Ndërlidhjet

KQZ shpall rezultatet preliminare për balotazhet


Fotografi ilustruese- Kuti me vota nga zgjedhjet në Kosovë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatet preliminare për rundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë që u mbajtën më 14 nëntor.

Sipas rezultateve preliminare Lëvizja Vetëvendosje ka fituar në komunën e Kamenicës me kandidatin Kadri Rahimaj, në Podujevë me Shpejtim Bulliqin, në Shtime me Qemajl Aliun dhe në Gjilan me Alban Hysenin.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar në Prishtinë me Përparim Ramën, në Istog me Ilir Feratin, në Fushë Kosovë me kandidatin Burim Berisha, në Junik me Ruzhdi Shehun dhe në Viti me Sokol Halitin.

Partia Demokratike e Kosovës fitoi Komunën e Prizrenit me kandidatin Shaqir Totaj, Gllogocin me Ramiz Lladrovcin, Dragashin me Shaban Shabanin, Kaçanikun me Besim Ilazin dhe Vushtrrinë me Ferit Idrizin.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës fitoi udhëheqësinënë Gjakovë me Ardian Gjinin, Klinën me Zenun Elezajn dhe Rahovecin me Smajl Latifin.

Ndërkaq Nisma Social Demokrate arriti fitore në Malishevë me Ekrem Kastratin.

Në komunën e Obiliqit zgjedhjet në rundin e dytë i fitoi Xhafer Gashi nga Iniciativa Qytetare për Obiliqin.

Në komunën e Mamushës fitore arriti Abdulhadi Krasniq nga KDTP. Ndërkaq në komunën e Kllokotit balotazhin e fitoi Vladan Bogdanoviq nga Lista Serbe.

Deri në orën 19, përkatësisht deri në mbylljen e vendvotimeve, në rundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë kanë votuar rreth 38 për qind të votuesve.

Pas shpalljes së rezultateve preliminare, në ditët në vazhdim pritet numërimi edhe i votave me kusht dhe votave që kanë ardhur prej jashtë vendit.

Rundi i parë i zgjedhjeve të rregullta lokale u mbajt më 17 tetor dhe qytetarët votuan për asambletë komunale dhe kryetarët e komunave. Në këtë rund, nga 38 komuna sa janë në Kosovë, 17 zgjodhën krerët e rinj.

Të gjitha lajmet në lidhje me rundin e dytë të zgjedhjeve lokale mund t'i ndiqni në këtë link.

XS
SM
MD
LG