Ndërlidhjet

Nacionalistët humbën zgjedhjet në qytetet kryesore të Bosnjës


Sarajevë, 15 nëntor, 2020.

Partia e Veprimit Demokratik (SDA), presidenti i së cilës është Bakir Izetbegoviq dhe Unioni i Social Demokratëve të Pavarur (SNSD) i Millorad Dodikut, kanë humbur pushtetin në qytetet më të mëdha të Bosnje dhe Hercegovinës: Sarajevë dhe Banja Llukë.

"SDA ka humbur tre komuna të rëndësishme në kantonin e Sarajevës. Dhe ishte vështirë për t'i mbajtur, duke pasur parasysh që të gjithë janë bashkuar kundër nesh", tha Bakir Izetbegoviq në një konferencë shtypi të dielën në mbrëmje, më 15 nëntor.

Ndërsa, presidenti i SNSD-së, Millorad Dodik pranoi humbjen në Banja Llukë – qendra administrative e Republikës Serbe të Bosnjës.

"Banja Lluka zgjodhi në mënyrë demokratike dhe ne e respektojmë atë zgjedhje. Qytetarët e Banja Llukës kanë vendosur", tha Dodik.

Në Bosnje dhe Hercegovinë u mbajtën zgjedhjet lokale
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:01:15 0:00

Kush janë fituesit në Sarajevë dhe Banja Llukë?

Në Sarajevë, fitoi koalicioni i përbërë nga katër parti– Partia Socialdemokrate e Bosnje dhe Hercegovinës (SDS), Partia jonë, Populli dhe Drejtësia dhe Lista e Pavarur e Bosnje dhe Hercegovinës. Në gusht, ata nënshkruan një marrëveshje koalicioni për të marrë pjesë së bashku në zgjedhjet lokale në Bosnje dhe Hercegovinë.

SDP dhe Partia Jonë janë të majtë, ndërsa dy partitë tjera drejtohen nga politikanë që dikur ishin anëtarë të Partisë së Veprimit Demokratik (SDA), por për shkak të konflikteve brenda partisë, mosmarrëveshjeve, themeluan partitë e tyre politike.

Sarajeva përbëhet nga katër komuna (Stari Grad, Centar, Novo Sarajevo, Novi Grad). Në tri komuna fituan kandidatët e këtyre katër partive të koalicionit. Ata janë: Ibrahim Haxhibajriq, Sërxhan Mandiq, Hasan Tanoviq. Ndërsa në komunën më të populluar Novi Grad, kandidati i tyre Adnan Delliq, kryeson, pasi ende nuk janë numëruar të gjitha votat.

Në komunën Ilixha, e cila është një nga komunat e Kantonit të Sarajevës (një kanton ka nëntë komuna), ka fituar kandidati i këtij koalicioni, dhe kjo është hera e parë në dy dekada që Partia e Veprimit Demokratik ka humbur pozicionin e saj drejtues.

Qytetarët në Bosnje e Hercegovinë në zgjedhjet e 15 nëntorit, për shkak të pandemisë, u detyruan të mbanin maskë dhe distancë.
Qytetarët në Bosnje e Hercegovinë në zgjedhjet e 15 nëntorit, për shkak të pandemisë, u detyruan të mbanin maskë dhe distancë.

Në qytetin e Banja Llukës, fitoi kandidati i opozitës, Drashko Stanivukoviq, nga Partia e Përparimit Demokratik (PDP). Bëhet fjalë për një parti që është në opozitë në Republikën Serbe të Bosnjës. Stanivukoviq deklaroi në konferencën për shtyp se Banja Lluka do të jetë qyteti i të gjithë qytetarëve.

"Kjo është dita më e lumtur në historinë moderne të qytetit tonë", vuri në dukje Stanivukoviq në fjalimin e tij nga selia kryesore zgjedhore e partisë.

Drashko Stanivukoviq ishte kandidati më i ri në moshë për kryetar të bashkisë së Banja Llukës. Ai është 27 vjeç. Me politikë ai filloi të merret kur i kishte 18 vjeç. Në zgjedhjet e përgjithshme më 2018, ai fitoi mandatin e një anëtari të Asamblesë së Republikës Serbe me gati 20,000 vota. Në atë kohë, ai fitoi numrin më të madh të votave individualisht nga të gjithë kandidatët për deputetë në Republikën Serbe. Në vitin e fundit, ai ishte në konflikt të vazhdueshëm me Millorad Dodikun, veçanërisht në debatet parlamentare. Megjithatë një veprim i tij kishte provokuar reagime negative pasi ai u fotografua me një flamur çetnik me një kafkë, i cili u përdor nga çetnikët në Luftën e Dytë Botërore.

Drashko Stanivukoviq
Drashko Stanivukoviq

Fotot ishin bërë gjatë një tubimi në amfiteatrin e një shkolle.

Ndryshe, Stanivukoviqit iu ndalua hyrja në Mal të Zi për 12 muaj, pasi mori pjesë në një liturgji fetare të paligjshme nëpër rrugët e Nikshiçit në fund të gushtit.

Partia Demokratike Serbe dhe Partia e Përparimit Demokratik fituan vendin e kryetarit në Bijeljina, qyteti i dytë më i madh në Republikën Serbe. Të dyja partitë kishin një kandidat të përbashkët.

Ndikimi i pandemisë në rezultatin zgjedhor

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, gati 54 për qind e rreth 3.3 milionë votuesve të regjistruar dolën të votojnë për kryetarët dhe këshillat e bashkive në dy rajonet autonome të Bosnjës – Federatën Myslimane-Kroate dhe Republikën Serbe – si dhe në Qarkun e Bërçkos.

Zgjedhjet u planifikuan fillimisht për 4 tetor, por vonesa e qeverisë në miratimin e një buxheti kombëtar, duke përfshirë financimin për zgjedhjet, çoi në shtyrjen e tyre.

Partitë nacionaliste boshnjake, serbe dhe kroate kanë mbajtur pushtetin për pjesën më të madhe të periudhës që nga fundi i luftës në Bosnje 1992-1995.

Por, kritikat për trajtimin e pandemisë së koronavirusit dhe skandalet rreth blerjes së pajisjeve mjekësore kanë forcuar mbështetjen për opozitën.

Numri i rasteve me koronavirus dhe vdekjeve të lidhura me COVID-19 në Bosnje është rritur ndjeshëm javët e fundit. Autoritetet shëndetësore kanë thënë se deri më tani janë infektuar 72.000 njerëz, ndërsa më shumë se 1.800 kanë vdekur.

Për të shmangur rrezikun e përhapjes së koronavirusit, votuesve në qendrat e votimit u kërkohej të mbanin distancë të rreptë fizike, të vishnin maska për fytyrën dhe të lanin duart.

Parregullsitë gjatë votimit

Vëzhguesit e Koalicionit të organizatave joqeveritare që monitoruan ditën e zgjedhjeve, kanë regjistruar 196 parregullsi në zgjedhje. Këto janë shkelje serioze të rregullave zgjedhore, lëshime serioze në punën e qendrave të votimit, u tha në një konferencë shtypi në Sarajevë, të dielën në mbrëmje.

Numri më i madh i shkeljeve i referohet ndalimit të vëzhgimit, pastaj posedimi i më shumë se një fletëvotimi nga ana e një votuesi, fotografimi i fletëvotimeve, mungesa e materialit zgjedhor e të tjera.

Në Mostar nuk u votua

Qyteti jugor i ndarë etnikisht i Mostarit do të mbajë zgjedhje veçmas më 20 dhjetor.

Këto zgjedhje do të jenë të parat në Mostar në 12 vjet, dhe do të mbahen pasi partitë kryesore boshnjake dhe kroate të Bosnjës, në qershor arritën një marrëveshje për një statut të ri për qytetin.

Mostari nuk ka mbajtur zgjedhje komunale që nga viti 2008 për shkak të dështimit të autoriteteve për të zbatuar një vendim të vitit 2010 nga Gjykata Kushtetuese e Bosnjës e cila vendosi që struktura e ndarjes së pushtetit të qytetit ishte antikushtetuese dhe duhej reformuar.

Përgatiti: Kestrin Kumnova

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG