Ndërlidhjet

Ambasadorja Kim: Ende nuk e dimë se sa afganë do të strehohen në Shqipëri


Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim gjatë një adresimi për media. Fotografi nga arkivi.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim tha se ende nuk e dinë numrin e saktë të afganëve që do të strehohen në Shqipëri ose kur do të arrijnë ata.

“Nuk kemi numër të saktë. Po ndryshon shumë shpejt (situata). Ajo që mund të them është se njerëzit do të vijnë këtu përkohësisht dhe ideja është që më pas të shkojnë në Shtetet e Bashkuara, ku do të vendosen përfundimisht”, tha të martën ambasadorja Yuri Kim, pas një takimi që zhvilloi me ministren e Jashtme shqiptare, Olta Xhaçka.

Ambadorja Kim shprehu falënderimin e saj për popullin dhe Qeverinë e Shqipërisë, që kanë vendosur të strehojnë afganët që kanë bashkëpunuar me SHBA-në, pasi talibanët kanë deklaruar se kanë marrë nën kontroll Afganistanin.

Edhe Kosova ka shprehur gatishmërinë që të strehojë afganët dhe Qeveria e Kosovës më 16 gusht ka miratuar vendimin për dhënien e mbrojtjes së përkohshme dhe të menjëhershme të personave që rrezikohen nga konflikti i brendshëm në Afganistan.

Talibanët kanë deklaruar se Afganistani është në kontrollin e plotë të tyre, pasi ata morën pallatin presidencial më 15 gusht, vetëm pak orë pasi presidenti Ashraf Ghani iku nga vendi. Militantët islamikë nuk hasën në rezistencë derisa rimorën kontrollin, dy dekada pasi u rrëzuan nga forcat e huaja, të udhëhequra nga SHBA-ja. Në aeroportin e Kabulit të hënën kanë shpërthyer skena kaotike, pasi qindra njerëz përpiqeshin të iknin nga vendi.

Departamenti amerikan i Shtetit ka shpallur një program të ri i cili u mundëson mijëra afganëve mundësinë të zhvendosen si refugjatë në SHBA.

Mijëra afganë që do të jenë pjesë e këtij programi duhet të barten në një shtet të tretë, dhe të presin për 12 deri në 14 muaj derisa të analizohet gjithë aplikacioni.

XS
SM
MD
LG