdhëniet mes tyre.

“[Ka] një shtytje [për të] sjellë më shumë liderë evropianë në Kinë dhe Pekini ende do ta ketë një marrëdhënie më të mirë me Evropën”, thotë Thorne për Radion Evropa e Lirë, duke vlerësuar se Kina nuk ka gjasa ta furnizojë Rusinë me ndihma vdekjeprurëse.

Duke shikuar nga Kievi

Një bisedë e drejtpërdrejtë midis presidentëve Xi dhe Zelensky do të ishte një progres i dukshëm për shtrirjen diplomatike të Kinës dhe do të ndihmonte kredencialet e Pekinit, të cilat u forcuan nga marrëveshja e 10 marsit mes Iranit dhe Arabisë Saudite, që u ndërmjetësua nga Kina.

Për herë të fundit, Xi dhe Zelensky folën disa javë para nisjes së pushtimit të Ukrainës nga Rusia. Presidenti ukrainas ka folur për një telefonatë potenciale me liderin kinez përgjatë vitit të kaluar, diçka që Pekini nuk e ka realizuar. Para luftës, Pekini dhe Kievi kishin një marrëdhënie të mirë, pasi që Kina ishte partneri kryesor tregtar i Ukrainës.

Yurii Poita, ekspert për marrëdhëniet Ukrainë-Kinë në Qendrën për Studime të Ushtrisë, Konvertimit dhe Çarmatimit me bazë në Kiev, thotë se pritjet e Ukrainës janë të ulëta për çfarëdo ndërmjetësimi kinez dhe se imazhi i Kinës është përkeqësuar për zyrtarët ukrainas gjatë vitit të fundit.

Megjithatë, një takim virtual me presidentin Xi do të mirëpritej nga Kievi.

“Një telefonatë e keqe është më e mirë sesa një luftë e mirë, kështu që kjo do të perceptohej nga Kievi si një lloj fitoreje diplomatike”, thotë Poita për Radion Evropa e Lirë. “Zhvillimi i kësaj telefonate mund të jetë gjithashtu një tregues se Kina ka më pak gjasa t'i japë Rusisë më shumë mbështetje apo armatim”.

Përgatiti: Doruntina Baftiu
XS
SM
MD
LG