Ndërlidhjet

Zaev fton Ivanovin të dekretojë Ligjin e gjuhës shqipe


Seanca e Parlamentit ku u miratua Ligji për gjuhën shqipe, 14 mars 2018
Seanca e Parlamentit ku u miratua Ligji për gjuhën shqipe, 14 mars 2018

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev i ka bërë thirrje presidentit të shtetit, Gjorge Ivanov që të dekretojë Ligjin për gjuhët dhe të mundësojë funksionimin e papenguar të demokracisë në shoqëri.

Ligji për gjuhët me të cilët avancohet përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe është miratuar më 14 mars, por presidenti Ivanov refuzon të dekretojë me arsyetimin se ai është antikushtetues.

“Me këtë ai dërgon mesazhin se presidenti mund të vendos sipas dëshirës së tij për dekretimin e ligjeve. Kjo nuk është demokraci funksionale. Përgjegjësia është më e madhe”, ka deklaruar kryeministri Zaev.

Ai tha se presidenti duhet të vendos nënshkrimin e tij në ligjin e miratuar ndërsa për përmbajtjen e ligjit mund të prononcohen institucionet kompetente si Gjykata Kushtetuese, por edhe Komisioni i Venedikut.

Polemikat lidhur me Ligjin për gjuhët po zgjasin tani një vit, apo nga formimi i qeverisë që drejtohet nga social-demokrati, Zoran Zaev i cili gjatë fushatës elektorale kishte premtuar mbylljen e problemit me gjuhën shqipe.

Zgjidhja që parasheh avancimin apo përdorimin e gjuhës shqipe në të gjitha institucionet shtetërore, kundërshtohet nga presidenti Ivanov dhe VMRO DPMNE-ja opozitare e cila edhe organizoi protesta të shumta që u përshkallëzuan edhe në dhunë në Kuvend.

Opozita thotë se me këtë ligj në Maqedoni, zyrtare bëhen dy gjuhë, gjë që bie ndesh me Kushtetutën e cila si gjuhë të vetme zyrtare njeh gjuhën maqedone.

Në bazë të zgjidhjes ligjore të miratuar, përdorimi i gjuhës shqipe rregullohet me termin si gjuhë të cilën e flasin mbi 20 për qind nga numri i përgjithshëm të popullatës në Maqedoni.

Opozita shqiptare thotë se më këtë ligji nuk zyrtarizohet gjuha shqipe, siç pretendon BDI-ja në pushtet, por vetëm se avancohet në krahasim me zgjidhjet e deritanishme ligjore.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG