Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Arlind Manxhuka, dhe deputeti i partisë në pushtet Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Egzon Azemi, janë dënuar secili me nga një vit e gjashtë muaj burgim nga Gjykata Themelore në Prishtinë të martën, në një rast rigjykimi për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit.
Në të njëjtin rast u dënuan me nga gjashtë muaj burgim edhe Qerim Elshani dhe Edi Zenelaj, të cilën u shpallën fajtorë për kanosje.
Palët kanë të drejtë ankese brenda 30 ditësh në Gjykatën e Apelit.
Në një reagim pas dënimit, Azemi shkroi në Facebook se ai dhe Manxhuka u dënuan “pa asnjë provë nga sistemi i vjetërsuar i drejtësisë që liron terroristët serbë”.
Ata u rigjykuan pasi Gjykata e Apelit vitin e kaluar e kishte rrëzuar një aktgjykim të më hershëm ndaj tyre, kur gjykata e kishte liruar nga akuzat Manxhukën, ndërsa Egzon Azemin, Qerim Elshanin dhe Edi Zenelajn i kishte dënuar me nga gjashtë muaj burgim secilin.
Për çfarë u dënuan Manxhuka dhe Azemi?
Në nëntor të vitit 2023 prokurorët ngritën aktakuzë ndaj Manxhukës dhe Azemit për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit ndaj një gjykatësi dhe një prokurori në Prishtinë.
Në kohën kur aktakuza u ngrit ndaj tyre, Manxhuka ishte zëdhënës i LVV-së, ndërsa Azemi anëtar i partisë.
Sipas aktakuzës, Manxhuka dhe Azemi, më 28 dhjetor të vitit 2022, duke keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare nëpërmjet rrjetit social Facebook, me dashje kishin përhapur dhe nxitur urrejtje e mosdurim ndaj gjykatësit Mentor Bajraktari dhe prokurorit special Afrim Shefkiu, pas vendimit të tyre asokohe për ndryshimin e masës së paraburgimit kundër të dyshuarit Dejan Pantiq.
Pantiq, ish-polic serb i Policisë së Kosovës, ishte arrestuar më 10 dhjetor të vitit 2022 nën dyshimin për organizmin e “sulmit terrorist” të 6 dhjetorit ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veriun e banuar me shumicë serbe.
Rasti i tij kishte shkaktuar reagime në vend.
“I pandehuri Arlind ka shpërndarë postimin me fjalët: “Ky aktgjykim është akttradhëti”, pastaj kanë vazhduar me postime tjera nxitëse “Për kë punon kjo Gjykatë!?, e të ngjashme, ndërsa i pandehuri Egzon ka postuar shkrimin me fjalët: “Pas atentatit që kreu në Paris, ndaj Esat Pash Toptanit, ndër të tjera, Avniu tha”, ku këtij shkrimi i dyshuari i ka bashkangjitur një fotografi me përshkrimin: “Tradhtarët plumbin e kanë hak”, thuhej në aktakuzë.
Prokurorët argumentonin se me reagimet e tyre, Manxhuka dhe Azemi kishin ndërmarrë veprime të rrezikshme, nxitëse e linçuese me tendenca për të ndikuar apo penguar punën e gjyqtarit dhe prokurorit, dhe se veprimet e tyre kanë mundur ta prishnin rendin publik dhe ta dëmtonin imazhin dhe integritetin e tyre personal.